Redi Muçi është për herë të parë deputet në kuvendin e Shqipërisë dhe përfaqëson një parti të re si Lëvizja Bashkë. Ideologjia e tyrë është paragjykuar shpesh si komuniste, po çfarë thotë ai për qasjet që kanë? Prona private, një nga shtyllat e ekonomisë së tregut, vjen si test për një të majtë si Muçi i cili flet edhe për familjen, partneren e tij pjesë të së njëjtës forcë politike ku edhe e motra kandidoi për deputete. Ai u ndal edhe te figura e Arlind Qorit, si lider i Lëvizjes Bashkë, por edhe në një përcaktim të profilit të tij social, në këtë bisedë me gazetaren Valmora Gogo.

Lëvizja Bashkë, një rrymë komuniste?

“Po duhet të përkufizojmë njëherë fjalën “komunist”. Varet se çfarë ka në mendje çdo shqiptar që na dëgjon.

-Ne kemi në mendje 50 vjet.

-Atëherë s’jemi komunistë. Sigurisht që ne kemi lexuar dhe kemi rrëmuar thellë edhe në ideologjinë e së majtës si të thuash për të kuptuar pozicionet. Ne jemi ndjekës të rregullt të politikës globale dhe me këtë dua të them se modelet tona politike janë ata të së majtës moderne bashkëkohore, le ta quajmë kështu. Pra një rast është Mamdani, kryetari i ri i bashkisë së Neë Yorkut për shembull që u zgjodh tani e që flet për çështjet e strehimit social, flet për çështjet e transportit, flet për çështjet e shtrenjtimit të jetesës në Neë York për shembull. Një tjetër është Bernis Sanders që është edhe në një farë mënyre mentor i Mamdanit. Po edhe Xheremi Korbi në Britaninë e Madhe ose rryma të tjera të së majtës moderne të cilat bazohen tek një qasje socialdemokrate, pra të mungesës së shtetit social për aq sa mund të jetë sigurisht duke avantazhuar zhvillimin ekonomik, duke luftuar monopolin, duke luftuar oligarkinë ekonomike që ka një influencë shumë të madhe në gjithë botën perëndimore për fat të keq dhe duke krijuar sa të jetë e mundur një lloj tregu i lirë në mundësitë për të hyrë në treg dhe për të kontribuar në treg, por pa hequr vëmendjen nga çështje kyçe siç janë për shembull industrializimi, pra Shqipëria është një vend që nuk prodhon absolutisht asnjë gjë.

Rrjedhimisht me sa e kuptoj unë, politika që ka tentuar të ndjekë Edi Rama për shembull ka qenë që për shkak se ne nuk prodhojmë atë ku do bazohet ekonomia, bazohet te pastrimi i parasë së drogës me një fjalë, kështu që si mund të dilet nga ky rreth vicioz? Duke rikthyer punën në prodhimin vendas një prodhim i një cilësie që do hynte dhe në eksport pra do hynte në konkurrencë në tregjet rajonale në fakt në tregjet e BE-së dhe ka plot mundësi për ta bërë një gjë të tillë, pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël, por kemi plot fusha të ndryshme të prodhimit edhe të industrisë së lehtë ushqimore, që do duhej të kishte mbështetjen dhe vëmendjen e shtetit, por edhe te bujqësia, pra edhe te turizmi, por jo të këtij turizmit masiv që i shërben kryesisht pastrimit të parave dhe jo vetë qytetarëve të Shqipërisë në radhë të parë dhe pastaj gjithë turistëve që vijnë nga e gjithë bota. Kështu që për ne është modeli ekonomik i gabuar që po zbatohet në gjithë këto vite, i lidhur ngushtë me oligarkinë ekonomike dhe me botën e krimit dhe që do duhet të marrë një drejtim krejt tjetër. Atëherë ideologjikisht i përkasim të majtës demokratike bashkëkohore dhe nuk kemi asnjë lidhje me Enver Hoxhën dhe me atë që u quajt “komunizëm” në 44 vjet që mbizotëroi komunizmi në Shqipëri.

