
Mediat gjermane prej ditësh shkruajnë se një shqiptare do jetë Zonja e Parë e Baden-Württembergut. Bashkëshorti i saj Cem Özdemir ka fituar shumicën pas zgjedhjeve lokale. Partia e Gjelbër ka mundur CDU-në edhe pse me një rezultat shumë të ngushtë ku sipas gjasave do jenë në koalicion. Cem Özdemirit, pritet të marrë detyrën e kryeministrit të ri të rajonit. Flavia Zaka, shqiptarja nga Kanadaja dhe Özdemir janë martuar vetëm 2 javë para zgjedhjeve në bashkinë e Tübingenit dhe siç shkruan “Morgenpost”. Fotot e dasmës dhe buqeta e luleve të nuses ishin shumë të bukura, aq sa nuk mund të anashkaloheshin. Ata jetojnë bashkë që nga fundi i verës së kaluar në Stuttgart dhe dasma u zhvillua në një ceremoni private dhe sekrete. “Ata u takuan në vitin 2023 gjatë një feste private, ku Flavia ishte e ftuar nga një mik i përbashkët dhe aty “u ndez shkëndija” mes tyre, citohet të ketë thënë Zaka në një intervistë për “Südkurier”. “E njoh Stuttgartin më shumë sesa e njoh Cem-in. Këtu u takuam”-tha ajo.

Kush është Flavia Zaka?
Flavia Zaka që sipas gjasave do jetë krah kreut të rajonit të Baden-Württembergut, si Zonja e Parë ka jetuar në Kanada si avokate e profilizuar kryesisht në çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut. Zaka ka lindur në Shqipëri dhe ka emigruar drejt Kanadasë në moshën 12-vjeçare. Falë përvojës si avokate Zaka ka qenë e përfshirë në projekte qeveritare dhe organizata joqeveritare, po ashtu edhe në angazhime sociale kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Në Stuttgart të Gjermanisë Zaka ka marrë pjesë në aktivitete kulturore që lidhen me letërsinë gjermane. Zaka ka ofruar konsulencën e saj në çështje që lidhen me trafikun, ka dhënë vullnetarisht mësime joge dhe nocione bazë për drejtësinë, shkruan “Albinfo”. Intervistën e saj për “Südkurier”, Zaka e mbyll duke folur për vështirësitë e shkëputjes nga Kanadaja, puna, familja dhe një qenush shumë të dashur.



