E kishim praktikë me studentët që të merrnim video fjalimesh të spikatura politikanësh e t’i futeshim punës për të analizuar ligjërimin e tyre.

S’paska shkuar më kot!

Gjithë ajo sasi e madhe praktikash duket se do na shërbejë më së miri për të analizuar një tjetër personazh të rëndësishëm në Shqipëri që ka lidhje me diplomacinë: ambasadoren amerikane në Tiranë, znj. Yuri Kim.

Për znj. Kim morëm në shqyrtim dhe analizë, ligjërimin e saj më të fundit, të gjitha këndet e kapura nga kamerat, të gjitha përkthimet, bashkë me atë të publikuar zyrtarisht nga Ambasada Amerikane. Njëkohësisht në llogari morëm domethëniet e frazave të saj në anglisht dhe shqip, gjuhën, komunikimin joverbal, mesazhin, ndërtekstualitetin dhe kontekstin. Fatmirësisht në orientimin e analizës së diskursit na ndihmoi një autor i rëndësishëm i fushës: James Lee Gee.

Por para se të shkojmë te analiza që e kemi me aq shumë dëshirë, le të sjellim për ju lëvizjet e lojëtarëve në kutinë e shahut pas “presionit të butë” ndaj Partisë Demokratike.

Lojëtarët lëvizin

Ambasadorja Kim niset drejt PD-së. Aty e pret në hyrje sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. Më pas futet në zyrën e kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe qëndron disa minuta.

Në dalje rrethohet nga gazetarët, ku ambasadorja Kim bën deklaratën e saj prej 5 minutash e gjysmë, një nga më të fortat e historikut të saj në Shqipëri, bashkë me atë kur tundtte marrëveshjen e “5 qershorit” në duar.

Pas deklaratës ku kërkonte largimin e Berishës nga parlamenti, del informacioni se vetë Berisha do fliste në darkë për “presionin e butë”.

Megjithatë Berisha zgjedh të reagojë paraprakisht në profilin e tij në “Facebook” duke thënë se shqiptarët nuk meritojnë bar dhe se ambasadorja Kim gabon rëndë kur u tregon demokratëve barin. Në deklaratat e mëvonshme Berisha theksonte se do ulet më i motivuar se kurrë në parlament dhe se ambasadorja duhet të kërkojë falje. Një sërë personazhesh të hapësirës publike reaguan më pas, që nga Ylli Manjani, Mero Baze, Adi Krasta etj. Edhe Richard Grenell, ish-i dërguari i ish-presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, i ardhur në Tiranë së fundmi u pyet por ai e shmangu me zgjuarsi komentin mbi “Non Gratën” e Berishës.

Tani Yuri Kim ka nisur pushimet në jug të Shqipërisë, duke pirë uzo me banorët e fshatit Vuno.

Qetësi. Presim shtatorin.

Pesë minuta e gjysmë -Komunikim i kuptuar apo i keqinterpretuar?

Nuk dihet pse ambasadorja Kim vendosi ta bëjë publik “presionin e butë” ndaj kryedemokratit Lulzim Basha për grupimin demokrat që do të hyjë pas shumë muajsh bojkoti në Kuvendin e Shqipërisë. As nuk dihet se çfarë i ka thënë saktësisht ballë përballë por as pse zgjodhi ditët e fundit para pushimeve të gushtit për këtë mesazh publik. Ajo që dihet është që mesazhi e gjeti të papërgatitur edhe përkthyesen, e cila nxitoi të mbante shënime kur kuptoi rëndësinë e tij.

Fjalimin e zonjës Kim do ta shohim megjithatë me “mikroskopin e Le Gee-së”, i cili në librin e tij “Si të bësh analizë diskursi (ligjërimi)” na jep disa shtylla për një interpretim shterues, si gjuha, teksti, ndërtekstualiteti (referimi brenda një teksti i një teksti tjetër), konteksti etj.

Gjuha, e cila nuk ka të bëjë vetëm me anglishten si një lloj gjuhe e ndryshme nga ajo shqipe, tingëlloi as e drejtpërdrejtë por as tërësisht diplomatike, diçka e ndërmjetme.  Siç argumenton Le Gee gjuha lidhet jo vetëm me të thënit por edhe me të ndërtuarit sepse kur dëgjojmë dikë që flet, thotë autori, ne nuk përsërisim atë që thotë folësi (madje edhe përkthyesja e zonjës Kim që supozohet ta përkthejë fjalë për fjalë bëri një tjetër përkthim në një moment kur tha “për interesat personale të një deputeti” dhe jo “për interesat personale të një njeriu”) por ndërtojmë dhe dizenjojmë strukturat dhe kuptimet tona mbi bazën e asaj që dëgjojmë. Prandaj përkthyesja e ambasadores tha “deputeti” dhe jo “njeriu” sepse ky ishte kuptimi për të nga dëgjimi.

Kuptimi është një koncept shumë i ndërlikuar. Një dallim të rëndësishëm që mund të bëjmë është ai midis kuptimit të përgjithshëm që ka një fjalë ose shprehje dhe kuptimit specifik që një fjalë ose thënie merr në një kontekst specifik të përdorimit. Çdo fjalë ose strukturë në gjuhë ka një “kuptim potencial” të caktuar, domethënë një sërë kuptimesh të mundshme që fjala ose struktura mund të marrë në kontekste të ndryshme të përdorimit.

