
Nga Rezarta Caushaj
Dëgjova Berishën dhe sado e keqformuluar ishte ajo që tha, duke iu referuar nominalisht ambasadorit të BE-së, nuk ishte ndonjë gjëmë që meritonte reagim të Komisionit. Dyshoj se po përdoret si taktikë për të sfumuar thelbin e kërkesës shumë legjitime të tij që ambasada e BE-së të marrë përsipër t’u tregojë shqiptarëve se ku është i shkruar kushti që Shqipëria duhet të njohë polaritetin e gjinisë që të hyjë në BE. Ata që e thonë gënjejnë, siç gënjenin se është detyrim që derivon nga konventa për luftën ndaj dhunës ndaj grave. Si BE-ja dhe Konventa ia lënë vendit të vendosë se cilin koncept do të adoptojë, përsa kohë garanton mbrojtje nga diskriminimi (që e garantojmë se kemi ligj më vete për këtë).
Në relacionin e projektligjit, të depozituar në Kuvend, shkruhet e bardhë në të zezë se nuk bëhet llaf për përafrim legjislacioni me BE-në. Po edhe sikur të bëhej për perafrim legjislacioni, ka një arsye përse gjatë proceseve integruese përdoren terma si “transpozim” e “përafrim” sepse adoptimi i ligjeve bëhet në bazë objektivash e parimesh, jo fjalë për fjalë. Kjo pasi këto institucione janë të detyruara të respektojnë sovranitetin e vendit dhe demokracinë. Demokracia kërkon që vendime të tilla t’i marrë sovrani ose të zgjedhurit e tij drejtpërdrejtë.
Si direktivat e BE-së, edhe Konventat respektojnë vendimet dhe konsensusin e brendshëm në vend dhe pranojnë secilin nga konceptet, si atë ultra-liberal, edhe atë tradicional që ne dëshirojmë të mbajmë. Por, proponentet e ligjit nuk kanë mendere të dalin hapur dhe fshihen pas gishtit. Ky është problemi kryesor që shoh dhe nuk po flas për pandershmërinë politike, por për PANDERSHMËRINË INTELEKTUALE. Po flas për figura publike e të shoqërisë civile që ia kanë marrë fytyrën vetes duke gënjyer. Pasi inskenuan një fushatë të shëmtuar javën e kaluar, ku shtireshin si hatërmbetur e të indinjuar se gjoja ligji njihte vetëm burra e gra. E kuptoni se për çfarë niveli bëhet fjalë?! Ofrojnë zero argument, veç sulmeve. ZERO!



