
Një shkrim i Alfred Lelës pas tryezës së Sali Berishës me intelektualë ka ndezur gjakrat. Lela shprehet në një postim titulluar: “Tryeza e opozitës dhe trapezat kontestatorë” se Shqipëria është plot me “intelektualë”, të cilët mbahen të tillë, dhe vijon ironikisht: “Edhe pse librin e fundit e kanë lexuar kur kanë qenë në universitet dhe ka qenë tekst shkollor, kjo dihet. Apo se, këtu te ne, ‘intelektual’ quhet kushdo ka një diplomë universiteti-edhe pse këto janë bërë si injeksionet botox të cilat tashmë i ofrojnë edhe dentistët- dihet gjithashtu.”
Lela veçon Lubonjën, ndërsa shton për të tjerët se: “Tani nga maja e teorisë zbresim në fushën e praktikës, te tryeza e dialogut, thirrur nga udhëheqesi i opozitës, Sali Berisha, dhe te reagimi i ‘intelektualëve’ përkundër saj. Fjalën intelektual do ta përdor në thonjëza, sepse të gjithë reaguesit, përjashto Lubonjën, i klasifikoj (mos m’a falni paragjykimin!) si prole të fjalës. Thënë shkoqur: kanë gojë dhe gjuhë, kanë faqe në rrjete, podcaste nëpër dhoma gjumi, japin mësim në semiuniveristetet e Tiranës apo rretheve, por nuk janë intelektualë. Pra, nuk krijojnë. Kur e shohin se nuk ngjisin në mainstream, hidhen në tregjet e konspiracionit. Qëllimi është një: të futen në qendër përmes ekstremeve, pra jo përmes krijimit, por habishkaktimit.”
Kjo nuk është mirëpritur nga moderatori e analisti Shpend Gashi. Ai ka postuar një kundërpërgjigje ku nuk kursehet kur e nis reagimin me fjalët: “Një person-diarre, lëtyrë e neveritshme, arsyeja që marketingu (P.R) është përtokë e që ka funksion mediatik në PD, ishte munduar të më sulmonte përmes një shkrimi! Shkrim i dobët, njëjtë si përmbajtja e tij, i cekët, malinj dhe i paburrë, me shumë mundësi i shkruar me Chat Gpt, sikurse edhe libri i tij i vetëm. Nuk mund ta bënte ndryshe, pasi një herë e një kohë ky “zonjusha velvet” që u bë burrë kur hoqi pantallonat, ishte tmerri i redaktorëve, ngaqë u duhej të ribënin shkrimin, aq idiot dhe i paaftë siç ishte dhe është.”-shkruan Gashi duke shtuar se: “Intelektualizmin tim e tregojnë njerëzit që më vijnë në podcast, shkencëtarë, pedagogë 40 vite, autorë dhe audienca e mrekullueshme, kurse këtij prezervativit shumëpërdorimshëm, në botimin e vëllimit poetik alla BALLERINA i erdhën vetëm përfaqësuesit e Departamenteve të PD-së! Shnet, vemje! Do përballemi së shpejti! Gjenetikisht superior o idiot! Fiksoje këtë! Tung!”-shkruan ai.

Lidhur me qëndrimet kritike gjatë tryezës, Lela shkruan: “Pse, këta ‘intelektualët’, e kapën me tryezën e opozitës, secili nga këndi i vet i fandaksjes? Sepse ata i presin krizat si shpëtimtare për rolin e tyre, shpresojnë se nëpër trazirat e tyre to do kalojnë nga margjinat në qendër. Instinktin e kanë të saktë: vetëm krizat mund t’i shpëtojnë ekstremistët, në momente qetësie ata nuk janë më shumë se një lëmsh psikologjik që kërkon të çtirret diku. Duke e perceptuar opozitën në krizë, ata hutohen kur nuk i thërrasin me emër të përveçëm, publikisht, që të begenisin tryezën, jo si të barabartë, jo si veprimtarë, por si shpëtimtarë. Në kokën e kokolepsur kanë ravijëzuar një aula magna ku, edhe në mos qofshin në krye, rrumbullakësia e tryezës u krijon iluzionin se janë. Është ëndrra e gomerëve që e dinë veten për kalorës, rrjedhimisht në tryezën primus inter pares me Mbretin Artur.
Po t’i vije re reagimet e tyre, alogjike siç janë ekstremitetet, përvijonin një ankesë sipas së cilës në tryezë i ftoka Sali Berisha dhe kjo i ftohka! Ou?! Pse, kush duhet t’i ftonte? Pëllumbi, recepsionisti i Partisë Demokratike? Fryma e shenjtë? Donald Trump d.v?”
Ai nuk kursehet në komente për ato që i quan si nevoja për të krijuar dhe luftuar një betejë imagjinare: “Nuk është ftesa dhe forma e saj që i shqetëson, është nevoja për të krijuar dhe luftuar një betejë imagjinare, për të pasur mullinj që fryjnë erë për balonat e iluzioneve të tyre. Ashtu të trandur, fantazojnë për horizontet ku duhet të shkojë trupa e madhe opozitare, dhe vertikalet që duhet të bëjë për të mbërritur aty”.