Vizioni i Muçit për pronën private e paranë në ekonominë e tregut

Unë mendoj që sa i përket sipërmarrjes, një sipërmarrës i ndershëm, po e quaj në Shqipëri do duhet të mbështeste Lëvizjen Bashkë. Pse? Sepse në qoftë se theksi i kundërshtisë tonë ndaj modelit në të cilin ndodhemi është oligarkia ekonomike, atëherë në vetvete oligarkia ia pamundëson sipërmarrësit të ndershëm garën, konkurrencën në treg, pra rritjen e tij në bazë të inovacionit, në bazë të punës, në bazë të përkushtimit që ka në sipërmarrjen e vet dhe sigurisht që çdo vend zhvillohet bazuar tek sipërmarrja. Pa dyshim që po.

-Pra, nuk keni alergji nga paraja?

Po sigurisht që jo. Ne duam që të gjithë shqiptarët të pasurohen. Ama modeli i Edi Ramës pasuron një grusht shumë të ngushtë oligarkësh në kurriz të gjithë shqiptarëve. Kjo është në thelb si të thuash kontradita dhe rrjedhimisht s’jemi kundër sipërmarrjes. Po nga ana tjetër pastaj jo të gjithë shqiptarët mund të jenë sipërmarrës. Të gjithë mund të tentojnë të jenë sipërmarrës dhe bravo u qoftë. Tani dikush duhet të punojë dhe ata që punojnë janë punëtorët.

-Edhe sipërmarrësit punojnë.

-Po dakord. Patjetër. Patjetër. Është punë intelektuale, por ama duhet dhe dikush që prodhon, që i shton vlerë ekonomisë shqiptare, pra ose ekonomisë në një shoqëri të caktuar dhe këta janë punëtorë. Në çdo shoqëri kudo në botë, shumicën e njerëzve e përbëjnë punëtorët. Dhe përderisa shumicën e njerëzve e përbëjnë punëtorët, atëhere theksi ynë që ndahemi për shembull dhe me Agronin (Shehajn) është që këta njerëz në marrëdhëniet e punës duhet t’u respektohen të drejtat në punë. Dhe nuk po themi tani të punojnë vetëm tre ditë në javë. Po themi të drejtat që u njeh Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë që sot shkelen me të dyja këmbët dhe që të realizohet kjo gjë në çdo shoqëri moderne duhet të forcohen sindikatat dhe ne ia vendosim theksin për shembull organizimit punëtor nëpër sindikata për të fituar të drejtat e tyre dhe prandaj për shembull sa herë protestohet jashtë shtetit për ndonjë kauz të caktuar që s’lidhet detyrimisht drejtpërsëdrejti me punën kemi masivisht njerëz në shesh. Pse? Sepse janë të organizuar, janë të organizuar në sindikata, në shoqata, në grupime dhe rrjedhimisht daljen në shesh, mobilizimin e kanë shumë më të thjeshtë. Pra këtu ndahemi me Shehajn. Shehaj thotë që “Jo, të gjithë shqiptarët duhet të jenë sipërmarrës”, po mirë, po u bënë të gjithë sipërmarrës atëherë kush do të bëjë telefonata në call center?

Studimet në Britani, çfarë e ktheu në Shqipëri

“Në qoftë se flasim për formimin tim politik, atëherë unë do të thoja që kjo ndodhi në periudhën e fundit të studimeve të mia universitare pak a shumë dhe që nga ai moment nisi një rrugëtim drejt përpjekjes për të zbuluar diçka që bënte sens dhe kjo lindi më tepër edhe nga periudha në të cilën unë për shembull u diplomova vitin 2009, në 2008-ën ishte kriza financiare globale që shokoi mbarë botën apo jo dhe dashur padashur për një student të sapo diplomuar lindi nevoja për të gjetur disa përgjigje për atë që po ndodhtë me botën. Unë isha në Britaninë e Madhe, isha në Manchester, isha në qendrën e kapitalizmit dhe të civilizimit perëndimor, po duam t’i quajmë kështu dhe megjithatë shihja gjithë këtë kontraditë sociale dhe aty ndodhi ajo thyerja e madhe brenda teje.

