Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar për zëvendësimin e hartës tradicionale të botës me një hartë që pasqyron më saktë përmasat e Afrikës. Rezoluta “Correct the Map” (“Korrigjoni hartën”), e propozuar nga Togoja dhe e mbështetur nga vendet anëtare të Bashkimit Afrikan (AU), u miratua me mbështetjen e 164 vendeve, mes tyre Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. SHBA-ja ishte i vetmi vend që votoi kundër, ndërsa gjashtë vende abstenuan. Votimi i OKB-së nuk është juridikisht detyrues, por pritet të sjellë ndryshime në hartat që përdoren nga institucione në mbarë botën. Harta e Merkatorit, e përdorur gjerësisht që nga shekulli XVI, është kritikuar prej kohësh, pasi e paraqet Afrikën me përmasa të ngjashme me Grenlandën, edhe pse në realitet Afrika është rreth 14 herë më e madhe. Kritikët thonë se kjo shtrembërim bën që nevojat për zhvillim dhe potenciali i vendeve pranë ekuatorit të minimizohen.

SHBA pranon “gabimin fatkeq” pasi etiketoi gabim vendet në hartën e Afrikës

Harta e Merkatorit u hartua në vitin 1569 nga hartografi flamand Gerardus Mercator, me qëllim që të ndihmonte eksploruesit evropianë të orientoheshin gjatë lundrimeve nëpër botë. Shtrembërimi i hartës së tij vjen nga fakti se është e pamundur të paraqitet me saktësi sipërfaqja e një globi në një hartë dydimensionale. Sa herë që vizatohet një hartë e botës, duhet të bëhen kompromise. Harta e Merkatorit përshtat lakimin e Tokës duke bërë që vendet pranë ekuatorit të duken më të vogla nga sa janë në të vërtetë, ndërsa vendet pranë poleve paraqiten më të mëdha. Për të korrigjuar këtë problem, një ekip hartografësh krijoi në vitin 2018 një hartë me sipërfaqe të barabarta, të quajtur “Equal Earth”.

Në shkurt, 54 vendet anëtare të Bashkimit Afrikan e miratuan atë dhe deklaruan se ajo “pasqyron më saktë përmasat e të gjitha kontinenteve, veçanërisht të Afrikës”. Grupi i fushatës online #CorrectTheMap tha: “Në Afrikë mund të fusësh Shtetet e Bashkuara, Kinën, Indinë, Japoninë, Meksikën dhe një pjesë të madhe të Evropës, dhe përsëri do të mbetej tokë e lirë.” Përpara votimit të së premtes, ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, i tha agjencisë së lajmeve Reuters: “Një botë e drejtë fillon me një hartë të drejtë.”

Më herët, gjatë një informimi në OKB, ai tha: “Një hartë nuk është kurrë neutrale. Ajo formëson perceptimet dhe ndikon në mënyrën se si kuptohet vendi që zënë popujt dhe kontinentet në botë.” Dussey mori mbështetjen e ministrit të Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, i cili tha se ministria e tij do të ndalonte përdorimin e hartës së Merkatorit. “Ndryshimi i hartës, padyshim, nuk e ndryshon botën. Por korrigjimi i një paraqitjeje që e shtrembëron atë është tashmë një akt i së vërtetës”, tha ai. Por Yaryna Ferencevych, përfaqësuese e SHBA-së në OKB, tha se rezoluta përqeshte punën dhe qëllimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Në vend që të përqendrohet te problemet reale të paqes ndërkombëtare, prosperitetit apo marrëdhënieve të mira, ky organ po debaton për projektet hartografike të shekullit XVI dhe rolin e tyre në promovimin e reparacioneve dhe ‘drejtësisë njohëse’”, tha ajo. Në mars, SHBA-ja ishte gjithashtu kritike kur u miratua një rezolutë që e shpalli tregtinë transatlantike të skllevërve “krimin më të rëndë kundër njerëzimit”. “Paraqitja e gabuar e Afrikës në hartat e botës nuk është thjesht një gabim hartografik – është një çështje narrative”, i tha BBC-së Lerato Mogoatlhe nga organizata Africa No Filter, një prej grupeve që qëndrojnë pas fushatës për heqjen e hartës së Merkatorit.

Kjo është pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund asaj që ajo e cilësoi si “keqinformimi dhe dezinformimi më i gjatë në botë” për Afrikën. Për gjeografin kenian Kioko Muendo, harta e Merkatorit ka minimizuar në mënyrë të tërthortë burimet e jashtëzakonshme, popullsinë dhe mundësitë për investime të kontinentit afrikan.

Ky shkrim është pronësi intelektuale e “BBC”

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11