
Molotov e fishekzjarre ndaj godinës së kryeministrisë, tensionet në protestën e opozitës kanë vijuar edhe para kuvendit. Policia është kundërpërgjigjur duke hedhur ujë me preson dhe gaz lotsjellës. PD dhe aleatët janë mbledhur në protestën kombëtare duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku. Tubimi i sotëm ka shënuar një hap tjetër të protestave pasi për herë të parë u shfaq në foltore një nga nismëtarët e Forumit për Dialog Politik, Ermal Hasimja. “Asnjë ndryshim nuk ka ardhur duke qëndruar në kafene”,-tha ai duke iu drejtuar edhe socialistëve të reagojnë.
Thirrja e Hasimes për bashkim, sipas tij vjen për një drejtësi të pavarur: “Asnjë shpresë nuk vjen nga qielli as përtej detit, ejani dhe krijoni shpresën në këtë shesh ejani edhe për të treguar forcën tuaj çdo qeveria që do të vijë në të ardhmen. Njerëz të ndershëm të këtij vendi, intelektualë, ejani këtu merrni rolin tuaj dhe bashkohuni me ne. Asnjë ndryshim nuk ka ardhur nga kafetë apo nga divani!”,- tha ai. Më tej vijoi me kërkesën për bashkim si kusht minimal për të patur demokraci dhe zgjedhje të lira e të ndershme. “Bashkohuni për të mbrojtur ata gjyqtarë dhe prokurorë që i nxorën bojën sistemit të kalbur!”-mbylli mesazhin e tij Hasimja.

Në vijim deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti shqetësimin se jemi përballë një autokrati të rilindur. “Diktatorët bien, Shqipëria është e përjetshme!”-tha ajo, duke shtuar se sistemi i dikurshëm i dhunës zëvendësohet sot me dhunën e korrupsionit, diktaturën e korrupsionit. Është ideologjia e regjimit sot që ka ndërtuar një ekonomi që i shërben vetëm klientëve dhe ofron mundësi për krimin”. Duke mbështetur thirrjet për bashkimin e opozitës, Tabaku tha: “Brenda forcave opozitare ka pasur gjëra që na kanë ndarë, debate e qasje të ndryshme, por sot duhet ta shohim njëri-tjetrin duke thënë se ato që na ndajnë nuk janë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për të ndalur shpopullimin, nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar Shqipërinë”.

Lideri i PD-së Sali Berisha pasi mori fjalën kujtoi ngjarjet e 20 shkurtit, 1991 ku u rrëzua shtatorja e diktatorit Enver Hoxha. “35 vite më parë, shqiptarët kurrë nuk do e mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi. Sigurisht jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë pushtetet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt historik pas Enver Hoxhës, një tradhtari që do nxijë gjithnjë historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit”, tha Berisha.

Pasi ai hodhi akuza për Ramën e Ballukun, protestuesit hodhën fishekzjarre e molotov drejt godinës së kryeministrisë duke ndezur situatën. Policia e cila më herët kishte njoftuar se nuk do merrte përsipër sigurinë e protestës, u ka bërë thirrje protestuesve të tërhiqen dhe u është kundërpegjigjur me ujë me presion. Një autobot policie me ujë mori flakë nga përdorimi i molotovit, por u ndërhy në kohë për të shuar zjarrin.
Turma është përplasur me policinë para kuvendit atje ku u zhvendos pas bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Policia ka hedhur gaz lotsjellës i cili ka depërtuar edhe brenda xhamisë së Namazgjasë ku besimtarët myslimanë po faleshin. Berisha ka mbyllur protestën pas 3 orësh duke deklaruar se është sulmuar godina e PD-së me bomba zhurdhuese e gaz. Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka marrë lëndime të lehta djegie dhe është mjekuar në spital, jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër protestues ka marrë goditje në kokë nga një bombol gazi. Sipas Boçit që e shoqëroi në spital, ai kishte gjakderdhje nga hundët dhe humbje të shikimit.
Mes turmës që e shoqëroi deri të selia e partisë, Berisha tha se: “U them para jush, o të mjerë, koha juaj ka marrë fund. Tani është koha e qytetarëve, guximit qytetar dhe përgjegjësisë së tyre. Unë e di se ju si luftëtarë të paepur prisni me padurim aktin e radhës të kryengritjes sonë paqësore. Akti i radhës së kryengritjes paqësore do jetë më i fuqishmi”.