Aty lind nevoja për të kuptuar. Kështu nisa të gërmoj për të parë se çfarë është duke ndodhur dhe për të shkuar pastaj një çik edhe tek qasja ime edhe ideologjike në qoftë se duam. Unë vij nga një familje nga Gjirokastra që ndryshimet e viteve ‘90-të sigurisht i përjetuam me një entuziazëm si gjithë shqiptarët ku përgjithësisht kritikohej e shkuara diktatoriale e vendit. Ishte kjo fryma e sipërmarrjes së re e me radhë dhe në vitin 2008 lindi pyetja “Çfarë po ndodh?” Pra vjen në pikëpyetje një farë një farë mënyre. Dhe për hirë të së vërtetës, për të qenë i sinqertë dhe për t’i thënë gjërat siç janë, unë kam ndjekur një dokumentar në të cilën pashë Noam Çomskin, linguistin edhe aktivistin e njohur që unë nuk e njihja në atë  kohë, megjegjithatë më bëri shumë përshtypje argumentit. Ishte një dokumentar mbi korporatat në Amerikë dhe u bëra kurioz thashë: “Ore kush është ky burri plak që flet kaq mirë? Dhe kur hyra tek profili i tij në Ëikipedia më bëri përshtypje fakti që ky politikisht e konsideronte veten anarkist. Dhe unë thashë “Ore si ka mundësi ky plaku? Anarkizmi në kokën time ishin gjithë këta me molotovë, që thyejnë, që bëjnë rrëmuje e me radhë. Dhe pastaj kjo më bëri kurioz për t’i hyrë dhe për të lexuar dhe kuptova që në fakt anarkizmi si qasje ishte një qasje ideologjike e së majtës, e cila i bënte kritikën autoritarizmit, çka lidhej dhe me të shkuarën tonë diktatoriale. Gjeta veten aty në ato ide, në atë moment  u entuziazmova.

-Tani i shikon ndryshe ato?

-Po sigurisht që i shikoj disi më ndryshe sepse i hyn një lloj kërkimi të ideve, të botës së ideve, të ngjarjeve historike dhe lexova pastaj sigurisht shumë më tepër autorë të tjerë dhe aty kuptova edhe çfarë ka qenë e shkuara e Shqipërisë, por edhe çfarë ka qenë, 200 vjet të shkuara në një farë mënyre tradita e së majtës dhe çfarë është sot fundja për shembull, për të hyrë pastaj prapë tek referencat ideologjike siç është autori Slavoj Žižek, një filozof slloven i cili për vitin 2011 madje ka shkruar një libër që e titullon “Viti i të menduarit të rrezikshëm”, sepse 2011-ta në një farë mënyre ishte manifestimi politik nga ana e së majtës i asaj që kishte në ndodhur në vitin 2008. 2011 njëkohësisht përkon edhe me ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri, pra ngjarje tronditëse për të gjithë ne dhe ka qenë pikërisht këto ngjarje që themeluan Lëvizjen Bashkë që në atë kohë quhej “Organizata politike”. Disa prej nesh rastësisht u ndodhëm në atë protestë sigurisht nuk patëm dëmtime. Megjithatë ngjarja në vetvete na shokoi dhe na krijoi nevojën për të diskutuar se çfarë mund të bëjmë nga kjo dhe të tilla ngjarje tronditëse pra kanë ndikuar që t’i hyjmë dhe të kuptojmë më mirë se çfarë duhet se çfarë i nevojitet shoqërisë shqiptare.

-Çfarë ndodhi me ty pas Anglisë? U riktheve?

-Pas Anglisë për hir të së vërtetës ishte shumë më e vështirë për shkak të krizës që të gjeja një vend pune aty. Sigurisht unë isha dhe me pasaportë shqiptare. Nuk qenë këto mundësitë e vizës së punës e me radhë dhe pas disa tentativash vendosa të rikthehem në Shqipëri, por gjithmonë me idenë që përkohësisht gjithmonë që do rri këtu pak kohë dhe do vazhdoj të kërkoj punë andej.

