
Ohad Nakash Kaynar është ambasadori i ri i Izraelit në Shqipëri. Ai ka gjetur një mënyrë shumë popullore për t’u prezantuar. Kaynar u shfaq në një video duke folur shqip gjatë një turi teksa vizitonte Tiranën. Në video ndan pamje që nga mbërritja në aeroport, duke blerë ullinj të Pazari i Ri. Diplomati ngjit shkallë e Pallatit të Kulturës për të blerë libra e guida në librari dhe në fund në palestër duke u ushtruar me shumë energji, ku bie në sy edhe bluza me gjysmën e simboleve kombëtare izraelite dhe gjysmë shqiponja shqiptare. Ardhja e tij përkon edhe me një klimë trazirash ku stafi i ambasadës u shpërngul për një afat të pacaktuar nga Tirana.
Kush është Ohad Nakash Kaynar
Shefi i diplomacisë izraelite në Shqipri, Ohad Nakash Kaynar ka shërbyer si ministër dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Izraelit në Ottawa. Informacioni konfirmohet edhe nga dokumentacioni zyrtar i Ministrisë së Jashtme kanadeze. Lidhur me politikën izraelite ndaj Palestinës ai ka deklaruar asokohe për “Israel in Canada” se: “Ne kurrë nuk kemi gjetur një partner palestinez të gatshëm për të negociuar dhe finalizuar një zgjidhje të mirë për të dyja palët. Dora jonë është gjithmonë e shtrirë për paqe”.
Karriera e tij vijon në Sri Lanka e Butan ku ka mbajtur pozicionin e zëvendësshefit të misionit diplomatik të Izraelit në Indi, Sri Lanka dhe Butan. Kaynar ka shprehur qëndrimin e tij në “Ceylon Today” dhe e përshkruan veten si një diplomat të përkushtuar ndaj së vërtetës dhe jo ndaj versioneve të rrëfyera apo të shkurtuara të saj. “A e dini se 20 për qind e popullsisë së Izraelit është arabe dhe se kjo popullsi përfaqësohet në Parlamentin izraelit? Arabët shërbejnë gjithashtu në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Ata janë të pranishëm edhe në Gjykatën e Lartë të Izraelit. Kështu e mbrojmë demokracinë në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Në vitin 2023 Kaynar u përfshi në përpjekjet diplomatike për të kontaktuar qytetarët izraelitë të bllokuar nga përmbytjet në Indinë Veriore. “Timesofisrael” citon ministrinë e Jashtme të Izraelit. Sipas saj rreth 290 shtetas izraelitë në veri të Indisë rezultojnë të pakontaktueshëm nga familjarët dhe autoritetet, pas përmbytjeve vdekjeprurëse që kanë goditur rajonin. Ohad Nakash Kaynar shkoi në zonën e prekur nga fatkeqësia, në cilësinë e zv.ambasadorit në përpjekje për të vendosur kontakt me udhëtarët izraelitë që rezultonin të zhdukur. “Ndonjëherë diplomacia kërkon të përveshësh mëngët dhe të hysh në veprim”, shkruajti Nakash Kaynar në një postim në Twitter, teksa ndodhej në avion.


