Bllokimi i pagave të gjykatësve ka shkuar në SPAK. Krerët e shoqatave të gjykatësve kanë kallëzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe 15 zyrtarë të Thesarit për shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Ata kanë kërkuar fillimin e hetimeve ndaj ministrit Malaj, drejtorit të Thesarit, Gentian Këri dhe 14 zyrtarëve të tjerë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës. Në kërkesën e tyre bëhet e qartë se duan të zbulohet se cili është personi që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë moszekutimin e pagave të tyre dhe të punonjësve të administratës.

“Kallëzimi nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale përzgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë moszekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit,” thuhet në kallëzim.

Reagimi erdhi pasi para një jave qeveria bllokoi pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të punonjësve të administratës së institucioneve të drejtësisë. Shkak është listëpagesa e cila është dërguar duke u bazuar në vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat vendosën llogaritjen e pagave për shtatorin në përputhje me vendimin e marrë më 17 shkurt nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tyre ka një vendim të detyrueshëm që përcakton rritjen e pagave bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit. Sipas këshillave, rritja e pagës duhej të fillonte nga data 1 gusht. Po ashtu, u vendos që të kompesohej ulja e fshehur e pagës e realizuar me ligjin e mëparshëm të shfuqizuar në muajin shkurt nga Gjykata Kushtetuese. Mosekzekutimi është shoqëruar me bojkot të punës në gjykata, deri në mbledhjen e sotme pas qëndrimit të tyre.

Ministri Malaj nuk e ka mirëpritur kallëzimin. Ai ka sqaruar se kjo erdhi pasi kanë refuzuar të ekzekutojnë pagat e reja pa miratimin e ligjit në Kuvend. “Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”, shkruan Malaj. Ai shton se Ministria e Financave ka refuzuar të hapë dyert e Thesarit të Shtetit për të nxjerrë pa vendim të Parlamentit një shumë të konsiderueshme parash si shtesë page për gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas tij çështja e pagave do të adresohet më 17 shtator, kur pritet të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative për të vepruar.

Reagimi i ministrit Petrit Malaj: 

“Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit! 

Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.

Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.

Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.

Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.

Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:

Gjyqtar i Shkallës së Parë

Është: 376,381 Lekë

Kërkohet: 567,421 Lekë

Gjyqtar i Shkallës së Dytë

Është: 388,927 Lekë

Kërkohet: 586,335 Lekë

Gjyqtar i GJKKO

Është: 401,473 Lekë

Kërkohet: 605,350 Lekë

Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu.

Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.

Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji”. 

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10