
Nga Rebecca Ballhaus, Dana Mattioli, Joe Parkinson dhe Drew Hinshaw
Kimberly Guilfoyle ishte shumë larg Mar-a-Lago-s.
Ambasadorja amerikane në Greqi, ish-e fejuara e Donald Trump Jr., udhëtonte vajtje-ardhje drejt kryeqytetit të Bullgarisë në një mision gjatë kësaj pranvere. Administrata Trump donte që aleatët në skajin lindor të Europës të blinin miliarda dollarë gaz natyror amerikan.
Por kishte një detaj.
Ajo u thoshte zyrtarëve bullgarë se duhej të bashkëpunonin me një kompani greke ndërtimi të quajtur Aktor Group, një kompani e sapoardhur në biznesin e gazit, e cila ishte bashkuar me një kompani greke energjetike të mbështetur nga shteti për të sjellë gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja.
“Nuk ka dyshim se ky është një lloj qëndrimi zyrtar i qeverisë amerikane”, tha një person i njohur me bisedimet.
Pranë ambasadores 57-vjeçare, në një takim me presidenten bullgare, ishte një 39-vjeçar i quajtur Christos Marafatsos. Ai ka marrë pjesë në aq shumë takime të saj, sa disa zyrtarë të huaj e kanë ngatërruar me shefin e stafit të saj. Në fakt, ai është një lobist i rëndësishëm i Aktor, CEO-ja e së cilës e kishte sjellë Guilfoyle në vend me një avion privat.
Dikur prokuror, Guilfoyle u shndërrua më pas në një ikonë të lëvizjes MAGA dhe po e përdor detyrën e saj si ambasadore në Greqi për t’u shndërruar në një prej figurave më të rëndësishme diplomatike të administratës Trump. Ish-prezantuesja e Fox News ka përshkuar Ballkanin për të ndihmuar Europën të shkëputet nga energjia ruse, përmes një “korridori vertikal të gazit”, i cili synon të marrë LNG amerikan në Greqi dhe ta përcjellë atë drejt Ukrainës.
Por ajo ka habitur zyrtarët qeveritarë në të gjithë rajonin me promovimin e vazhdueshëm të një kompanie të caktuar greke, si dhe me përpjekjet e saj të shumta për të përfshirë Marafatsos, një fillestar si në diplomaci, ashtu edhe në sektorin e energjisë.
Eksperienca e tij e mëparshme përfshin bashkëthemelimin e një distributori produktesh ushqimore në zonën e Uashingtonit dhe punën në biznese që varionin nga konsulenca në pasuri të paluajtshme deri te krijimi i asaj që përshkruhej si “përvoja më e mirë gjithëpërfshirëse” e Akropolit në IMAX 3D.
Sot, Marafatsos shihet shpesh pranë Guilfoyle, duke vepruar si një lloj portieri jozyrtar i saj dhe duke e shoqëruar në takime në rezidencën e ambasadores, si dhe me zyrtarë qeveritarë në vende të ndryshme të rajonit. Kjo është një praktikë jashtëzakonisht e pazakontë për një qytetar privat.
Disa persona që janë takuar me Marafatsos dhe ambasadoren, përfshirë zyrtarë qeveritarë, thanë se ai nuk u kishte përmendur lidhjet e tij me Aktor.

Kimberly Guilfoyle paraqet kredencialet e saj në Pallatin Presidencial në Athinë, ndërsa Christos Marafatsos ecën pas saj.

Kimberly Guilfoyle bisedon me zëvendësministrin e Brendshëm për Maqedoninë dhe Trakinë, Konstantinos Gkioulekas, ndërsa Christos Marafatsos qëndron pranë tyre.
Marafatsos u shfaq pranë ambasadores Guilfoyle edhe kur ajo paraqiti kredencialet e saj në Pallatin Presidencial të Greqisë në nëntorin e kaluar.
Në një tjetër takim, ai u shfaq në turmë ndërsa Guilfoyle zhvillonte një takim në Ministrinë e Brendshme greke.
