
Nga Klaudio Agolli
Përplasja mes Presidentit të SHBA-ve (Superfuqi), Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës, ( Fuqi e Vogël), Volodomir Zelensky në Shtëpinë e Bardhë nuk është asgjë më tepër se shprehje e qartë e realizmit politik.
SHBA në këtë rast i tregoi jo vetëm Ukrainës por edhe botës se pa mbështetjen e tyre Ukraina nuk e fiton dot luftën.
Përplasja e tyre nuk na kujton asgjë me tepër se sa kthimin mbrapa në kohë nga “Historia e Luftës së Peloponezit” e Tukididit.
Në vitin 416 p.e.s., gjatë Luftës së Peloponezit, Athina kërkoi që ishulli i vogël i Melosit, i cili ishte neutral, të dorëzohej dhe të bëhej aleat i saj.
Pas refuzimit të melianëve, Athina rrethoi Melosin, dhe pas disa muajsh, qyteti u dorëzua. Athinasit vranë të gjithë burrat e rritur dhe skllavëruan gratë dhe fëmijët, duke vendosur kolonët e tyre në ishull.
Edhe pse në këtë rast SHBA nuk tenton ta rrethojë Ukrainën por pa mbështetjen e saj është Rusia e cila e ka pushtuar Lindjen e Ukrainës dhe kërcënon integritetin terriotrial të saj.
Dialogu mes Athinasve dhe Melianëve
Athinasit: Ne nuk do të flasim me fjalë të zbukuruara ose me justifikime për të drejtat tona, as nuk do të pretendojmë se sulmi ynë ndaj jush është i drejtë. Ne do të flasim hapur: të fortët bëjnë atë që munden, dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë.
Melianët: Nëse e pranoni se drejtësia nuk ka vend në këtë bisedë dhe se ju drejtoheni vetëm nga forca, si mund të presim një marrëveshje të drejtë? Nuk është më mirë për të dyja palët që të respektojmë parimet e drejtësisë dhe të mos mbështetemi vetëm te forca?
Athinasit: Drejtësia ka rëndësi vetëm kur të dyja palët janë të barabarta në fuqi. Në realitet, të dobëtit varen nga më të fortët. Prandaj, ne ju këshillojmë të dorëzoheni dhe të bëheni aleatë tanë, në vend që të përballeni me shkatërrimin.
Melianët: Po sikur të qëndrojmë neutralë dhe të mos luftojmë kundër jush? Kjo nuk do të ishte më e favorshme edhe për ju, që të mos shtonit armiqtë tuaj?
Athinasit: Ne nuk mund t’ju lejojmë të qëndroni neutralë, sepse kjo do të tregonte dobësi dhe do të inkurajonte të tjerët të na sfidojnë. Nëse ju dorëzoheni pa luftë, të tjerët do të shohin se është e kotë të rezistojnë.
Melianët: Por nëse rezistojmë, ndoshta do të marrim ndihmë nga Sparta, e cila është kolonia jonë mëmë.
Athinasit: Sparta do të veprojë vetëm në interesin e saj dhe nuk ka asnjë arsye praktike të rrezikojë veten për ju. Aleancat nuk mbështeten te sentimentet, por te forca.
Melianët: Po sikur perënditë të jenë me ne dhe të na ndihmojnë? Ne besojmë në drejtësinë e çështjes sonë.
Athinasit: Perënditë nuk ndërhyjnë për të ndryshuar ligjet e natyrës. Ne veprojmë ashtu siç e ka bërë gjithmonë njerëzimi: më të fortët sundojnë mbi të dobëtit. Perënditë nuk do të ndryshojnë këtë rregull.
Melianët: Atëherë, preferojmë të rrezikojmë dhe të luftojmë për lirinë tonë sesa të dorëzohemi.
Athinasit: Atëherë, ju po merrni një vendim fatal. Fati juaj do të jetë në duart tuaja.


