
Në foto: ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku me drejtorin e OSHEE-së Enea Karakaçin, ish-drejtorin e KESH-it Ergys Verdhon (i cili në muajin Mars u largua nga ky institucion), si dhe drejtorin e OST-së Skerdi Drenova.
Kompanitë publike të energjisë OSHEE, KESH dhe OST kanë pësuar deri në 33% rënie të fitimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, tri kompanitë publike të energjisë realizuan 5.4 miliardë lekë fitime (54 milionë euro) në tremujorin e parë të vitit (Janar, Shkurt, Mars). Revista “Monitor” shkruan se pavarësisht se kompanitë publike kishin bilanc pozitiv në 3-mujorin e parë të vitit fitimet pësuan rënie me 33.6% në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit 2023, ku rezultati financiar ishte pozitiv në vlerën e 8.1 miliardë lekëve për të tre kompanitë. Të ardhurat e të tre kompanive ishin 28.4 miliardë lekë në janar-mars 2024 me ulje vjetore – 11.6%. Nga ana tjetër shpenzimet për të tria kompanitë arritën në 23 miliardë lekë me ulje vjetore -4.1.
Fitimi më i lartë u realizua nga Korporata e Elektroenergjitë Shqiptare (KESH) që kontrollon prodhimin me 3 miliardë lekë, vlerë kjo 53% më e ulët se tremujori i parë 2023. Ndikimin kryesor e ka dhënë ulja e çmimeve të energjisë duke bërë që kompania të përfitojë më pak të ardhura nga shitjet. Për Operatorin e Shpërndarjes së energjisë fitimet u dyfishuan për të njëjtën periudhë. Në tremujorin e parë të vitit OSHE raportoi fitim 1.7 miliardë lekë (17 milionë euro) me rritje 107 % më shumë se vitin e kaluar në të njëjtën periudhe. OSHEE është favorizuar se ka blerë energji më lirë këtë vit duke e shitur me të njëjtat çmime të klientët fundore.
Për më shumë lexoni artikullin e plotë te Monitor.al