Megjithatë për fat të mirë ë pata një eksperiencë të mirë le të themi profesionale, pata fatin e madh të hyja në botën akademike. Domethënë një botë të cilën unë s’e kisha imagjinuar kurrë se do merresha ndonjëherë. Kam nisur në vitin 2011, pra nisa si pedagog i brendshëm.

-Si ishte auditori shqiptar?

-Sigurisht kishte dallime shumë të mëdha me eksperiencën time, dallime të cilat unë u përpoqa t’i sheshoja duke u përpjekur për të sjellë këtu atë modelin e pedagogëve të mi, qoftë edhe në rreptësinë e vlerësimit të studentit, por dhe në punën që bënin dhe në ndihmën që u jepnin studentit.

-Pra, je një pedagog i rreptë?

-Jo, jo i rreptë për t’i rënë në qafë të tjerëve, por është parimi i punës. Pra duhet meritokracia në fund të ditës, pra dhe çdo student duhet të arrijë maksimumin e potencialit të vetë. Pra përndryshe për çfarë vlen vlerësimi i tyre dhe që të arrijë potencialin duhet ndikimi maksimal dhe përkushtimi i pedagogut. Këto janë dy gjëra shkojnë paralelisht. Pra në qoftë se unë përkushtohem maksimalisht, atëherë pres që edhe ti të ta meritosh.

-A përkushtoheshin edhe studentët njësoj si ty?

-Po jo të gjithë njësoj. Megjithatë ajo që mund të them unë është që studentët në atë kohë ishin shumë më shumë në numër se ç’janë sot dhe kjo rënia dhe ndryshimi demografik, sjellë zbrazjen e sallave universitare e ka ndikuar shumë edhe nga tjetër edhe ligji “Për arsimin e lartë” që u miratua në 2015-ën mos gaboj bazohej tek financimi i universitetit përmes tarifave të studentëve. Atëhere sot që s’ka më student, universiteti ka rënë në kolaps të thuash. Kjo ka bërë uljen, tkurrjen drastike të numrit të tyre dhe detyrimisht edhe cilësinë e studentëve.

-E ndërkohë që jepje mësim dhe shikoje si ishte arsimi, si e mbushje kohën tënde, domethënë me çfarë aktivitetesh, me protesta, se dua të di se me çfarë je marrë ti gjatë këtyre viteve?

-Për hir të së vërtetës puna ime në universitet më jepte një farë mundësie dhe një farë kohe të lirë edhe që të angazhohesha politikisht në këtë grupimin që ne formuam pas 2011-ës, pra qoftë me protesta të ndryshme sidomos me kauzën studentore, por edhe me çështje të tjera që kishin të bënin me rritjen e sindikatave të punëtorëve me kauza të ndryshme sociale dhe nga ana tjetër edhe më jepej herë pas here mundësia që të zhvilloja edhe hobit e mia ose pasionet e mia një prej të cilave është edhe alpinizmi ose ngjitja dhe që ka bërë për hirë së vërtetës që unë dashur pa dashur të lë pas dore një farë mënyre profesionin, megjithatë unë nuk jam bërë pishman jo thjesht se jam deputet sot po sepse ka qenë një periudhë formuese për mua pra dhe që i ka dhënë kuptim edhe qëndrimit tim në Shqipëri.

-Brenda Lëvizjes Bashkë është aktivizuar dhe motra juaj Stela? Jam shumë kurioze të di sepse ka qenë qenë kandidate për Gjirokastrën.

-Stela është motra ime e vogël dhe kam shumë xhan dhe siç ndodh ndoshta shpesh me vëllezërit ose motrat më të vogjël besoj që dhe unë dashur pa dashur e kam influencuar disi sepse ajo në fakt që në momentin që shkoi në Francë në Paris për të bërë studimet e larta u angazhua politikisht me çështjet e banesës me kauza sociale pra që kishin të bënin me urbanistikën me banesën sociale

-Për çfarë vitesh bëhet fjalë? Pra paralelisht kur ti ishe në Britani?

