
Forumi për Dialog Politik nuk ka mundur të mbledhë bashkë opozitën e madhe. Në tryezën e parë, kanë refuzuar të rrinë krah PD-së, Partia Mundësia e Agron Shehajt, Lëvizja Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit. Kryesuesi i Forumit, politologu Ermal Hasimja deklaroi se vijojnë negociatat me Lapajn edhe pse ai paraprakisht pranoi ftesën, ndërsa Shehaj dhe Qori e kanë bërë të qartë që në fillim mospraninë. Pas takimit Hasimja ka deklaruar se : “Kemi diskutuar vazhdimisht, i takojmë dhe nuk shohim ndonjë arsye që Shqipëria Bëhet të mos pjesë pjesë e kësaj tryeze”.

Palët kanë rënë dakort që në protestën e datës 20 shkurt të paralajmëruar nga PD-ja do jenë edhe aleatët e saj besnikë me një qëndrim të unifikuar për Kodin Zgjedhor dhe drejtësinë e re. Hasimja njoftoi se është rënë dakord për të qenë kundër çdo ndryshimi ligjor që kërkon të godasë drejtësinë dhe ta paaftësojë atë. “Ramë dakord edhe për një drejtësi kushtetuese. Kemi gjithashtu edhe një qëndrim të unifikuar për Kodin Zgjedhor. Një pikë tjetër e rëndësishme është çështja e kërkesës për një qeveri tranzitore që të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”,- u shpreh ai. Nga PD, si partia më e madhe e opozitës në tryezë ishte i pranishëm nënkryetari Luçiano Boçin, i cili respektoi kërkesën e mëparshme të Lapajt që do ishte i pranishëm nëse shmangeshin liderët. Boçi tha se: “Qëllimi është i njëjtë, por duhet të unifikojmë edhe rrugën”.

Vetë Forumi bëri të ditur se janë pajtuar për disa pika si:
1. Kundërshtimi i synimit të Partisë Socialiste për të ndryshuar ligjet që do të pamundësonin goditjen e drejtësisë ndaj qeverisë së tij.
2. Mbështetjen e një drejtësie kushtetuese që godet korrupsionin dhe krimin e organizuar, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve më të mira perëndimore.
3. Paraqitjen e një propozimi të unifikuar për Kodin e Ri Zgjedhor në Komisionin përkatës parlamentar me qëllimin e një përfaqësimi sa më të drejtë të shqiptarëve.
4. Kërkesën e përbashkët për një qeveri kujdestare ose tranzitore e cila do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme duke parandaluar të gjithë shkeljet e konstatuara edhe nga OSBE-ODIHR-i.
5. Angazhimin e përbashkët për protesta të vazhdueshme e gjithëpërfshirëse deri në realizimin e këtyre kërkesave.

Në tryezë ishin përfaqësues nga Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia e Legalitetit, Partia e Lirisë, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Fryma e Re Demokratike, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, PBDNJ, Partia Balli Kombëtar, LZHK si edhe Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë. Forumi ka njoftuar se do mblidhet sërish në ditët e ardhshme për platformën e një qeverisjeje më të mirë dhe përkufizimin e termave konkretë që do të dalin nga parimet bazë të miratuara në takimin e parë.