Në një konferencë të zhvilluar në fillim të këtij muaji në Selanik, ku zyrtarë nga nëntë vende u mblodhën për të diskutuar progresin e korridorit vertikal, një gazetar i Wall Street Journal pa Marafatsos dhe Guilfoyle të mbërrinin me një BMW të zezë në krye të autokolonës amerikane. Marafatsos hyri në hotelin MET përmes një hyrjeje të veçantë, larg fotografëve.
Punonjësit e Ambasadës amerikane që kishin kaluar vite duke punuar për korridorin vertikal të gazit nuk ishin takuar kurrë me drejtues të Aktor dhe as nuk e kishin dëgjuar emrin e kompanisë të përmendej si një partner i mundshëm, sipas ish-zyrtarëve të Departamentit të Shtetit që kishin punuar nga afër me këtë çështje.
Robin Brooks, një zyrtar i shërbimit të jashtëm me 21 vite përvojë, i cili gjatë administratës Biden shërbeu si drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Ballkanin dhe Europën Qendrore, tha se promovimi i një kompanie të huaj nga një ambasador amerikan është “absolutisht problematik”.
Sjellja e një lobisti të regjistruar në takime me zyrtarë të huaj, tha ajo, “ngre pikëpyetje nëse takimi po avancon interesat amerikane apo po avancon një lloj interesi privat”.
Një zyrtar i Ambasadës amerikane tha se ambasadorja kishte udhëtuar në Bullgari “për të avancuar interesat amerikane: rritjen e shitjeve të LNG-së amerikane te partnerët europianë dhe uljen e varësisë europiane nga gazi rus”. Ai tha se ajo ishte “plotësisht në përputhje me udhëzimet e Departamentit të Shtetit” gjatë udhëtimeve zyrtare.
Jesse Binnall, avokati i Guilfoyle, tha se ajo “ka punuar me kompani në të gjithë sektorin energjetik” dhe se nuk është përqendruar vetëm te një kompani. Ai tha se takimet e saj zyrtare koordinohen përmes kanaleve të ambasadës dhe jo përmes Marafatsos.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio, në një deklaratë të siguruar nga Shtëpia e Bardhë, e cilësoi Guilfoyle si një “avokate jashtëzakonisht efektive të agjendës së Presidentit”. Ai tha se ai dhe Trump “e vlerësojnë shumë” punën e saj.
Marafatsos tha në një deklaratë:
“Jam krenar që mbështes iniciativa tregtare që avancojnë interesat amerikane dhe krijojnë mundësi ekonomike afatgjata në Greqi dhe Europën Juglindore. Jam mirënjohës për mundësinë për të vënë në përdorim përvojën time në biznes dhe drejtimin në komunitetin greko-amerikan.”
Avokati i tij kundërshtoi disa prej raportimeve të Journal, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.
Në një letër, avokatët e Aktor thanë se Guilfoyle nuk po promovonte në mënyrë të papërshtatshme interesat tregtare të kompanisë dhe se përfshirja e saj në korridorin vertikal kishte nisur përpara “çdo kontakti” me ambasadoren.
Avokatët thanë se Aktor është një “kandidat tërheqës për avancimin e objektivave dhe interesave amerikane”, pasi nuk ka lidhje me gazin rus, ndryshe nga disa prej konkurrentëve të saj grekë.
Guilfoyle ka një ndikim të madh në një pjesë të Europës që ka kërkuar prej kohësh lidhje më të afërta me administratën Trump. Kur ajo mbërriti në Athinë vjeshtën e kaluar, rajoni kishte vetëm një ambasador të konfirmuar në dhjetë vende, pjesë e një modeli të gjerë vakancash diplomatike që ka fuqizuar ndjeshëm numrin e vogël të diplomatëve jashtë vendit që konsiderohen të afërt me Trump.
Në prill 2026, ministri shqiptar i Energjisë, Enea Karakaçi, firmosi një memorandum mirëkuptimi në Tiranë, ndërsa ambasadorja Guilfoyle, kryeministri Edi Rama, CEO-ja e Albgaz, Amarda Kapaj, dhe CEO-ja e Aktor, Alexandros Exarchou, ndiqnin ceremoninë.