-Jo jo më vonë, më vonë. Pra kemi diferencë prej shtatë vitesh me të. Kështu që ajo shkoi më vonë në dhe gjithë këtë aktivizim të saj në kauzat sociale pastaj detyrimisht sa herë vinte në Shqipëri u përfshi dhe në gjërat që përfshiheshim ne në mënyrë periodike. Në Francë ajo u diplomua në Arkitekturë. Më pas zhvilloi një master në Urbanistikë, pastaj një master tjetër në Shkencat Sociale dhe tani është duke bërë doktoraturën në Paris ku tema e saj është “Zhvillimi urban i Tiranës pas viteve ’90-të”. Pra është një lloj vështrimi pas në atë që ka ndodhur me urbanizimin në Tiranë. Kur erdhi puna për të hartuar listat e kandidatëve kishte një proces në të cilin ne të gjithë votuam se se si do hartoheshin listat ajo do të jepte kontributin e saj në qytetin tonë të lindjes, pra që është Gjirokastra dhe u vendos e dyta në listë, pra në listën e hapur, në Gjirokastër sepse të parin në listë kishim djalë të shkëlqyer Klevis Bedaj i cili jeton në Gjirokastër dhe rrjedhimisht atij i takonte të ishte.

Partnerja e tij pjesë e Lëvizjes Bashkë

“Jemi i njohur aty. Ndoshta kjo tregon edhe se sa të përkushtuar jemi, se sa e rëndësishme është për mua Lëvizja Bashkë sepse detyrisht edhe partneren që zgjedh dua që të jemi bashkëluftëtarë le të themi në përpjekjen që jemi duke bërë për të njëjtat kauza.

-Debatoni?

-Sigurisht, pa dyshim. Po shpesh herë është edhe mënyra e organizimit, gjërat që duhen bërë ndryshe në Lëvizjen Bashkë duket se si u qasemi njerëzve, si i përfshijmë se sa i përkushtohemi punës që bëjmë e me radhë. Vajzat kanë një aftësi më të mirë për t’iu qasur njerëzve, për të folur me njerëzit, për t’i bërë bashkë.

-Tani në daljet e tua në kuvend të kritikon partnerja?

-Po ndonjëherë, pa dyshim kritika për mënyrën e veshjes ose për rëndësinë që i kushtoi paraqitjes time ndonjëherë që unë s’ kam me shumë vëmendjen shumë aty dhe thotë që tani përderisa del aty duhet se shqiptarët janë shumë popull me fokus të estetikja të habitshëm.

Kush është Arlind Qori sipas Redi Muçit

“Unë Arlindin thashë e njoh që nga ngjarjet e 21 janarit, me një fjalë pothuajse prej 15 vitesh dhe në kjo që do them mund të interpretohet dhe si një dozë patetizmi ndoshta, por është sinqerisht ajo që unë mendoj. Unë Arlindin për këto 15 vite që e njoh, e konsideroj si njeri të rrallë për kontekstin shqiptar. Të veçantë atë nuk e bën as karizma në retorikë sepse ka plot politikanë që kanë retorikë të mire, as intuita politike se ka plot të tjerë që e kanë këtë intuitë, po besoj se të veçantë atë e bën integriteti. Ai ia ka përkushtuar jetën parimeve dhe ideve të tij dhe kur një njeri mishëron idetë e tij, besoj se është një njeri që si të thuash tërheq me vete dhe një lëvizje. Po është modeli që të bën për vete tani kur them idetë e tij, idetë që të gjithë ne Lëvizjen Bashkë besojmë se janë të duhurat për shoqërinë shqiptare.

-Mund të na rezultoni edhe ju si PD-ja, domethënë me një lider që vendos gjithçka apo jo? Janë ndryshe dinamikat e ju?

