
21 tetori shënoi edhe ditën e parë të bojkotit të mësimdhënies në auditorë, ku pas vendimit të Sindikatës së Universiteteve pedagogët dhe studentët nuk u paraqitën në fakutetet përkatëse. Në Tiranë pedagogë, studentë, aktivistë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën në pikëtakimin e tyre, pranë Korpusit Universitar në orën 10:00, duke u shprehur me vendosmëri se protesta e tyre nuk do të ndalet derisa Rama të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri teknike.
Përpara se pedagogët të mbushin sheshin, Rama vijoi me planin e tij, duke vendosur sërish karrigë në hyrje të kryeministrisë, mbi to mbishkrimin: Dialog. Thirrja e Ramës që pedagogët dhe studentët të ulen në bisedime me të u refuzua sërish, kurse kreu i Sindikatës së Universiteteve Sandër Kovaçi e cilësoi kurth këtë ftesë.
Teksa qëndronin poshtë dritares së zyrës së tij, protestuesit brohoritën disa herë njëzëri: Rama jepe dorëheqjen, Poshtë diktatura etj.. Pedagogët të pyetur nga gazetarët thanë se i janë bashkuar revoltës studentore, pasi auditorët po zbrazen nga viti në vit, për shkak të emigrimit masiv të të rinjve, të cilët nuk shohin një të ardhme në vendin e tyre, për shkak të politikave centralizuese, ku vendos pushteti dhe jo meritokracia. Më tej, studentët kanë lënë edhe një mesazh për kryeministrin Rama, ku në rrugë kanë shkruar: Nuk ka dialog mes qafës dhe shpatës! Dorëheqje!
Marshimi i studentëve dhe pedagogëve vijoi më tej drejt Ministrisë së Arsimit, të cilën e cilësuan si Ministria e Emigrimit, për t’u rikthyer më pas drejt godinës së ekzekutivit. Tensionet përpara Kryeministrisë dhe selisë së Kuvendit u ndezën menjëherë, ku grupe të rinjsh kanë hedhur lëndë djegëse dhe bomba molotovë në drejtim të godinës së Kuvendit dhe pranë Kryeministrisë, aty ku ishin pozicionuar edhe trupat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Në shenjë simbolike, duke refuzuar sërish kërkesën për dialog, studentët dogjën një prej karrigeve që Rama kishte lënë në bulevard. Nga ana tjetër, forcat e Policisë së Shtetit që ishin të vendosura pranë të dyja institucioneve kyçe, u kundërpërgjigjën ne gaz lotsjellës, ujë me presion, ndërsa nuk munguan as shoqërimet. Ndër personat që u shoqërua nga policia ishte edhe aktivisti Aulon Kalaja.
Po ashtu, të enjten studentët kanë thirrur sërish protestë, këtë herë në orën 9:00 përpara Kuvendit të Shqipërisë, për të penguar hyrjen e deputetëve dhe minisrave në senacën e parashikuar në kalendarin e punimeve. Nuk dihet nëse punimet e Kuvendit do të zhvillohen, pasi një javë më parë, për të shmangur përplasjet me protestuesit, kryeparlamentari Niko Peleshi anuloi seancën.


