Kur ministri i ri i Mbrojtjes Pirro Vengu sapo ka marrë detyrën, Partia Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me një kallëzim për të. PD e akuzon Vengun lidhur me një kontratë konsulence që ai ka firmosur në kohën kur drejtonte Portin e Durrësit, me një kompani holandeze me vlerën 12 milionë Euro.

Bëhet fjalë për ndërtimin e Portit të ri të Integruar të Durrësit me Porto-Romanon. Por opozita thotë se kontrata e lidhur këtë korrik mes drejtuesit të Portit që ishte Vengu dhe kompanisë “Royal Haskoning DHV”, është bërë pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme të prokurimit publik.

Në letrën drejtuar SPAK-ut, Gazment Bardhi si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, shprehet se Vengu ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së Barazisë së Pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Bardhi kërkon nga SPAK regjistrimin e procedimit penal, hetimin e kontratës dhe marrjen në pyetje si persona në dijeni: kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballukun si dhe Eric Smit, drejtuesin e kompanisë holandeze.

Për këtë kanë shkruar më herët edhe mediat, mes të cilave përmendim Kapitali.al që shkruante se kontrata mes kompanisë në fjalë dhe Pirro Vengut, u firmos pas negociatave të mbyllura në tavolinë dhe se kjo është hera e parë që qeveria shqiptare prokuron një kontratë kaq të majme mbikqyrjeje me negociata të drejtëpërdrejta.

Kapitali.al ngrinte shqetësime lidhur me ndryshimin në Ligjin e Prokurimeve që bëri maxhoranca në fillim të këtij viti, pasi në kundërshtim me direktivën e Bashkimit Europian për Prokurimet Publike, i dha të drejtën qeverisë që të prokurojë kontrata konsulence me negocim të drejtëpërdrejtë për një periudhë tre vjeçare. Këtë e quan një skenar që ngre dyshime të forta për kapje shteti.

Po ashtu, ditë më parë ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj akuzoi zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, se ka abuzime me tenderat. Në një intervistë për “Syri TV”, Ahmetaj kujtoi deklaratën e Ramës që thembra e Akilit të korrupsionit qëndron tek tenderat dhe se ministria e drejtuar nga Balluku ka bërë gati 10 miliardë tendera.

“Nuk e di në çfarë zyre. Le të investigojë Altin Dumani, mos të merret 5 herë, se pas daljes time të intervistës, përveç se bëri akuza familjare, persekutim si çifute, si në 39-40 në Poloni, përveç se bëri persekutim familjar, përtej kufijve ligjor, tani e ka për detyrë të investigojë që të mos ketë gjakderdhje. A ka thënë kryeministri që, thembra e Akilit të korrupsionit janë tenderat. Katër shembuj. Infrastruktura me të gjitha institucionet e varësisë, ka bërë diku tek 10 miliardë euro tendera nga 2019-ta.”- tha Ahmetaj (lexo këtu për më shumë).

Pirro Vengu

Pirro Vengu është një nga ministrat e rinj që njoftoi kryeministri Edi Rama, gjatë mbajtjes së Kongresit të Partisë Socialiste, duke i habitur të gjithë ata që ishin në sallë, por jo vetëm.

Kjo pasi emrat e përzgjedhur ishin relativisht të panjohur politikisht, por ishin figura me profil Teknik, të cilët vinin nga disa drejtori duke u vendosur në disa prej ministrive më të rëndësishme, siç janë ajo e Financave, Ministria e Brendshme si dhe Ministria e Mbrojtjes.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5