-Janë shumë ndryshe, po ta kam fjalën këtu që një

njeri i cili thashë i mishëron idetë e tij që ne besojmë se janë idetë e duhura për shoqërinë se dikush mund të ketë ide edhe për të kolonizuar Marsin. Megjithatë ai kthehet në kult atëhere. Është një njeri i cili rrallëkund mund të gjendet në shoqërinë shqiptare për ta thënë kështu. Kështu që marrëdhënia ime me të është marrëdhënia në një farë mënyre me një shok timin me të cilin kemi bërë një rrugëtim politik, angazhimi politik, jo detyrimisht

elektoral, por ama angazhimi në kauza të cilat ne i konsiderojmë të drejta dhe që ta thashë në fillim të bisedës tonë për mua ka qenë një faktor jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm që më ka mbajtur në vend dhe i ka dhënë kuptim jetës time me pak fjalë angazhimi politik krah Arlindit dhe shumëkujt tjetër djem dhe vajzave në Lëvizjen Bashkë kështu që unë e konsideroj njeri me integritet dhe njeriun e duhur  për transformime rrënjësore në Shqipëri.

-Do kandidojë për Bashkinë e Tiranës. E keni vendosur?

-Ai doli si kandidat në zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbaheshin, por që për shkak të dinamikave…në 2027-n pastaj nuk e di, të presim se nuk e them dot unë sepse nuk është vendim as i imi as i Arlindit në qoftë se do kandidosh. Për të ardhur tek mënyra se si dola unë në listë. Arlindi propozoi këtë gjë në ato këshillat tona që të mos ishte ai i pari që garonte në listën për zgjedhjet e fundit, por të ishte diku më poshtë në listë dhe në varësi të mundësisë për të nxjerrë deputetë që ne perceptonim para zgjedhjeve, ai tha “Mund të jem i treti a i katërti në listë. Pra, në qoftë se ne do fusim katër

deputetë, unë do jemi i katërti. Duke qenë unë figura qëndrore”,- thoshte ai, -që e njeh opinionin publik, duke votuar Lëvizjen Bashkë, le të themi falë meje, do tërheqë me vete edhe të tjerë”.

-Të njëjtën strategji që ka përdorur dhe Rama në listat e deputetëve ku ka dalë për shembull mos gaboj në Vlorë i teti.

-Nuk është e njëjta strategji sepse Rama i teti në Vlorë është i sigurt që do të hyjë deputetë sepse në Vlorë nuk e di sa deputetë hyjnë tani fiks. Qori nuk ishte te lista e sigurt, e dëshmoi rezultati i zgjedhjeve se Qori nuk u fut dot në kuvend pavarsisht se u vendos i dyti pas pra kishit parashikuar këtë që mund të duk madje madje pati një debat shumë të gjerë se në ç’ pozicion do kandidonte Qori sepse Qori thoshte mund të jem i treti, mund të jem i katërti. Të gjithë ne thoshim që nuk duhet ta rrezikojmë tani me këtë si strategji politike, por ti duhet të jesh të paktën i dyti dhe në fund për këtë gjë u votua.

Ne kemi një këshill koordinues të përbërë nga 56 anëtarë mos gaboj dhe u hodh në votë. Jemi të rinj aty kryesisht. Jemi kryesisht nuk e di tani të rinj do thoja unë po njerëz të profesioneve të ndryshme dhe në moshë profesionesh si të thuash. Kemi më pak studentë nga ç kishim dikur sepse jemi rritur tashmë, kështu që kemi edhe përfaqësues nga pensionistët, sepse dhe me pensionistët jemi angazhuar dhe i kemi përfshirë brenda strukturave tona. Ë kështu që ka një amalgamë njerëzish.

-Çfarë tha Arlindi kur doli i katërti?

-Jo, Arlindi u votua që të ishte i dyti në listë dhe rezultoi të ishte i dyti. Arlind asgjë, pranoi vendimin e votës së Këshillit Koordinues të Lëvizjes Bashkë. Ashtu si kundër unë që të isha i pari në listë konkurrova me anëtarë të tjerë të Lëvizjes Bashkë. U votua që këtë radhë të ma linin mua. Detyrimisht unë dola i pari në listë.