Ministri shqiptar i Energjisë, Enea Karakaçi, firmos një memorandum mirëkuptimi në Tiranë në prill 2026, ndërsa ambasadorja Guilfoyle, kryeministri shqiptar Edi Rama, CEO-ja e Albgaz, Amarda Kapaj, dhe CEO-ja e Aktor, Alexandros Exarchou, ndjekin ceremoninë.
Në nëntor, Aktor njoftoi krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët, Atlantic-SEE LNG, e cila do të ndahej 60 me 40 mes saj dhe DEPA-s, një kompani greke energjetike e mbështetur nga shteti. Në muajt që pasuan, Aktor dhe sipërmarrja e përbashkët nënshkruan memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje tregtare me kompani gazi në Bullgari, Ukrainë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Rumani.
Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh, të cilën Guilfoyle e ndihmoi Aktor të siguronte në Shqipëri, do të parashikonte, nëse realizohet, që vendi të blejë gaz nga kompania deri në vitin 2050.
Nuk është e qartë nëse të gjitha marrëveshjet do të realizohen. Të premten, kompania shtetërore ukrainase e gazit i tha Journal se negociatat për blerjet e ardhshme nga Atlantic-SEE ishin pezulluar.
Odiseja e ambasadores
Guilfoyle është shndërruar në një simbol të fuqishëm të mënyrës së re të diplomacisë amerikane nën Trump, ku ndërthuren fama, biznesi dhe gjeopolitika.
Guilfoyle, e cila dikur ishte e martuar me guvernatorin e Kalifornisë Gavin Newsom, flet për lidhjet e saj të forta me familjen Trump dhe publikon video për rreth dy milionë ndjekësit e saj në Instagram. Ajo ndërthur takimet me liderët rajonalë me vizita në sfilata mode dhe gala arti, e veshur me fustane të zbukuruara me kristale.

Kimberly Guilfoyle dhe stilisti i saj, Fancy James, gjatë Javës së Modës në Paris.

Ajo është mike e këngëtarit grek Konstantinos Argiros, i cili gjatë një koncerti të fundit e dalloi atë në turmë duke biseduar me Marafatsos dhe e rrotulloi në skenë me një prej këngëve të tij hit.
Jefferson House, rezidenca zyrtare e ambasadores ku ajo zhvillon shpesh takime, është dekoruar me portrete të mëdha bardhezi të Guilfoyle, sipas personave që e kanë vizituar.
Disa zyrtarë grekë thonë se janë të kënaqur që vendi i tyre, i cili shpesh është anashkaluar nga Uashingtoni, tashmë ka vëmendjen e një ambasadoreje që mund të kontaktojë lehtësisht me presidentin amerikan.
Por ata gjithashtu kanë frikë se mund ta zemërojnë.
Në mars, gjatë një darke në Athinë ku merrnin pjesë zyrtarë grekë dhe amerikanë, Guilfoyle u përfshi në një debat me ministrin grek të Energjisë, Stavros Papastavrou, përpara të ftuarve të tjerë.
Duke iu referuar rënies së afërt të qeverisë rumune, Guilfoyle u tha të pranishmëve:
“Ne mund t’ia bëjmë këtë çdo vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu.”
Sipas një personi që mori pjesë në darkë dhe të tjerëve që u informuan për ngjarjen, biseda u tensionua. Papastavrou iu përgjigj se SHBA-ja nuk mund ta zëvendësonte qeverinë e Greqisë, e cila ishte zgjedhur nga populli.
Avokati i Guilfoyle kundërshtoi karakterizimin e këtij shkëmbimi.
Emërimi i Guilfoyle si ambasadore erdhi në mes të një ndarjeje shumë të komentuar publikisht.
Ajo filloi të takohej me Trump Jr. në gjysmën e parë të mandatit të parë të babait të tij dhe shpejt u shndërrua në një prej mbrojtëseve më të zëshme të Trumpit. Në fjalimin e saj në konventën e vitit 2020, ajo paralajmëroi se demokratët po përpiqeshin t’i skllavëronin amerikanët me ideologji liberale.
Çifti u fejua përpara përfundimit të mandatit të Trumpit dhe atë pranverë bleu një rezidencë prej 9.7 milionë dollarësh në Florida.
