
Në orët e para të mëngjesit, automjeti i gazetarit Sami Curri është përfshirë nga flakët në Bulqizë, teksa ishte i parkuar pranë banesës së tij. Zjarri është konstatuar rreth orës 02:45 dhe pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, mjeti është djegur pothuajse plotësisht. Shkaqet e këtij incidenti mbeten ende të paqarta, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënieje të qëllimshme. Vetë gazetari ka ngritur dyshime se ngjarja lidhet me punën e tij, duke e cilësuar si një përpjekje për ta frikësuar për shkak të raportimeve mbi prokurimet publike dhe aktivitetin e pushtetit vendor në qarkun Dibër. Prej 10 vitesh puna e tij përqendrohet te ngjarjet rreth prokurimeve publike, monitorimit të punës së pushtetit vendor dhe drejtësisë në qarkun Dibër.
“Kjo gjëja është e qëllimshme dhe është totalisht me synimin për të sjellë një mesazh tek unë dhe për punën që bëj, por së pari iu them që ata që e kanë bërë këtë veprim, as nuk do të më kërcënojnë ose frikësojnë dot sepse për mua gazetaria është një mision që i shërben interesit publik dhe do të vazhdojë me çdo lloj çmimi dhe një nga çmimet jo ishte”, tregon ai.
Megjithatë, ai është shprehur se nuk ka dyshime konkrete ndaj ndonjë personi dhe se do të vijojë punën e tij.
“Për mua është absolutisht e qëllimshme dhe me qëllimin kryesor për të më përcjellë mesazhin që kjo ishte e para dhe mund të vazhdojë më tej. Kjo gjë nuk më ndal dot”, shton Curri.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Qendra SCiDEV, e cila ka shprehur shqetësim të thellë për incidentin. Në deklaratën e saj, ajo thekson se raste të tilla ndaj gazetarëve janë alarmante, sidomos në një mjedis sfidues për mediat lokale, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve.
SCiDEV ka bërë thirrje për një hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent për zbardhjen e plotë të rrethanave, duke nënvizuar se një reagim i fortë institucional është thelbësor për të parandaluar pandëshkueshmërinë dhe për të garantuar kushte të sigurta për gazetarinë e pavarur. Në fund, organizata ka shprehur solidaritet me gazetarin dhe median, duke theksuar se do të ndjekë nga afër zhvillimet.


