Andy Burnham mori detyrën të hënën si kryeministri i ri i Britanisë, duke premtuar një plan 10-vjeçar për të rikthyer stabilitetin politik dhe për të rimëkëmbur ekonominë, ndërsa pranoi se gjashtë liderë të tjerë britanikë kanë dështuar ta bëjnë këtë gjatë dekadës së fundit.

Gjatë fjalimit jashtë rezidencës në “10 Downing St.”, vetëm pak minuta pas emërimit zyrtar nga Mbreti Charles III, Burnham u zotua të lehtësojë koston e jetesës për njerëzit e thjeshtë, të decentralizojë pushtetin politik, të ringjallë industrinë dhe t’i japë fund fenomenit të të pastrehëve që flenë rrugëve. Ai tha se do të sillte një “kthesë rrënjësore” për një sistem që ka marrë drejtimin e gabuar që nga vitet 1980, kohë kur shërbimet publike dhe ndërmarrjet shtetërore u privatizuan dhe pushteti lokal u dobësua.

“Ne do ta largojmë pushtetin nga këtu dhe do ta shtrijmë atë në çdo cep të vendit, në mënyrë që njerëzit të kenë më shumë mundësi në dorë. Dhe përmes kësaj, të ndërtojmë një ekonomi të re ku shërbimet jetike do t’i rikthehen një kontrolli më të fortë publik, me qëllim që ato të bëhen përsëri të përballueshme për xhepin tuaj,” tha ai.

Burnham u shpreh se ishte “plotësisht koshient” për faktin se po hynte në një zyrë ku kryeministrat kanë ndërruar vendet me shpejtësi marramendëse gjatë viteve të fundit.

“Ky është një moment reflektimi dhe vendosmërie të re,” tha ai. “Kjo kërkon që politikanët e brezit tim të rrisin nivelin e tyre dhe t’i përgjigjen kësaj sfide të re. Britania duhet t’i tregojë botës se ne mund ta rifitojmë stabilitetin tonë dhe sfida jonë është ta bëjmë politikën të funksionojë, dhe madje të funksionojë edhe më mirë.”

Një nga detyrat më të mëdha të Burnham-it në ditën e tij të parë ishte emërimi i Kabinetit Ministror. Posti kyç i Kancelarit të Arkës (Ministrit të Financave) i kaloi John Healey-t, ish-ministrit të Mbrojtjes, i cili dha dorëheqjen nga qeveria e mëparshme disa javë më parë për shkak të planeve të financimit për departamentin e tij. Emërimi i tij në krye të Thesarit ishte një surprizë.

Healey zëvendëson Rachel Reeves-in, e cila ishte arkitektja e pjesës më të madhe të agjendës ekonomike të paraardhësit të Burnham-it, Keir Starmer, si dhe autore e disa prej hapave të gabuar që çuan në rënien e mbështetjes ndaj tij. Ndër të larguarit e tjerë nga Kabineti ishte edhe David Lammy, i cili mbante postin e zëvendëskryeministrit.

Ministrit të Energjisë, Ed Miliband, iu besua roli i Ministrit të Jashtëm. Ai zëvendëson Yvette Cooper-in, e cila ende nuk është emëruar në ndonjë post të ri. Ndërkohë, Shabana Mahmood mbetet në detyrën e Ministres së Brendshme.

Emërime të tjera pritej të bëheshin publike gjatë mbrëmjes, përpara se Kabineti i plotë të mblidhet ditën e martë.

Partia ndryshoi liderët në mes të mandatit

Burnham u bë kryeministri i shtatë i Britanisë që nga viti 2016, në një proces dorëzimi detyre që tashmë ngjan i mirëskenuar, pasi zëvendësoi Starmer-in të premten si lider i Partisë Laburiste të qendrës së majtë, e cila është aktualisht në pushtet. Starmer njoftoi muajin e kaluar se do të jepte dorëheqjen.

Starmer u largua nga zyra vetëm dy vjet pasi korri një fitore të thellë në zgjedhje, i detyruar nga vetë partia e tij pas një sërë hapash të gabuar dhe kthesash të papritura në qëndrime.