Guilfoyle ndërmori më pas një seri sipërmarrjesh biznesi, mes tyre një linjë produktesh për kujdesin e flokëve dhe parfumeve të quajtur Flor de Maga; sipërmarrje me shampanjë me emra si 1776 Liberté dhe Liberty Dream; si dhe një shërbim farmaceutik për kafshët, PETriot Vet, sipas të dhënave të Zyrës së Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së. Këto marka janë braktisur më vonë.
Më pas ajo iu bashkua fushatës për rizgjedhjen e Trumpit, duke u bërë thirrje turmave në konventën republikane të vitit 2024 të “ngriheshin në këmbë” në mbështetje të tij.
Atë verë nisën të shfaqeshin fotografi të Trump Jr. me 39-vjeçaren Bettina Anderson nga Palm Beach. Trump, i cili kishte pasur marrëdhënie të mira me Guilfoyle, njoftoi në rrjetet sociale në dhjetor një lajm të papritur: ai po e emëronte atë ambasadore në Greqi.

Donald Trump Jr. dhe Kimberly Guilfoyle ecin në pistën e aeroportit, duke kaluar pranë pjesëtarëve të uniformuar të shërbimit.

Donald Trump puth Kimberly Guilfoyle në faqe gjatë një ceremonie për Ditën e Pavarësisë së Greqisë.
Emërimi i saj u parapri nga lobimi prapa skenave i njerëzve pranë Trump Jr., të cilët mbështetën idenë që Guilfoyle të merrte postin, sipas personave të njohur me diskutimet.
Guilfoyle kishte kaluar disa javë duke telefonuar njerëz rreth ish-të fejuarit të saj, duke pyetur se si mund të ribashkoheshin të dy. Disa prej tyre nisën të hidhnin idenë e emërimit të saj në poste të ndryshme ambasadorësh.
Guilfoyle kishte pasur prej kohësh interes për Greqinë. Ajo u kishte thënë miqve se i pëlqente rëndësia e vendit në skenën botërore dhe atmosfera e tij elegante, duke përmendur Jacqueline Kennedy Onassis, ish-zonjën e parë amerikane që u martua me një manjat grek të transportit detar pas vrasjes së bashkëshortit të saj.
Zyrtari i Ambasadës amerikane tha se ambasadorja kishte kaluar muajin e mjaltit në Greqi dhe kishte folur për dashurinë e saj për vendin që kur kishte studiuar historinë greko-romake në universitet.
Mediat greke rikthyen shpejt në vëmendje edhe disa deklarata të mëparshme të Guilfoyle. Ato vunë në dukje se, si bashkëprezantuese e Fox News gjatë krizës së borxhit në Europë në vitin 2015, ajo kishte thënë se grekët duhej të trajnoheshin si një “qen që urinon mbi qilim”.
“Nuk ka rëndësi nëse bëni kos të shkëlqyer. Nuk më intereson.”
Presidenti Trump u tha njerëzve se ia kishte ofruar Guilfoyle postin e ambasadores për hir të djalit të tij, duke thënë:
“Më duhej ta nxirrja prej këtu.”
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë mohoi se presidenti kishte thënë një gjë të tillë.
Eksperti për Greqinë
Menjëherë pas nominimit të saj, Guilfoyle filloi të kalonte më shumë kohë me një burrë që e njeh mirë Greqinë.
Faqja personale e Marafatsos përmban një fotografi të një shporte me perime rrënjore dhe e identifikon atë si bashkëthemelues të një kompanie që shpërndan produkte ushqimore lokale në restorante në zonën e Uashingtonit.
Ai u largua nga kompania gati dy dekada më parë dhe u angazhua në sipërmarrje të ndryshme, përfshirë një firmë investimesh, një kompani tashmë të shpërbërë të quajtur Institute of Investigative and Translational Medicine dhe kompaninë e ndërtimit në pronësi të familjes së tij, ku shërbeu si zv.president, sipas të dhënave korporative dhe faqeve të kompanive.
Rritja e tij e madhe në politikë erdhi përpara kandidaturës së parë presidenciale të Trumpit në vitin 2015, kur ai iu bashkua fushatës së sapokrijuar. Më vonë u bë kryetar i Greek Voices for Trump.