-Pra votohet brenda Lëvizjes Bashkë?

-Sigurisht. Dhe kjo ka qenë një ndër gjërat më të rëndësishme edhe të organizimit tonë. Pra, sepse që në ngjizjen tonë, le të themi, demokracia e brendshme ka qenë demokracia jo vetëm në debate, në diskutime që shpesh na zë ora 2:00 e natës duke u zënë me njëri-tjetrin, se s’bihem dakort, por që në fund çdo debat, çdo diskutim zgjidhet nëpërmjet votës. Vota është ajo që përcakton pastaj se çfarë linje do ndiqet. Dhe kjo ka qenë karakteristike e jona të cilën e kemi shumë të vyer dhe duham ta mbajmë dhe ky duhet të jetë modeli i funksionimit të çdo të çdo partie politike mendoj unë dhe falë kësaj mënyre ne besojmë tek reformat që propozuam pak më parë sepse ne besojmë që nëpërmjet përfshirjes së njerëzve në mënyrë aktive në ndarje opinionesh, në përballje diskutimesh dhe debatesh, ti mund të ecësh përpara, mund të marrësh angazhimin e shumëkujt drejt një kauze të përbashkët.

-Po si karaktere si jeni ju të dy? Ti dhe Arlindi jeni të ngjashëm, jeni të kundërt? Se do duhet të kesh edhe atë kiminë e duhur të punosh me bashkëpunëtorët?

-Arlindi është si ta them kështu jo fort social, pa thënë që është asocial, megjithatë nuk është tip shumë social është më tepër njeri që studion shumë, punon shumë, përkushtohet, nuk është natyrë individualiste, absolutisht jo individualist, natyrisht përvojat të bën dhe selektiv patjetër edhe kjo mund të jetë detyrimisht që të bën edhe ta kursesh energjinë dhe ta çosh aty ku duhet, po nga ana tjetër më duket se edhe në qasjen tone Arlindi është një njeri që mënyrën e të shprehurit të vet e ka në mënyrë shumë më përplasëse, më potente, më drejtpërdrejt, me një intonacion shumë më të egër.

-Perceptimi për ty është që je natyrë pak më e shtruar.

-Përpiqem më tepër të jap argumentin në mënyrë më të qetë ose ta marr një çik këtë përballjen me kundërshtari në televizione më tepër me ironi sesa me kundërvënie duke ngritur zërin. Është natyra e njeriut kjo nuk ka të bëjë me ndonjë strategji. Ka plot që më komentojnë dhe më thonë që ti duhet të jesh një çikë më agresiv dhe ka plot të tjerë që më thonë: “Mos e ndrysho këtë se e ke mirë sepse ka dhe modele të mira kështu”, kështu që shpresoj se edhe në këtë dallim që kemi në qasjen tonë sikur balancojmë njëri-tjetrin në një farë mënyre.

-Sa konsultohesh me Arlindin për daljet e tua në kuvend, në komisione? Si e keni të organizuar? Se patjetër duhet të ketë një konsult brenda partisë apo jo? Po sidomos me Arlindin në këtë rast.

-Sigurisht, ne kemi mbledhje dy herë në javë të sekretariatit të Lëvizjes Bashkë. Sekretariati përbëhet nga nëntë anëtarë ku përfshihet dhe Arlindi dhe unë të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme të kongresit që kemi në fund të dhjetorit. Diskutojmë për çdo lloj dileme që kemi, po unë as me Arlindin dhe as me sekretariatin nuk konsultohem posaçërisht për çdo projektligj që duhet ta ngrej dhe ta debatoj sepse për këtë gjë është krijuar një grup tjetër brenda Lëvizjes Bashkë, një grup i përbërë prej ekspertësh profesionistë të fushave të ndryshme, juristë, ekonomistë, inxhinierë e me radhë, të cilët na konsultojnë nga pikëpamja teknike më shumë. Me sekretariatin dhe me Arlindin, në këtë rast, mund të diskutojmë më tepër nga qasja politike se çfarë qëndrimi duhet mbajtur.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10