
Këtë të enjte deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson nominoi për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025 Feride Rushitin, themeluesen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Nëpërmjet postimit në profilin e tij , ai publikoi letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, në të cilën shkruhej se Feride Rushiti është një person që i përmbush kriteret përmes përkushtimit të saj për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej. “Çmimi Nobel për Paqe synon të vlerësojë individët, puna e së cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej.” shkroi ai. Teksa shtoi se Rushiti përveç punës së saj me të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka arritje të mëdha edhe në trajtimin e të burgosurve dhe të ndaluarve, duke avancuar standardet ligjore dhe etike në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Pas njoftimit të Jacobsson, Rushiti u shpreh mirënjohëse për këtë nominim. “Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet”, shkroi ajo në Facebook. Është frymëzim për përpjekjet kolektive, “duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit.“- shkroi Rushiti në profilin e saj.

Kush është Feride Rushiti
Feride Rushiti themeloi në vitin 1999 Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës -në. Kjo qendër promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit. Rushiti ia ka dedikuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të luftës. Më 2018, Rushiti, që udhëheq QKRM-të, ishte nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas, të dhënë nga sekretari amerikan i Shtetit. Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.

Ambasadori Delawie me Feride Rushitin gjatë çmimit Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme
Rushiti ka nisur si mjeke trajtimin e viktimave civile të luftës gjatë konfliktit aktiv në vitin 1999. Ajo ishte ndër mjekët e parë që njohu nevojën për trajtim të traumës psikologjike për refugjatët që iknin nga dhuna, veçanërisht për gratë dhe grupet minoritare. Ajo solli një qasje multidisiplinare për adresimin e nevojave të viktimave të konfliktit, me synimin për të ndërtuar një organizatë të vetme që ofron mbështetje psiko-sociale, ndihmë ligjore, ilaçe, trajtim dhe advokaci për politika. Rushiti gjithashtu luajti një rol kyç në zhvillimin e kuadrit ligjor të Kosovës për trajtimin human të të burgosurve dhe të ndaluarve. Gjatë karrierës së saj, ajo ka marrë shumë çmime të tjera për punën e saj në të drejtat e njeriut me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe grupe të tjera të margjinalizuara.