Me tej në shkrim bën edhe dallimin mes njerëzve aksidente publike dhe intelektualëve, duke analizuar edhe raportin e tyre me qendrën: “Njëri thotë: më ftuan, por nuk shkova. Tjetri, më ftuan, shkova, por nuk më pëlqeu, se tryeza ishte drejtkëndëshe, jo si e Mbretit Artur, ku mua, ngado të më kthesh, do të isha në qendër. Dhe këtu vijmë të dallimi mes njerëzve aksidente publike dhe intelektualëve, raporti i tyre me qendrën. Të parët, ngaqë nuk e përballojnë dot vetminë dhe inkoherencën, me qendër kuptojnë veten dhe fanepsjet e tyre. Të dytët, duan të çojnë në qendër idetë, por janë mirë edhe kur qendra rrotullohet idesh të tjera. Fanepsjet e tyre nuk i shohin si ide për të gjithë, por si pjesë e procesit krijues të brendshëm. Nëse nuk pranohen, vijojnë me gjëra të tjera.”
Lela thekson se: “Nuk kërkoj që shija ime për këta ‘intelektualë’ t’u thotë gjë. Por kontrasti i tyre me të tjerë në tryezë duhet t’u shpjegojë diçka. Nder të munguarit e njëqind e një tekave, të blerët e një mijë e një llogarive, spurdhjakët e një million e një ‘do dalim ku të vija e mbrothët koha’, media antiopozitare solli në qendër të fandaksurit në kërkim të qendrës. Në tryezë qenë dhjetra njerëz të proceseve krijuese, secili në lamijen e vet, artistë, autorë, gazetarë, sipërmarrës, aktivistë, klerikë etj.”
Në fund përdor shprehjen “të hurit e litarit” për ata që ishin në tryezë: “Asnjë nuk u theksua, sepse mediat e qeverisë vunë, si përherë, në pasqyrat e tyre fytyrat e gaztorëve, Olios e Stelios. Fakti që mediat u ndihmuan në ngritjen e këtij perceptimi edhe nga këta ‘intelektualët e hurit dhe të litarit’, dëshmon se alenaca e banalitetit triumfon më lehtë në epokën e internetit. Mund të mos e ndalim, por të paktën mund ta shpjegojmë dhe ironizojmë.”
Gashi nuk heq dorë, duke intensifikuar qëndrimin edhe në podkastin e tij “Tru Podkast”, nëpërmjet një videoje, duke shtruar disa pyetje radhazi për Lelën. Në një video thotë: “Na uli në odë të burrave dhe qentë e partisë na prenë në besë neve qe erdhëm në mirëbesim aty. Se ai nuk ishte vetëm sulm për mua vëlla, ai ka një urrejtje patologjike për mua. Po ai ishte sulm edhe Lus Susajn, që i kritikoi, ishte sulm edhe për Florian Binajn, ishte edhe për Neritan Liçajn, edhe për Ermal Hasimjen që kritikoi, edhe për zonjën Meri Lika, që kritikoi, edhe për Blerina Gjyriçin, që kritikoi nga Konsumatorët. Mirë me mua Shpendin e ke personale, kemi gjërat tona, ne, pritet të kafshosh, more dajakun në publik, u degjenerove, po me profesorin Lus Susaj more, more gjë e keqe, more djalë i keq, edhe ai nuk është intelektual? 40 vjet, 40 botime, jo botime me chat gpt, botime alla Çili, njeriu, vreshtari më i mirë në Ballkan vëlla, gjeni në vreshtari, më i miri…”.

Gjatë fjalës së tij në tryezën e thirrur nga PD-ja Gashi bëri thirrje jo për jo qeveri teknike, po grevë radikale: “Shpend Gashi, askushi nga republika e kurrëkundit, sepse të thuash jam pedagog apo analist në Shqipëri i bie të jesh i punësuar apo i lidhur me Edi Ramën. Ne kemi zgjedhur këtë rrugën e “heroit”, nëse mund të quhemi të tillë kur jemi të gjithë bashkëfajtor të gjithë. Unë nuk jam për qeveri teknike, jam për një grevë radikale në kushtet më ekstreme brenda ligjshmërisë. Ne nuk jemi për të prekur armët, sepse jemi konservatorë demokrat, por duhet të kalojmë në fazën më ekstreme në një shtet që nuk ekziston fare institucioni. Ftesa ime është për të gjithë deputetët e opozitës, ta nisin me gjithë familjaret e tyre, që të krijojnë frymën dhe të vijmë të gjithë nga pas. Të dalim në shesh, të mbajmë fjalime, të ikim në shpi, Rama rri edhe 100 vjet të tjera”, tha Gashi.
Ai përcolli shqetësimin se më kod elektoral Partia Demokratike rrezikon të mbetet në opozitë: “Me këtë kod elektoral do gënjejmë vetën nëse futemi në zgjedhje dhe të perëndojmë që peshku të ngjisë pemën. Te kodi elektoral kemi faj të gjithë si opozitë. Këtu fus edhe vetën që kam pompuar PR, imagjinoni ju që keni marrë vendime. E kemi dorëzuar vetë pushtetin me këtë kod elektoral. Ky kod elektoral të lë në opozitë. E fundit është perceptimi publik, më vjen keq për juve, por perceptimi publik është që një pjesë e mirë e opozitës është e kapur me Edi Ramën. Kemi mundësinë me greva të ngremë frymën dhe të tregojmë që nuk jemi dhe po hidhet baltë mes nesh”, -tha Gashi.
Tryeza e Berishës kaloi pa vëmendje të madhe mediatike dhe duket se rezultati është kjo përplasje, e cila nuk është se e hap partinë kryesore të opozitës, veçse e degradon në sherr të tipit “më the, të thashë”.


