
Auron Tare një nga ndjekësit e kujdesshëm të ngjarjeve në Shqipëri i ftuar në podkastin e Gogo.al me gazetaren Valmora Gogo, ka treguar impresionet e gazetarëve të huaj mbi protestën e zhvilluar në Shqipëri. “Kjo e flamingove i ka çuditur shumë. Nuk e prisnin që një rini dhe një vend të kishte këtë lloj shpërthimi për çështje kaq elitare do të thosha unë, se edhe në Amerikë nuk proteston njeri për flamingo. Ata protestojnë për armë, për mbajtjen e armëve për shembull”, thotë ai. Tare shprehet se Rama ka patur të drejtë kur më herët ka thënë se mediat e huaja i bënë jehonë protestës për shkak se në këtë mes është dhëndrri i presidentit amerikane Donald Trump, Jared Kushner.
“Të jemi realistë dhe aty Rama ka të drejtë kur thotë që media erdhi sepse ishte emri sigurisht i Kushnerit”, shton ai. Tare kujton se për aeroportin nuk foli njeri. Sipas tij jehona e lajmit në mediat e huaja ishte në favorin tonë pasi çështja u fut në agjendat ndërkombëtare.
Duke analizuar publikimet e mediave të huaja për protestën në Shqipëri, ai thotë se janë bërë gabime në koncept. “Ajo e Kokomesë për shembull që e interpretuan sikur ishte Sazani ishte gabim. Po kështu dhe Sazanin e kanë gabim sepse nuk e njohin. Për shembull unë personalisht e kam thënë gjithmonë po e them edhe te juve që Sazani në qoftë se bëhet kështu në këtë konceptin që ne kemi bërë atëherë me francezët, do ishte një mrekulli. Pastaj do investonte Kushneri, do investonte një kinez, një japonez apo do investonte një shqiptar kjo pak rëndësi ka. Ka rëndësi koncepti”.
Sipas konceptit të tij me investimet e planifikuara në Sazan fondet do ngeleshin përsëri te populli. “Se ti menaxher je, sot menaxhon këtë gjë, nesër ikën, vjen një menaxher tjetër. Ti s’mund t’i bësh këto në avantazh të investitorit, do t’i bësh në avantazh popullit tend”, vëren Tare.
Tare kritikon ndërhyrjen në Zvërnec. Sipas tij dhunimi i zonës është arrogancë. “Shiko edhe në Zvërnec për hir të vërtetës ajo që mua më ka habitur është dritëshkurtësia dhe arroganca e qeverisë dhe kryeministrit vetë, do të thosha që e bëri këtë me Zvërnecën sepse Zvërneci është zonë e mbrojtur dhe ti mund ta ruash atë pjesë e të zhvillosh përqark dhe gjithë zhvillimi të marrë një aset shumë më të rëndësishëm sepse ti ke një zonë të ruajtur ngjitur. Pra është një kryevepër”, thotë ai.

PROTESTA SIPAS AURON TARES…
“Ndërkohë në protestë u bënë bashkë disa halle të tjera se nuk ishte vetëm Zvërneci, të jemi përsëri të ndershëm vetëm një pjesë e vogël aty e njerëzve kuptojnë rëndësinë e Zvërnecit”, Auron Tare rendit arsyet që kanë nxjerrë qytetarët për më shumë se 55 ditë në rrugët e Tiranës e të botës kudo ku ka shqiptarë. “Aty ka njerëz të cilët kanë halle të tjera, kanë hallin e spitalit, kanë hallin e pensionit, kanë hallin e emigracionit, kanë hallin e fshatit. Ka shumë shumë halle dhe këto halle atje ku tregojnë që këto 13 vjet shteti nuk ka bërë absolutisht asgjë për t’u zgjidhur”.
A mendon Tare se u zgjua kombi nga këto protesta? Ai vlerëson frymën e të rinjve në një organizim që nuk kishte ndodhur në këto 100 vite. Në argumentin e tij nëse gjatë verës numrat e pjesëmarrësve do bien, njerëzit do kenë halle të tjera, por zemërimi është aty. “Pra në qoftë se dikush nuk doli në bulevard sonte, nuk do të thotë që nuk është i zemëruar. Nuk do të thotë që është dakort. Nuk do të thotë aty ka lloj-lloj interesash, ka lloj-lloj ekstremesh, nuk diskutohet. Dhe prandaj dhe dhe sheshi apo agoraja e famshme antike këtë ka. Në agorana antike shkonin edhe të mençurit, shkonte dhe Sokrati, po shkonte dhe budallai i qytetit. Shkonin të gjithë në Agora dhe aty ishte liria, prandaj quhet demokraci, sepse të gjithë ishin të lirë të dilnin në shesh e të thonin fjalën e tyre dhe pastaj sheshi vendoste”.


