Një përplasje e re ka nisur mes Kosovës dhe Serbisë pas vendimit të mbylljes së nëntë filialeve postare.

Të hënën e 5 Gushtit, Policia e Kosovës ka kryer një kontroll me kërkesë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ndaj filialeve postare të Serbisë që veprojnë në Kosovë.

Në fund të kontrollit, policia mbylli nëntë prej filialeve postare serbe me argumentimin se po vepronin pa licensë dhe se nuk kanë qenë të regjistruara në institucionet e Kosovës (kliko këtu).

Konkretisht, në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur tre degë, në Zveçan dy, si dhe një tjetër në Zubin Potok.

Këto degë shërbejnë për serbët në Kosovë që të kryejnë pagesa të ndryshme, nxjerren e dokumentacioneve si dhe tërheqjen e fondeve që qeveria u jep, siç janë pagat, pensionet, lindjet e fëmijëve etj…

Por ky vendim i Kosovës ka sjellë shumë pakënaqësi në Serbi, e jo vetëm. Edhe ambasadat e huaja në Prishtinë duket se nuk janë fort dakord me këtë vendim.

Momenti i mbylljes së objektit të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

Serbia kundër mbylljes së degëve postare në Kosovë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka cilësuar mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës si një përpjekje për të provokuar një tjetër konflikt të organizuar.

“Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen, por ai (këtu i referohet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit) po e bën atë qëllimisht në mënyrë të organizuar dhe me mbështetjen e disa fuqive perëndimore.”- ka thënë Vuçiç në daljen e tij përballë gazetarëve.

Ndër të tjera ai shtoi se ka kontaktuar personalisht me Mirosllav Lajçakun, të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe se është në pritje se çfarë do të ndodhë.

“Unë jam shumë i shqetësuar. Nuk do të flas më tutje sepse kam frikë se mund të dëmtoj interesat e Serbisë. Unë personalisht kam folur me Lajçakun, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë”– tha Vuçiç sipas medias serbe Danas.

Aleksandar Vuçiç

Lidhur me këtë vendim pati reagime dhe nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, e cila në një reagim publik shpreh zhgënjim dhe e cilëson mbylljen e degëve postare serbe si një vendim të njëanshëm dhe të pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.”– shkruhet në faqen zyrtare në Facebook.

Ambasada vijon më tek duke i bërë thirrje qeverisë së Albin Kurtit të anulojë vendimin: “Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Lidhur me këtë ka reaguar dhe Bashkimi Europian, duke e cilësuar këtë veprim hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti.

I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”- shkruhet në faqen zyrtare të BE-së.

Pakënaqësi ka edhe mes kundërshtarëve të Kurtit në Kosovë. Mes tyre përmendim ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili e ka cilësuar këtë veprim si përpjekjen e Albin Kurtit për të kapitalizuar situatën në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës mbylli zyrat postare në veri për një arsye dhe vetëm një arsye: zgjedhjet e ardhshme nacionale. Pretendimi që Kurti mbron sovranitetin e Kosovës është qesharake. Sovraniteti i Kosovës mbrohet përmes progresit në anëtarësimin në NATO.”– ka shkruar Selimi.

Kujtojmë që degët postare të Serbisë në Kosovë ishin pjesë e marrëveshjes në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, ku të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare duke pranuar se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut.

Ndonëse kjo çështje ka sjellë shumë reagime dhe pakënaqësi tek ndërkombëtarët, ende nuk kemi një reagim nga vetë kryeministri Albin Kurti në lidhje me këtë vendim. A do të bëjë Albin Kurti prapakthehu për shkak të kundërshtimeve të BE-së e amerikanëve, apo do të qëndrojë stoik në vendimin e tij?

Zyrtarë policorë duke dalë me dokumente prej një zyre të Postës së Serbisë në veri.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13