
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord për Reformën Zgjedhore.
Të mërkurën e 24 Korrikut u mbajt mbledhja në Komisionin e Ligjeve ku palët kanë diskutuar mbi draftin e kodit zgjedhor. Të dyja partitë ranë dakord jo për hapje të plotë të listave. Por vetëm për hapje të pjesshme. Në draft thuhet se dy të tretat e listës së deputetëve të jetë e hapur dhe vetëm një të tretat të jetë ekskluzivitet i kryetarit të partisë. Por si do përkthehet kjo realisht në mandate? Do e diskutojmë më poshtë.
Palët po ashtu kanë diskutuar dhe arritur në një marrëveshje dhe për votën e emigrantëve.
Çfarë u vendos në Reformën Zgjedhore
Vetëm një e treta e listës së kandidatëve do të përcaktohet nga kryetari i partisë, ndërsa pjesa më e madhe e listës do të jetë e hapur, ku kandidatët për deputetë do të garojnë mes njëri-tjetrit për të fituar mandatet.
Kështu, për herë të parë do të aplikohet varianti i një liste, ku pjesa e parë e saj janë emrat e fiksuar dhe pjesa tjetër e emrave janë ata që do të “luftojnë” me njëri-tjetrin për votat personale, për të marrë një vend në Parlament.
Kështu, nëse marrim si shembull Qarkun e Tiranës ku janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të fiksuar (duke hamendësuar se një parti do marrë 12 mandatet). Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen.
Nëpërmjet draftit të ri ama ka dhe një ndryshim, pasi nuk do të jetë më “favori” që kryetarët e kishin në zgjedhjet e kaluara, këtë radhë ata do të kandidojnë vetëm për 1 qark. Pra, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021 kur kryeministri Edi Rama kandidoi në Vlorë dhe Durrës, apo Monika Kryemadhi kandidoi në qarkun Tiranë dhe Fier, kjo nuk do të zbatohet më.
Vota e diasporës
Sipas draftit përfundimtar, regjistrimi elektronik i emigrantëve që janë jashtë por duan të votojnë nga atje, pa ardhur në Shqipëri, do të realizohet nga KQZ-ja dhe do të ketë një regjistër të veçantë për ta që do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhje.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.”- thuhet në projektligjin e propozuar për të cilën palët kanë rënë dakord.
Procesi i hartimit të listës do të fillojë 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date.
Zgjedhësi paraqet dokumentacion që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Votimi do të bëhet përmes postës, nga ku KQZ do të dërgojë fletën e votimit në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit dhe më pas votuesi e dërgon të plotësuar dhe të sekretuar në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me kostot e zgjedhësit.
Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së.

Reagimet nga politikanët mbi marrëveshjen
Edhe pse palët arritën në një dakordësi mbi marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, përsëri pati reagime dhe pakënaqësi.
Lulzim Basha, Kreu i Demokratëve Euroatlantikë ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook duke e cilësuar marrëveshjen për Refomën Zgjedhore si një pazar i radhës mes Edi Ramës dhe Sali Berishës për mbylljen e listave.
“Keni parë në këto orë të flitet për gjasmë negociata për Reformën Zgjedhore. Në fakt janë fasada e një pazari të mbyllur muaj më parë, ku Rama dhe Berisha janë bërë bashkë kundër interesit të qytetarëve. Ata sabotuan Komisionin e Reformës Zgjedhore bashkarisht, sepse nuk duan t’i fuqizojnë qytetarët duke i dhënë forcë votës së tyre, por duan t’i trajtojnë si dele.”-shkruan ai në postimin e tij.
Gjithashtu ka reaguar dhe Gazment Bardhi, Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike i cili shprehet se propozimi i PD-së vijon të jetë që të ketë listat të hapura.
Sipas tij përfaqësuesit e PD-së po eksplorojnë mundësinë për të hapur në maksimum listat e kandidatëve për deputetët.
“Propozimi dhe qëndrimi i kolegeve ka qenë që listat duhet të jenë të hapura. Propozimi vijon të mbajë të njëjtën situatë… që listat janë të mbyllura, vetëm në rastet kur thyhet herësi mund të ketë votë parapëlqyese. Ajo që kanë bërë përfaqësuesit tanë ka qenë të eksplorojmë mundësinë për të hapur në maksimum listat e kandidatëve për deputetët. Kërkohet një shumicë e cilësuar në Kuvend”.– tha ai në daljen e tij për mediat pas marrëveshjes në Reformën Zgjedhore.
Ndërsa Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Bledi Çuçi, deklaroi se ka një konsensus për votën e emigrantëve, ndërsa vijojnë negociatat për herësin e votave për shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Gjithashtu ai thekosoi se vendimi për heqjen e koalicioneve parazgjedhore nuk do të preket.
Gjatë mbledhjes të gjithë deputetët votuan pro, përveç Enkelejd Alibeajt, i cili tha se ishte një votë kundër pazarit PD-PS.
“Nuk ishte votë kundër diasporës, por kundër pazarit tuaj, se doni ta konsideroni kavie eksperimentale diasporën, është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet.”-tha ai.
Sipas Alibeajt, ndryshe nga herët e tjera vërtet nuk po bëhet një reformë zgjedhore e minutës së fundit, me një pazar të bërë natën, fshehtas, por po thyhet rekordi duke i dhënë në tavolinë mandatin e katërt Edi Ramës.
Avokati Besart Logu nga ana tjetër, ka zbërthyer numrat e marrëveshjes PS-PD për Reformën Zgjedhore, duke thënë se vërtet marrëveshja u shit sikur solli hapjen e listave, por në të vërtetë nuk ka ndryshuar asgjë.
Sipas avokatit, PD mbyllet më shumë se PS dhe bën dhe një përkthim në mandatë të kësaj marrëveshje (lexo këtu).
“U shit sikur u hapën listat duke mbyllur vetëm 1/3. E vërteta është se pothuaj nuk ka ndryshuar asgjë. Nëse do ta vendosim këtë formulë mbi rezultatin e 2021, rezulton se PD është mbyllur më shumë se PS. Duke marrë në konsideratë edhe kontekstin politik në të cilën ndodhet sot PD, mbyllja thellohet edhe më shumë. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të shtrënguar rradhët pas Berishës! Urime Oerdi!”-tha Logu.
Duke marrë si shembull qarkun e Tiranës, Logu tregon se nga 36 mandate që ka gjithsej ky qark do të mbyllen 12 të parat. Në Durrës, nga 14 mandate, mbyllen 5 të parat.