Ambasadorja Guilfoyle dhe Christos Marafatsos gjatë një vizite në Kryedioqezën e Shenjtë të Athinës.
Marafatsos, i cili ka një familje të re në Virxhinia, i tha një gazete greke se e kishte takuar Guilfoyle që në ditët e para të angazhimit politik të Trumpit.
Në muajt pas nominimit të saj, ai u bë këshilltar i afërt. Të dy u panë së bashku gjatë inaugurimit, përfshirë në një aktivitet për nder të komunitetit greko-amerikan, ku Marafatsos qëndronte pas saj ndërsa ajo fliste.
Në një pritje në Shtëpinë e Bardhë për Ditën e Pavarësisë së Greqisë në mars, Trump e ftoi Guilfoyle të fliste.
“Ajo përfaqëson shumë mirë kulturën greke, do t’ju them këtë.”
Më pas ai veçoi Marafatsos.
“Djalë i pashëm, është.”
Marafatsos e përgatiti Guilfoyle për seancën e konfirmimit në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, sipas një personi të njohur me çështjen.
Pas seancës, ajo publikoi fotografi të saj në sallën e dëgjesës me mbështetës, mes tyre edhe Marafatsos, duke shkruar:
“Mirënjohëse që jam e rrethuar nga miq dhe familjarë të jashtëzakonshëm.”
Ai mori pjesë edhe në ceremoninë e betimit të saj atë shtator.
Ndërsa Guilfoyle përgatitej të zhvendosej në Athinë, si ajo ashtu edhe Marafatsos vazhdonin aktivitetet e tyre të biznesit.
Rreth kohës së konfirmimit të saj, ajo kërkoi investime për një kompani vodka që kishte krijuar një vit më parë, të quajtur Polished Rice, duke i propozuar të paktën një biznesmeni greko-amerikan të investonte 3 milionë dollarë, sipas një personi të njohur me çështjen.
Linja e vodkës planifikonte të niste aktivitetin në një “event global VIP” në Greqi më 2 korrik, sipas një padie që Polished Rice ngriti më vonë kundër distilerisë së saj.
Kjo ishte dita kur Guilfoyle organizoi një festë në Athinë për Ditën e Pavarësisë amerikane. Plani dështoi pasi dërgesa, sipas padisë, mbërriti me shishe të thyera dhe etiketa të dëmtuara.
Avokati i Guilfoyle kundërshtoi pretendimin se ajo kishte kërkuar një investim prej 3 milionë dollarësh dhe tha se ajo nuk ka ndjekur sipërmarrje private biznesi që kur hyri në shërbimin publik.
Përpara betimit të Guilfoyle, Marafatsos ofroi shërbimet e tij për kompani greke të energjisë dhe transportit detar. Në propozimet drejtuar drejtuesve të kompanive, ai theksonte lidhjen e tij me ambasadoren e ardhshme dhe listonte kompani për të cilat pretendonte se punonte, përfshirë gjigantë energjetikë të rajonit si Copelouzos dhe Metlen, sipas një personi të cilit i ishte bërë oferta.
Përfaqësuesit e të dyja kompanive thanë se nuk e kishin punësuar kurrë Marafatsos.
Një tjetër klient që ai përmendte ishte Aktor.
Mbërritja në Athinë
Guilfoyle u takua për herë të parë me Alexandros Exarchou, CEO-n e Aktor, më 1 nëntor, ditën kur ajo mbërriti në Athinë, sipas avokatëve të kompanisë.
Më 5 nëntor, Marafatsos filloi zyrtarisht të punonte si lobist i Aktor në SHBA, sipas të dhënave federale të lobimit.
Kompania i ka paguar atij 160 mijë dollarë deri në qershor të këtij viti për të “krijuar kontakte” me Zyrën Ekzekutive të Presidentit, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Energjisë.
Ishte hera e parë që Marafatsos regjistrohej zyrtarisht si lobist në SHBA.
