Mimoza Ahmeti e poezisë apo videove virale në rrjet? “Jam shumë dakord që Moza Ahmeti është një intelekt dhe talent i veçantë, elokuencë, sinqeritet i munguar kaq shumë në publik, një brendi shpirti për t’u patur zili, – ‘Shqipëria në pakicë’ – lexova diku, dhe është e vërtetë!”-shkruajti sipërmarrësja Era Danaj pasi poetja e studiuesja Mimoza Ahmeti u bë pjesë e formatit reality show “Ferma VIP”. Komenti i saj u fokusua te dualizmi i profilit të ri të Ahmetit duke shtuar: “Ama, kujdes, sepse po i bëhet PR i fuqishëm e i jashtëzakonshëm një formati simotër, që pjell vetëm parazitizëm dhe ‘lebrozë të trurit’. * Lexoni poezitë e Mozës dhe shpërndajini nëpër profile – fjalën, mendjen, artin e saj…!”

Një tjetër zë që ka shkruar për Ahmetin e cila brenda pak orësh u bë virale në rrjete sociale për batuat e natyrshëmrinë e saj, Sonila Meço shkruan: “E kam mësuar përmendësh çdo poezi të “Delirium”-it të saj. “Absurdin Koordinativ” e pata ngjitur me vinovil karshi krevatit, fotokopjuar në një kioskë të ndryshkur, ku fjalët mezi dalloheshin nga boja pikuar si mosozot. Por e kisha valutë krenarie citimin e vargjeve të Mozës në çdo bisedë, një lloj passe-partout për të gjetur pakëz vend në rrethe intelektuale”.

Meço kujton intervistën e parë që i ka marrë Ahmetit: “Do të vinte koha e lume ta takoja, intervistoja, gjithherët me një ankth bredharak nëpër trup. Këmbë e duar të ftohta, ekstrasistola zemre, tharje fyti, thartim stomaku. Sepse kisha frikën asgjësuese mos zhgënjeja veten (e kisha adhuruar gjatë) dhe Mozën (qe e pafundme, por e pamëshirshme me kufijtë televizivë). Nuk kam lënë intervistë pa ia dëgjuar. Edhe qejfmbetjet e mërzititë mediatike ia kam mirkuptuar si vështirësinë e të notuarit të një mjeshtreje në cektinën që vetë televizioni e ka “thellësi” të natyrshme, sidomos në Shqipëri”.

Realiteti ekonomik i artistëve është dëshmuar edhe në batutat e poetes se cila tha se: “Artistët kanë mbetur pa lekë, ndaj ndodhemi këtu”. Për këtë moderatorja vijon: “Moza ndoshta e tha për humor, mundet mos jetë hiç e vërtetë a ndoshta ka goditur me një fjali atë plagë të mahisur shoqërore përtej një rrëfimi personal. Por mbetet një diagnozë publike.

Dhe Moza e ka shprehur edhe jashtë Fermës. Shumë herë. Troç. Nuk ka asgjë për t’u parë me cinizëm në praninë e saj në një reality show. Humori e thëniet e pashtershme, që meritojnë thonjëzat e aforizmave po çmendin rrjetin. Të gjithë e duan, e çmojnë. Por edhe qeshin shumë. Megjithëse në shumë nga batutat e saj ka të vërteta vrastare.  Nuk ka asgjë të padrejtë që Moza është aty.

Ajo i kthehet indiferencës së shoqërisë: “Në çdo shoqëri të civilizuar ekziston një kontratë e pashkruar mes krijuesit dhe publikut. Arti nuk prodhon domosdoshmërisht të ardhura, por shoqëria prodhon kushtet që ai të mos mbetet pa to. Tek ne, distopia e butë e një shoqërie që varfërohet enkas kulturalisht për t’u kontrolluar më kollaj, nuk e ndalon artin, por e lë pa mbështetje. Moza shpengueshëm, me mënyrën e vet e tha pse ndodhet aty. Nëse është e vërtetë s’ka pse të ketë hiç turp. As artistët e tjerë që ndodhen aty. Mirëpo ka diçka për t’u kuptuar dhe për t’u ndjerë me një lloj turpi ne si shoqëri për si i trajtojmë artistët.”

Kritika e saj shkon për sistemin: “Arti nuk varfërohet në mënyrë të rastësishme, por sidomos kur i mohohet shtëpia. Kur ia zhvesh muret, ia kalb skenën. Kur shembet një godinë si Teatri Kombëtar, shembet në vetëdije edhe ideja se arti meriton një vend të qëndrueshëm në qytet. Kur mbyllen, zbehen apo lihen në harresë hapësira muzeale si Muzeu Historik Kombëtar humbet kujtesa si nevojë shoqërore. Kur libri blihet veç në panair për qokë popullore dhe stolis fotot e instagramit. Kur shkrimtari nuk fiton nga krijimi, sepse botimi është sport për çdo të paaftë me lekë, që do emrin në kopertinë. Kur trashëgimia kulturore bëhet një hall më shumë në buxhetin e shtetit, kur arti politizohet deri në pikën ku vlera matet me afërsinë me pushtetin dhe jo gjenialitetin e krijimit”.

“Meqë Mimoza Ahmeti është në modë”, -shkruan përkthyesi e studiuesi Sokol Çunga duke publikuar poezinë e saj “Letër mamkës”:

Letër mamkës, poezi nga Mimoza Ahmeti

Mamka,
mos ta lexoj këtë letër tjetërkush veç teje,
jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësisht
për t’i mundur këto që po të them:
Tirana është fare e zakontë.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjetëkatësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe ambasadash,
me police-qukapikë qershori të zbehur.

Diç parandjej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhëtia e burrave nuk ka qenë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.

Po të them e dashur, rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese
me çarje në karakter,
që është një pjesë e çarjes shoqërore,
po më ofrohen detyra, miq e të njohur të shumtë,
të gjithë të lartë nga emrat, por të ulët nga tensioni i jetës,
përpiqen të më ngrenë duke u kapur pas meje,
po më rrëzojnë ende pa u ngritur.

E dashur, dëgjomë pa shqetësim,
unë do t’i grij, do t’i grij, po të them,
si në makinën e mishit
në vargjet e mia.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10