Kush i mbushi me mbetje toksike kontenierët të cilët ishin nisur me anije nga porti i Durrësit për në Tajlandë? Kjo pyetje ende s’ka marrë përgjigje dhe as s’e kush duhet të mbajë përgjegjësi për to. Qeveria shqiptare fajësoi kompaninë “Kurum”, duke thënë se lënda u nis nga kjo kompani pranë Metalurgjikut në Elbasan për në Tajlandë. Por “Kurum” ka reaguar duke i përgënjeshtruar këto deklarata. “Kurum International” në një deklaratë të cilën mund ta gjeni të plotë duke klikuar këtu, thotë se në asnjë rast nuk ka transportuar mbetje të rrezikshme dhe se ngarkesa e dërguar në Tajlandë nuk është nisur prej tyre.

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare.”– thuhet në deklaratën e kompanisë, e cila pretendon se i respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë.

Ky reagim erdhi pasi Ministria e Mjedisit në Shqipëri, reagoi për situatën në një njoftim për “Report TV”, ku tha se mbetjet “kanë dalë nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”. E ndonëse nuk përmendet me emër, kompania ndërkombëtare që ushtron aktivitetin në ish-metalurgjikun e Elbasanit është pikërisht “Kurum”.

Ministria po ashtu theksoi se nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës. 

“Në përgjigje të interesimit tuaj në lidhje me dyshimet mbi transportin e parregullt të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga procesi teknologjik, sqarojmë se për këtë rast Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës. Sa më sipër, ju informojmë se institucionet ligjzbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF) si dhe kanë referuar rastin pranë organeve të prokurorisë.“”- thuhet në reagimin e Ministrisë së Mjedisit. 

Fillimisht anija me mbetjet toksike “Contship Vow” u nis nga Durrësi në 4 korrik dhe rrugës për në Trieste të Italisë u njoftua se është bërë ndarja e ngarkesës në dy mjete të tjera lundruese, pronë e shoqërisë së transportit ndërkombëtar “Maersk”. Mirëpo pas alarmit të ngritur nga qendra Basel, u fik sinjali GPS në 31 korrik kur po i afrohej në Cape Town të Afrikës së Jugut.

Pas kësaj Tajlanda refuzoi të pranonte ngarkesën me mbetje, duke kërkuar të kthehej në vendin e origjinës. Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me institucionin e Bashkimit Evropian OLAF po hetojnë të zbulojnë historinë e ngarkesës që dyshohet të jetë 816 ton mbetje të rrezikshme pluhur nga filtrat e furrave të çelikut.

Historia e Tajlandës nuk duket të jetë një rast i izoluar. Kapitali.al zbuloi disa dokumente që tregojnë se në prill të këtij viti Shqipëria i dërgoi Kinës plot 115 kontenierë me mbetje toksike (lexo këtu). Disa muaj më vonë, kontenierët ende mbahen të bllokuar në Portin e Nanshas në Guangzhu të Kinës. Lidhur me këtë të dytën ka reaguar Administrata Doganore Shqiptare, e cila thotë se mbetjet që po mbahen në Kinë nuk janë produkte me origjinë nga Republika e Shqipërisë.

“Nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë; Nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.”- thuhet në reagimin e Doganës, ku institucioni përsërit se edhe për këtë rast po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligj-zbatues.

Pas gjithë kësaj historie, përpos dyshimeve se kemi të bëjmë me transport illegal të mbetjeve, shqetësimi më i madh është çfarë do të ndodhë nëse këto mbetje kthehen në Shqipëri? A rrezikohen qytetarët shqiptarë?

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10