
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar disa biseda të kryera përmes aplikacionit “SKY ECC”, të cilat sipas tij tregojnë se si u zgjodh drejtori i Policisë në Shkodër. Bardhi i nxori këto komunikime gjatë interpelancës në Parlament, kur ai po replikonte me kryeministrin Edi Rama.
“E dija që ishe ekspert i inceneratorëve, por që të ishe ekspert i mbetjeve të rrezikshme këtë nuk na i kishte marrë mendja. E meqë fole që zotrote ja di mirë punëve të shtetit, Rai të akuzoi që je i lidhur me krimin e organizuar. Unë po të pyes: Si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar.
Kodi pin i SKY ECC …..: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi SKY ECC …..: Po, por kam frikë se nuk e bën. Ndërhyn prapë kodi SKY ECC ….: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla.
Mondi në fakt është drejtori aktual i policisë vendore të Shkodrës që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend, u bë ministër i Brendshëm. Dhe vjen ti këtu dhe akuzon opozitën. Për çfarë e akuzon ti opozitën? Që të thotë që je i lidhur me krimin e organizuar dhe të kërkon ty të japësh llogari? Patjetër që do japësh llogari. Kur zotrote i ke doërzuar dhe përgjegjësia mbetet e opozitës.”– tha Bardhi.


Kur thotë “Mondi”, Bardhi aludon se bëhet fjalë për Drejtorin e Policisë së Shkodrës. Aktualisht në këtë post është Edmond Sulaj. Ai u emërua në këtë post në tetor të vitit të kaluar duke zëvendësuar paraardhësin e tij Ervin Hodajn, i cili u largua për të marrë detyrën e re në krye të Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme. Post që e kishte patur Sulaj më herët, por thjesht iu ra të ndërronin pozicionet.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha reagoi për këtë deklaratë të Bardhit, duke thënë se ishin gënjeshtra. Ai thekson se Sulaj u emërua në Tetor 2023, kurse bisedat e SKY ECC janë të vitit 2021. “Unë në lidhje me komunikimin në Encrochat, po ju bëj me dije se zotëria Mondi është me gradën drejtues i parë në Policinë e Shtetiti, aktualisht mban postin e drejtuesit të Policisë së qarkut Shkodër. Në vijimësi të karrierës sime profesionale gjatë viteve 2009-2011, kam patur nderin të punoj me drejtuesin e parë zotin Edmond Sulaj, i cili aktualisht është drejtues i Policisë së qarkut Shkodër, është një nga of në karrierë i cili ka treguar aftësi dhe integritet përgjatë të gjithë karrierës së tij. Ai ka 27 vite punë dhe besoj se edhe deputeti Braçe ju bëri me dije se si ai e gjykon ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësinë që ai mban për këtë detyrë. Ndërkohë që në enkrochat parashtrohet një bisedë e vitit 2021, më lejoni t’ju shpjegooj se Edmond Sulaj e ka marrë detyrën në vitin 2023, kjo gënjeshtër bie si gënjështra e parë.”- tha ministri Ervin Hoxha.
Atij Bardhi iu përgjigj duke i thënë se “Nuk e dija që Pëlllumb Gjoka ka shtuar zëdhënësit.” Bardhi në vijim të replikave i tha ministrit se po i referohej dokumenteve zyrtare që ndodhen në dosjet e SPAK. “E para njëherë, përmenda përgjime zyrtare që ndodhen në dosjet e Prokurorisë së Posaçme dhe ngrije kokën, mos lexo mesazhe dhe ti e di shumë mirë që në Shkodër dy persona të ngrejnë e të ulin në Policinë e Shkodrës, Bajrat dhe Pëllumb Gjoka. Për Bajrat do të flas një seancë tjetër, por sot po flas për emërimet e Pëllumb Gjokës. Ke ndonjë përgjigje për këtë që po të them unë? Se miku apo vëllai i vet, po i bëhej ministër i Brendshëm? Për këtë ke ministër një përgjigje si zëdhënës i tij?”– tha Bardhi.


Pas gjithë këtij debati, Drejtori i Policisë së Shkodrës Edmond Sulaj reagoi publikisht duke kërcënuar me kallëzim penal deputetin Gazment Bardhin. “Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.
Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal. Faleminderit!”-shkruan Sulaj. Në reagimin e tij, ai shprehet se deklaratat e Bardhit janë shpifje, të pabazuara dhe “synojnë që të cënojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.”



