
Nga Auron Tare
Nga ato postime zyrtare që zakonisht kalojnë pa lënë gjurmë në kujtesën e publikut, më ra në sy një njoftim i OSBE-se, mbi një takim me disa të rinj nga Elbasani. Drejtuesi i këtij misioni, me atë tonin pedagogjik që burokratët europianë kanë zakon të përdorin në Ballkan, i këshillonte të rinjtë të mos harronin të kaluarën totalitare të Shqipërisë, pas një vizite në ambientet e Bunk’Art 1. Këshilla është e drejtë. Popujt që humbasin kujtesën, zakonisht humbasin edhe gjykimin. Por ka raste kur kujtesa përdoret jo për të ndriçuar historinë, por për ta dekoruar atë me pak drita muzeale dhe me shumë hipokrizi.
Në të vërtetë, bunkerët Anti Atomik te Shqipërisë nuk janë ndonjë përbindësh unik lindor, siç përpiqen t’i paraqesin disa ciceronë të tranzicionit. Europa e Luftës së Ftohtë qe e mbushur me tunele, strehime e fortifikime. Suedia, ajo demokracia e qetë e veriut, ruan ende një rrjet të tërë bunkerësh, të administruar prej një institucioni shtetëror. Mahnitja provinciale që shqiptarët përpiqen t’u tregojnë të huajve për betonin e diktaturës buron më tepër nga padija sesa nga historia. Prandaj, Bunk’Art-i një atraksion i dobishëm dhe i rëndësishëm për kryeqytetin, mund të shërbejë si muze, si atraksion, madje edhe si teatër kujtese, por jo medoemos si prova më autentike e mizorisë së sistemit.

Po të duam të flasim për tragjeditë e vërteta të atij regjimi, atëherë duhet të largohemi nga tunelet turistike të Tiranës dhe të ndalemi në Spaç, Maliq e kështu me rradhë. OSBE-ja e para do kohëve ndaloi në Tepelenë. Atje, në atë cep të harruar, ku pas luftës u internuan gra, pleq e fëmijë, të kundërshtarëve politikë të rregjimit që kundërshtonin me armë Qeverinë në Tiranë. Internimi i njerëzve të pafajshëm mbetet një njollë që asnjë justifikim ideologjik nuk e pastron. Dënimi kolektiv i familjeve, sidomos i fëmijëve, është një barbarizëm që turpëron çdo shtet, pavarësisht kohës në të cilën është kryer.
Pikërisht për këtë arsye, ideja për të ngritur një memorial apo një qendër kujtese për Kampin e Tepelenës ishte një nismë fisnike. Dhe si çdo nismë fisnike në Shqipëri, përfundoi në duart e shoqatave, komisioneve, ekspertëve të pafund dhe konsumatorëve profesionistë të fondeve ndërkombëtare. OSBE-ja, UNDP, Ambasada Gjermane, Ministria e Kulturës dhe Autoriteti i Dosjeve financuan sipas dokumentacionit të deklaruar diku tek 250-280 mijë euro. Me bujë të madhe u bënë disa aktivitete ku u premtuan mjaft gjëra të cilat do të qetësonin sado pak shirtrat e humbur në atë Kamp. Sot, kush kalon pranë atyre godinave italiane të Luftës së Dytë Botërore, nuk gjen pothuajse asgjë. As memorial. As muze. As një shenjë dinjitoze kujtese.

Vetëm disa qiparisa, që thahen ngadalë nën diellin shqiptar si vetë ndërgjegjja jonë publike. Dhe ironia bëhet më therëse kur mëson se edhe ato pak pemë përkujtimore nuk qenkan mbjellë me fondet madhështore europiane, por me kontributet modeste të familjarëve dhe ish-të internuarve. Kjo histori nuk është thjesht dështimi i një projekti. Është portreti moral i tranzicionit shqiptar. Shumë konferenca, shumë fonde, shumë fotografi ceremoniale dhe shumë pak kujtesë e vërtetë. Do të ishte me të vërtetë e ndershme që përfaqësuesit e OSBE-së, përpara se të japin leksione mbi kujtesën historike në sallat artistike të Tiranës, të bënin një vizitë në Kampin e Tepelenës dhe të pyesnin veten se ku përfunduan paratë, projektet dhe premtimet e tyre. Vetëm keshtu këshillat e kësaj zyre dhe jo vetëm do te kishin një lloj vlere për të rinjtë shqiptarë që rriten mes mediokritetit kulturor dhe hipokrizive institucionale.

P.S
“Mirëdita Auron. Mram në emisionin e tv ju përmendët një shumë 280 mij euro të dhëna për kampin e Tepelenës. Qeparisët e mbjella në kujtim të atyre fëmijve që humbën jetën jan paguar nga individ të ndryshëm nga familjar që kan humbur fëmijën aty. Kan dhënë kontribut dhe qytetar të ndryshëm. Për një qeparis jan dhënë 5000 (lek të reja). Desha të ju bëj me dije. Nga shuma e dhënë nga komuniteti europian nuk është përdorur as një euro për qeparisat. 300 qeparisat e mbjell jan paguar nga individ të ndryshëm dhe nga persona që kan qenë pjes e atij kampi famkeq”
Mesazh nga një ish-fëmijë i internuar në këtë kamp….


