
Nga Irena Beqiraj
Në demokraci, partitë vijnë në pushtet me votë jo individi . Kur mandati elektoral katandiset në kontratë pronësie dhe pranohet gjërësisht si e tillë jemi para një problemi të rëndë intelektual edhe kulturor .
Ky dallim duket elementar, por bëhet i vështirë për t’u kuptuar kur në çdo argument pushteti personal zëvendësohet lehtësisht me partinë.
Historia e Partisë Socialiste e bën argumentin pardoksal edhe më interesant.
Në vitin 1998, Fatos Nano dha dorëheqjen , ndonëse mbështetej në një shumicë të fortë parlamentare. Edhe në rrugë nuk kishte pedagogë e studentë por militantët politikë të opozitës .
Pra, Partia Socialiste nuk ka nevojë të zbulojë ndonjë teori të re politike. ka precedentë në historinë e saj. Problemi është se historia, ndonëse studiohet në shkolla, nuk duket se është lëndë e detyrueshme për ata që qeverisin.
Edi Rama edhe kushdo tjetër mund të zëvendësohet politikisht, problemi i vërtetë është se Partia Socialiste ka humbur autonominë për ta menduar këtë mundësi .
Këtu fillon komedia politike: një parti që pretendon se ka njerëz të aftë për të qeverisur një vend, për ta integruar atë në Europë sillet sikur nuk ka asnjë njeri të aftë të zëvendësojë një kryeministër. Me këtë logjikë, nuk qenka partia që prodhon kryeministrin, por kryeministri që i jep kuptim ekzistencës së partisë. Një mrekulli organizative, që demokracia e votës nuk e ka parashikuar në asnjë nga manualet e saj.
Për më tej arsyetimi se kjo bëhet në emër të unitetit partiak, disiplinës partiake apo përgjegjësi institucionale, është edhe më poshtërues për çdo mendje normale .
Heshtja e përfaqësuesve politikë nuk është domosdoshmërisht shenjë uniteti; ajo mund të jetë tregues i dobësimit të autonomisë së tyre dhe i mungesës së mekanizmave të brendshëm të përgjegjshmërisë.
Prandaj, demokracia e brendshme e partive nuk është thjesht çështje e anëtarëve të tyre. Ajo ndikon drejtpërdrejt në demokracisë së të gjithë vendit.
Një nga provat më të rëndësishme të demokracisë është aftësia e një organizate politike për të ndryshuar drejtuesin pa humbur identitetin, funksionimin apo ekzistencën e saj. Kjo është e vetmja provë që partia është ndërtuar mbi një program dhe përfaqëson një institucion politik të pavarur nga vullneti i individit.
Por kush t’ja shpjegojë këtë mbrojtësve të demokracisë teorike?