Avokatët e Aktor thanë se kompania e kishte angazhuar Marafatsos pasi Exarchou mori pjesë në një drekë në shtator 2025 për drejtuesit kryesorë grekë të sektorit energjetik me Sekretarin e Brendshëm Doug Burgum, ku u diskutua korridori vertikal i gazit.
Pas drekës, Exarchou kontaktoi DEPA-n, kompaninë greke të mbështetur nga shteti, dhe propozoi një sipërmarrje të përbashkët që do të “merrte drejtimin në furnizimin me LNG jo-rus në Europën Juglindore”, thanë avokatët.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, dhe Christos Marafatsos takohen me presidenten bullgare Iliana Iotova dhe delegatë të tjerë.
Marafatsos shtoi më pas edhe tre kompani të tjera me lidhje me Greqinë në listën e klientëve të tij të lobimit, përfshirë një kompani energjetike dhe një kompani të transportit detar dhe infrastrukturës.
Ai deklaroi më shumë se 440 mijë dollarë të ardhura nga lobimi në nëntë muaj.
Marafatsos ka qenë një prani e shpeshtë në takimet me Guilfoyle në rezidencën e ambasadores dhe në vende të tjera.
Sipas personave që kanë marrë pjesë në takime me të dy, Guilfoyle shpesh e prezanton me fjalët:
“Ky është Christos.”
Ai rrallë flet, përveç rasteve kur ambasadorja i kërkon të japë mendimin e tij.
Ajo shpesh u kërkon personave me të cilët takohet që informacionet shtesë t’ia përcjellin Marafatsos.
Një investitor u takua me Guilfoyle dhe Marafatsos për të kërkuar ndihmën e ambasadores lidhur me mundësitë e investimit në sektorin energjetik, përfshirë potencialisht edhe Aktor.
Në fund të takimit, investitori u udhëzua të ndiqte çështjen me Marafatsos. Më vonë ai u befasua kur mësoi se Marafatsos punonte për kompaninë dhe se nuk ia kishte bërë të ditur këtë fakt.
Brenda disa javësh nga angazhimi i Marafatsos, aksesi i Aktor në administratën Trump u rrit ndjeshëm.
Në një konferencë në Greqi në nëntor, ku merrnin pjesë zyrtarë të kabinetit, përfshirë Burgum dhe Sekretarin e Energjisë Chris Wright, sipërmarrja e përbashkët mes Aktor dhe DEPA njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje 20-vjeçare me kompaninë amerikane Venture Global për blerjen e LNG-së amerikane, duke nisur në vitin 2030.
Guilfoyle pozoi me Exarchou dhe të tjerë, ndërsa sipërmarrja e re nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Rumaninë dhe kompaninë ukrainase Naftogaz, ndër të tjera.
Një zëdhënëse e Venture Global tha se kompania ishte takuar me Aktor dhe DEPA për të diskutuar një marrëveshje të mundshme furnizimi, pasi ishte takuar me Guilfoyle për korridorin vertikal, dhe se kishte pasur marrëdhënie tregtare me DEPA-n prej vitesh.
Kompani të tjera amerikane të LNG-së që nuk kanë nënshkruar marrëveshje me Aktor thonë se kanë pasur vështirësi të tërheqin vëmendjen e Guilfoyle.
Jonathan Bass, CEO i Argent LNG, një konkurrent me bazë në Luiziana i Venture Global, tha se kompania është injoruar nga Guilfoyle.
I pyetur nëse Guilfoyle e ka promovuar Argent në ndonjë prej bisedimeve të saj, ai u përgjigj:
“Jo. Ajo ka të preferuarat e saj.”
Avokati i Guilfoyle tha se ishte e pavërtetë që ambasada e kishte injoruar Argent.
Në dhjetor, Exarchou mori pjesë në një mbrëmje në Kennedy Center dhe pozoi për një fotografi me Trump.
Në samitin e Davosit në Zvicër në janar, Exarchou u takua me Guilfoyle dhe pozoi për një fotografi me Eric Trump, djalin e presidentit.
Një zëdhënëse e Eric Trump tha se ai “nuk ka idenë se kush është”.
Në shkurt, Exarchou u kthye në Uashington me Guilfoyle, duke iu bashkuar ministrave të Energjisë të Greqisë dhe Bullgarisë për një darkë në Joe’s Seafood, një restorant përballë Shtëpisë së Bardhë.
