
“Dilni votoni, pas katër vitesh s’do duhet ta bëni më”- Kjo deklaratë e Donald Trumpit muajin e kaluar i ka ndarë amerikanët në dy grupe. Kritikët e tij mendojnë se ai ka në plan të cënojë demokracinë, ndërsa mbështetësit e tij mendojnë se ai thjesht u nxorr jashtë konteksti. Por çfarë ka ndodhur realisht dhe si e ka shpjeguar Trumpi këtë mesazh më pas?
Kur Trumpi ishte në një tubim në Florida më 26 korrik, ai u ndal gjatë tek mbështetësit e tij që janë të krishterë mbi shqetësimet e tyre për abortin, familjen e të tjera si këto. Trumpi iu tha: “Unë ju dua të krishterë. Unë jam vetë i krishterë. Unë ju dua, dilni, duhet të dilni dhe të votoni. Pas katër vjetësh, nuk keni pse të votoni më, do ta rregullojmë shumë mirë këtë gjë. Nuk do të duhet të votoni më.”
Këto komente ndezën kambanat e alarmit midis progresistëve, të cilët i panë ato si shenja se Trumpi nëse zgjidhet në nëntor mund të synojë të mos lejojë zgjedhjet e ardhshme të ndodhin. Fushata e Harrisit pas kësaj deklarate u përgjigj duke thënë se: “Kur Zëvendëspresidentja Harris thotë se këto zgjedhje kanë të bëjnë me lirinë, ajo e ndjen me të vërtet këtë.”
Zëdhënësi i fushatës së demokrates, James Singer shtoi për Trumpin se: “Ai ka premtuar dhunë nëse humbet, përfundimin e zgjedhjeve tona nëse fiton dhe përfundimin e Kushtetutës për ta fuqizuar atë të jetë një diktator për të zbatuar axhendën e tij të rrezikshme të Projektit 2025 në Amerikë”.
Kongresmeni Daniel Goldman postoi një video të Trumpit në rrjetet sociale dhe tha: “E vetmja mënyrë që mos ‘t’ju duhet të votoni më’ është nëse Donald Trumpi bëhet diktator.” Komentatori liberal Keith Olbermann gjithashtu e përmblodhi me këto fjalë: “Oh. Trump sapo anuloi zgjedhjet e 2028-ës.”
Por si e panë republikanët këtë deklaratë?
Senatori Tom Cotton tha për CNN-in se ish-presidenti “padyshim po bënte një shaka”. Senatorja tjetër republikane Lindsey Graham gjithashtu hodhi poshtë nocionin e Trumpit si një kërcënim për demokracinë. “Ai po përpiqet t’i tregojë komunitetit të krishterë dhe kujtdo tjetër që po dëgjon.”– tha Graham për CBS.
Duke pasur parasysh shqetësimin e dukshëm të portretizimit të Trumpit si një kërcënim për demokracinë amerikane, do të mendonit se ish-presidenti do të ishte i kujdesshëm kur fliste për votimin dhe zgjedhjet. E megjithatë republikani po bën kryesisht të kundërtën. Deklaratën “nuk do t’ju duhet të votoni më” nëse ai fiton zgjedhjet, ai e ka përsëritur disa herë.
Gazetarja e Fox News-it, Laura Ingraham e ftoi Trumpin të sqaronte situatën për publikun. Prezantuesja filloi duke thënë se kritikët e Trumpit po e “sulmojnë” atë për “arsye qesharake“, duke shtuar: “Ata po thonë se ju i thatë një turme të krishterësh se ata nuk do të duhet të votojnë në të ardhmen”.
Dhe Trumpi në fakt me të vërtetë i tha një auditori të krishterë se nuk do të duhej të votonin në të ardhmen. Por pse e tha ai këtë? Republikani u përgjigj duke thënë se ai kishte qenë duke folur para votuesve të tij të krishterë, të cilët sipas sondazheve nuk dalin zakonisht të votojnë. Por Trumpi beson se tani ka shumë nevojë për votën e tyre pasi beson se Amerika është në rrezik, dhe kjo ishte një lutje që ata të dilnin kësaj radhe, pasi Trumpi beson se do t’i rregullojë gjërat që i shqetësojnë dhe ata s’do të kenë nevojë të dalin përsëri të votojnë nëse s’duan. Të paktën kështu e shpjegoi Trumpi.
“Zakonisht të krishterët nuk votojnë. Pse ndodh kjo? Nuk e di, janë rebelë, diçka është. Unë ju thashë mos u shqetësoni. Ju duhet të votoni më 5 nëntor. Pas kësaj nuk duhet të shqetësoheni më për të votuar më, sepse ne do ta rregullojmë vendin dhe ne s’do të kemi më nevojë për votën tuaj. Sepse sinqerisht ne do të kemi aq shumë dashuri. Nëse ju s’do të dëshironi të dilni të votoni më, s’ka problem. Por unë mendoja se të gjithë e kishin kuptuar.”- tha Trumpi, por ky shpjegim përsëri ishte i pamjaftueshëm për demokratët, të cilët vazhdojnë ta përdorin mes argumenteve të tjera për të thënë që Trumpi është rrezik për demokracinë.