Gjuha sociale, apo regjistri na kujton që me qëllim që ne të kuptojmë saktë mesazhin e ambasadores Kim jo vetëm do të duhet ta dimë që është zonja Yuri Kim që po flet por edhe të njohim identitetin e saj. A po flet ajo si diplomate (përfaqësuese e interesave amerikane), si “shoqje e Bashës”, “si armike e Berishës” apo si një person që shqetësohet për fatet e kombit shqiptar?! Përshtypja është se ajo po fliste si përfaqësuese e interesave amerikane, në identitetin e diplomates.

Konteksti? Ai përfshin mjedisin fizik në të cilin zhvillohet komunikimi dhe gjithçka në të; trupat, shikimi i syve, gjestet dhe lëvizjet; ajo që është thënë dhe bërë më parë nga personazhet e përfshirë në komunikim; çdo njohuri të përbashkët që personazhet e përfshirë kanë, duke iu ngjitur njohuritë e përbashkëta kulturore. Para selisë së PD-së, direkt pas takimit me Bashën. Shpallja “Non Grata” e Berishës por edhe diçka më gjerë se kjo; konteksti i një propagande të ngritur prej vitesh nga politika që qeveris, lidhur me “Berishën si rrezik” dhe nevojën që sipas kësaj politike ka vendi që ish-kryeministri të largohet njëherë e mirë sepse “të gjitha fajet i ka Berisha”. Kësaj propagande i shtohet edhe fakti i ri, i interpretuar po sipas këndit propagandistik se Berishën e kanë “armik” ose së paku “nuk e duan amerikanët”. Përballë këtij miksi propagandash, përtej pozicioneve të lidhura me interesin vetjak të njerëzve të pozicionuar majtas ose djathtas, në kuptimin që në Shqipëri kanë këto koncepte, kemi edhe atë të një pjese politikanësh e personazhesh publikë që luhaten mes demokratësh e asnjëanësish që Berisha duhet ta “çlirojë partinë duke u larguar” apo “Basha duhet ta marrë një vendim”.

Ndërtekstualiteti është referimi që ne mendojmë se bën zonja ambasadore të një teksti tjetër në tekstin e saj, siç ne mendojmë se e kuptojmë, referimin e tekstit të udhëheqjes komuniste në Shqipëri : “Edhe bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”.

Ne si publik e dimë fundin e diktaturës. Dhe mendojmë se dhe ambasadorja e di. Dhe aty për aty nisim ta interpretojmë në mendjet tona se zonja Kim nëpërmjet ndërtekstualitetit të saj na revokon komunizmin, te keqen, dështimin.

Me të drejtë, një bashkëmoshatari im shqiptar që jeton në SHBA dhe e njeh mirë gjuhën angleze, më tha se që të analizosh zonjën Kim, duhet ta kuptosh mesazhin që dha duke u bazuar mbi kulturën gjuhësore të saj. Sipas tij në anglisht “të hash bar” do të thotë “të biesh me fytyrë përtokë, të dështosh”. Një vërejtje me vend, megjithëse pyetja që na lind është nëse ambasadorja e ka ditur kulturën tonë gjuhësore, kulturën e dëgjuesit, të cilit po i fliste.

Teoritë e reja mbi modelet e komunikimit kanë përparuar duke mos mbetur te i njëanshmi. Komunikimi nuk është linear, është ndërveprues. Teoricienë të komunikimit politik dhe komunikimit efektiv sugjerojnë që komunikuesit të njohin kulturën e bashkëkomunikuesve, duke folur me gjuhën e tyre për të qenë sa më shumë bindës a efektivë në qëllimet që kanë nëpërmjet komunikimit që kryejnë.

Video e ligjërimit të ambasadores amerikane Yuri Kim

Mesazhi kryesor i ligjërimit të ambasadores Kim gjendet në këto fjali:

 “Siç e përmenda më parë, PD-ja ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për këtë vend, jo vetëm për partinë, nëse partia do të “hante bar” për hir të interesave personale të një njeriu.”

Këtu gjendet edhe fraza kyçe e analizës “partia do të hante bar”, që rakordon me kuptimin që ne marrim nga fraza komuniste “edhe bar do të hamë” (kupto: do e çonim veten drejt fundit dhe nuk do dorëzoheshim).

Komunikimi joverbal i znj.Kim, ose ai që Le Gee i referohet si teksti multimodal (tekste që kombinojnë fjalët dhe imazhet) qëndron te futja direkt në temë, e folura e shtruar, toni i saj i prerë, intonacioni i ngritur te mesazhi kryesor, mungesa e buzëqeshjes dhe e gjesteve (ambasadorja e lëvizte kokën pak krahasuar me përkthyesen e saj), zëri i plotë që vinte duke u ngritur duke treguar vetëbesim apo mimika tejet serioze duke treguar rëndësinë e çështjes për të cilën po fliste.

Duke lëvizur kokën në të gjitha drejtimet ku gjendeshin gazetarët (kupto: audienca televizive), si për të treguar se e zotëronte situatën, shfaqja me veshje verore dhe të kuruar na detyron ta përkthejmë si një situatë me shumë përgatitje nga pas dhe me mungesë emergjencë.

Hapja e syve pak më shumë dhe ngritja e vetullave te mesazhi kryesor që tregonte rëndësinë që donte ambasadorja Kim t’i vinte apo rëndësinë që ajo dëshironte që ne t’i vinim komunikimit të saj janë të tjerë elementë të tekstit multimodal. Në sy ra ulja e ritmit dhe mbitheksimi i frazës “do të duhet të hante bar” në raport me ritmin e theksimin e fjalëve të së njëjtës fjali apo fjalive paraprake dhe po kështu lëvizja e menjëhershme kur zonja Kim e mbylli ligjërimin duke mos e kthyer kokën pas edhe kur gazetarët u përpoqën ta pyesnin. Kuptimi? Unë njëherë flas.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)