Të ftuarve iu kërkua të tregonin me radhë se si e njihnin ambasadoren ose të ngrinin një dolli për të, sipas personave të njohur me darkën.
Në darkë ishte edhe Fancy James, stilisti i Guilfoyle, i cili publikon fotografi të saj me hashtagun #ambassador.
Exarchou u takua gjithashtu me shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, tha një prej personave.
Ditën tjetër, në një konferencë, sipërmarrja e përbashkët e Aktor nënshkroi memorandume të reja mirëkuptimi me kompanitë e gazit në Bullgari, Ukrainë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë.

CEO-ja i Aktor, Alexandros Exarchou, flet gjatë një konference në Selanik.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, merr pjesë në takimin e vitit 2025 të Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në fushën e Energjisë, të zhvilluar në Athinë në nëntor 2025, së bashku me Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, dhe Sekretarin e Brendshëm, Doug Burgum.
Në mars, Guilfoyle bëri një vizitë të padeklaruar në kryeqytetin e Shqipërisë, qeveria e së cilës po përpiqej të afrohej më shumë me Shtëpinë e Bardhë.
Ajo nuk mori me vete staf të ambasadës. Mbërriti pas rënies së natës me një SUV të zi, së bashku me Marafatsos dhe Exarchou, dhe mori pjesë në një takim me kryeministrin Edi Rama.
Aty, ajo i prezantoi Shqipërisë mundësitë për bashkëpunim në sektorin energjetik.
Disa javë më vonë, qeveria shqiptare mori një email nga National Energy Dominance Council i administratës Trump, ku sugjeroheshin kompani që mund të ishin të interesuara për të bashkëpunuar me Shqipërinë për blerjen e gazit amerikan.
E vetmja marrëveshje e ofruar ishte një marrëveshje me Venture Global, furnizuesin amerikan të LNG-së që kishte nënshkruar me Aktor disa muaj më parë, tha ministri shqiptar i Energjisë, Enea Karakaçi.
“Shikoni, nuk mendoj se kishte, le të themi, shumë kompani në atë email.”
Në prill, Guilfoyle u kthye në Shqipëri, këtë herë për ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje 6 miliardë dollarëshe dhe 20-vjeçare, sipas së cilës kompania shtetërore shqiptare e gazit do të blinte një miliard metra kub gaz në vit, të siguruar nga Venture Global përmes një filiali amerikan që Aktor kishte regjistruar disa javë më parë.
Avokatët e Aktor thanë se Atlantic-SEE zbaton të gjitha marrëveshjet e kompanisë për LNG-në.
Në qershor, Atlantic-SEE njoftoi se do të dyfishonte sasitë e gazit që do të blinte nga Venture Global.
Aktor vlerëson se të ardhurat e saj para taksave nga marrëveshjet e LNG-së që ka nënshkruar ose që janë “në proces për t’u nënshkruar” do të arrijnë në 1.8 miliardë euro gjatë një periudhe 20-vjeçare.
Ndërsa Guilfoyle përgatitej për fjalimin e saj në një sallë anësore të konferencës së Selanikut në fillim të këtij muaji, Marafatsos nxori kokën nga dhoma për të biseduar me delegatët.
Ajo ia dha telefonin e saj Marafatsos përpara se të ngjitej në skenë për një panel me titull “Siguria energjetike, bashkëpunimi rajonal dhe partneritetet strategjike”.
Avokati i Guilfoyle tha se ai mbante telefonin e saj personal sepse fustani që kishte veshur nuk kishte xhepa.
Në fjalën e saj, ajo vlerësoi marrëveshjen Atlantic-SEE me Venture Global dhe promovoi përparimin e korridorit vertikal, duke e cilësuar atë si:
“diçka që, sinqerisht, nuk e kemi parë kurrë më parë.”
Ndërsa Marafatsos e shikonte nga poshtë skenës, ajo iu drejtua audiencës me një batutë:
“Jeni të mirëpritur, Greqi.”
Ky material është pronësi intelektuale e The Wall Street Journal, përktheu Hashtag.al