Demokracia parlamentare e Britanisë u lejon partive në pushtet të ndryshojnë liderët e tyre, e për rrjedhojë edhe kryeministrat, pa pasur nevojë për zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Zgjedhjet e ardhshme kombëtare nuk është e thënë të mbahen deri në vitin 2029, ndonëse Burnham mund t’i shpallë ato më herët nëse dëshiron.

Burnham ishte kandidati i vetëm në garën për t’u bërë lideri i ri i partisë, duke siguruar mbështetjen e 379 nga 403 deputetët laburistë në Dhomën e Komuneve.

Ai do të përballet me shumë nga të njëjtat sfida si paraardhësi i tij: një ekonomi e plogësht, kriza e kostos së jetesës, shërbime publike të mbingarkuara, shqetësime rreth emigracionit dhe çështje të politikës së jashtme, ku përfshihen luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Ai gjithashtu do të përpiqet të menaxhojë marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump, i cili fillimisht pati një afri me Starmer-in, por më pas i ftohu marrëdhëniet me të. Zyra e Burnham-it njoftoi se kryeministri bisedoi me Trump-in të hënën pasdite dhe “nënvizoi përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes dhe sigurisë.”

Lideri i ri premton një stil të ri politike

Ish-kryebashkiaku i Mançesterit të Madh (Greater Manchester) ka premtuar më parë se do ta bëjë politikën “më pak toksike”, do të përmirësojë standardet e jetesës në mbarë vendin dhe do të “rikthejë shpresën që na ka munguar të gjithëve”.

Burnham tha se do të paraqesë një plan 10-vjeçar për Britaninë më vonë gjatë këtij viti. Përpara kësaj, ai do të shpalosë hapat e parë “për t’u dhënë njerëzve pak frymëmarrje tani, duke i ndihmuar me koston e jetesës”.

“Dhe unë do të shpalos disa nga këto masa duke filluar që nga nesërmja, duke përfshirë edhe mënyrën se si do t’i financojmë ato,” tha ai.

Pas fjalimit të tij, ai u tha gazetarëve se “ka ndjekur gjithmonë një qasje shumë të matur” ndaj ekonomisë në postet e tij të mëparshme dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë rrezik ekonomik tani.

Tim Bale, profesor politike në Universitetin “Queen Mary” të Londrës, tha se laburistët e kishin mbështetur Burnham-in “për të injektuar një ndjesi pozitiviteti, shprese, qëllimi dhe një qasje të qartë drejtimi”.

“Burnham thotë se ai do të shënojë një shkëputje të madhe, jo vetëm nga Keir Starmer, por edhe nga ajo që ai e konsideron si katër dekada të marrjes së drejtimit të gabuar nga vendi,” tha Bale. “Por se çfarë do të thotë saktësisht kjo në terma të politikave konkrete, sa do të shpenzojë e për çfarë, dhe sa do të taksojë… për këto nuk jemi ende të sigurt.”

Starmer largohet para kohe, por thotë se misioni i tij u përmbush

Në botën me ritme marramendëse të tranzicioneve politike britanike, Burnham hyri në Downing Street vetëm pak minuta pasi Starmer u largua.

“Largohem me shpirt të qetë. Largohem me buzëqeshje dhe ndihem krenar për gjithçka që kemi arritur,” tha Starmer përpara se të nisej drejt Pallatit Buckingham për t’i paraqitur dorëheqjen mbretit. Ishte një dorëheqje që mbreti “pati kënaqësinë ta pranonte me mirësjellje,” thuhej në një deklaratë të pallatit mbretëror.

Starmer u bë lideri i laburistëve në vitin 2020, pas një prej humbjeve më të thella elektorale të partisë, dhe katër vjet më vonë ai e udhëhoqi atë drejt një fitoreje plebishitare. Megjithatë, shumë shpejt ai u thye nga sfidat e të qeverisurit.

“Ka qenë privilegji i jetës sime t’ju shërbeja juve dhe këtij vendi të mrekullueshëm si kryeministër,” tha Starmer përpara se të largohej nga Downing Street, dorë për dore me bashkëshorten e tij, Victoria. “Jam plotësisht i bindur se Britania tani është më e fortë dhe më e drejtë nga sa ishte dy vjet më parë.”

Ky shkrim është pronësi intelektual e Associated Press News


LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7