
Tirana çdo nëntor kthehet në një stacion plot gjallëri ku në qendër është libri. Këto ditë po mbahet panairi i 28-të si një paraqitje masive titujsh e autorësh të larmishëm. Panairi i 28-të i Librit në Tiranë përveç se një vitrinë e botimeve, është edhe një paraqitje e problematikave. Në nisje Petrit Ymeri kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë ka evidentuar shqetësimin për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në ilustrime, kryesisht në librat për fëmijë dhe piraterisë digjitale. Sipas Ymerit ka rënë numri i botimeve dhe cilësia. Një tjetër pengesë që hasin është pamundësia për të shlyer të gjitha detyrimet që u kanë shtypshkronjave dhe një kërcënim direkt është edhe libraria online, ku teknologjia ka zëvendësuar librin fizik dhe leximin tradicional. Mes këtyre sfidave edhe bibliotekat sipas tij janë në gjendje katastrofike. Mbyllja e librarive u soll në vëmendje si një nga dukuritë që po ndikon në rënien e shitjeve të librit e përkthyer në pakësim të numrit të lexuesve.

Pavarësisht ngërçeve, industria e librit mbijeton. Ky edicion është pasuruar me botime me vlerë që sipas Ymerit: “Shqipëria ende nuk ka hyrë në Evropë, por ne botuesit shqiptarë jemi në Evropë prej shumë e shumë vitesh. Jo vetëm me veprat që botojmë, jo vetëm me kryeveprat që përkthehen nga shumë gjuhë evropiane e përtej, por ne jemi pjesë e Evropës edhe me projektet evropiane më të rëndësishme të librit”. Në 5 ditët e këtij aktiviteti i cili mbyllet më datë 16 nëntor, vizitorët kanë mundësi të ndjekin nga afër titujt e librave që shpesh shoqërohen me autografë nga shkrimtarët a përkthyesit që janë të panishëm në aktivitetet promovuese.
Motoja e këtij edicioni të 28-të të Panairit është një shprehje e autorit shqiptar Ismali Kadare: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Në katin e dytë është ngritur këndi i quajtur, “Sofaja e librit” ku më 15 nëntor juria e përbërë nga Beti Njuma, gazetare dhe përkthyese, Elsa Skënderi Rakipllari, studiuese, pedagoge e letërsisë UT, kryetare e jurisë, Maniela Sota, përkthyese, Teuta Dhima, bibliotekare dhe Zija Vukaj, përkthyes e studiues i letërsisë, do ndajnë çmimet për më të mirët.

Në fjalën e saj Ina Zhupa, si kryetare e Komisionit të Kulturës tha se: “Do bëjë më të mirën për draftin që ka shkuar në kuvend Ligjin e Librit, i cili deri tani paraqet shumë probleme dhe nuk zgjidh atë që duhet të jetë synimi. Synimi i ligjit duhet të jetë që librin ta afrojë te lexuesi, të mbështesë botuesit dhe të na bëjë secilin prej nesh pjesë të kulturës kombëtare sa herë që takojmë një libër”. Në këto 5 ditë lexuesit kanë mundësi të blejnë edhe me çmime të ulura promocionale.


