
Për herë të parë në historinë dy mijëvjeçare të saj, një amerikan u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit. Kardinali Robert Francis Prevost nga Chicago, Illinois, u shpall Papa i 267-të i Kishës Katolike, duke marrë emrin papnor Leo XIV. Papa Leo XIV pason Papa Françeskun , i cili vdiq më 21 prill. Papa i ndjerë e bëri Prevostin kardinal në shtator 2023. Ai vjen në një kohë sfidash për Kishën Katolike, nga polarizimet e brendshme, te krizat morale dhe sociale globale.

I lindur në Chicago, Illinois, më 14 shtator 1955, Prevost u formua në Urdhrin e Agustinianëve. Sipas burimeve zyrtare në Vatikan kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij si misionar në Amerikën Latine, veçanërisht në Peru, ku shërbeu për një dekadë në qytetin Trujillo dhe më pas si ipeshkëv i Chiclayo-s nga viti 2014 deri më 2023. Përkushtimi i tij ndaj Kishës Peruviane ishte aq i thellë sa ai u bë edhe shtetas peruan në vitin 2015.
Në daljen e tij të parë nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Leo XIV u drejtua me fjalët: “Paqja qoftë me ju të gjithë,” duke ndjekur shembullin e Krishtit të ringjallur. Ai u shpreh se dëshiron që Kisha të ndërtojë ura, të udhëheqë me dashuri dhe të kërkojë dialog në vend të përçarjes. Ai theksoi vizionin për një “Kishë misionare, që ecën përpara dhe që është pranë atyre që vuajnë,” duke pasqyruar rrënjët e tij si misionar dhe shërbëtor i të varfërve. – raporton “Reuters”.

Në Vatikan, ai ka mbajtur poste me rëndësi të madhe, si Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në emërimet kishtare në mbarë botën. I njohur për qetësinë, mençurinë dhe përvojën globale, Papa Leo XIV është parë si një figurë që bashkon përkushtimin shpirtëror me aftësi organizative.


