
Nga Ilir Kulla
Do ta nis nga njohja me Tanin. Gjatë luftës së Kosovës dikur nga marsi i 1999 më takoi të takohesha me Sabitin (Gecin), i cili përtej emrit që kishte si bashkëvendas dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit kishte dhe emrin e një njeriu të ashpër që sidomos një pjesë e atyre afër LDK-së e kishin shumë frikë, me të drejtë ndoshta. Sabiti kishte qenë me paterica se ishte i plagosur dhe unë mendova se do kishte disa njerëz që do e shoqëronin, në fakt ishte vetëm një djalë i ri vogël, i hollë që e shoqeronte ai ishte ky Dritani i sotshëm. Në atë moment nuk e njoha vetëm se kuptova që ishte nga Shqipëria.
Disa ditë më vonë po flisja me Rramush Tahirin (i ndjeri) ish Zv. Kryeministrin e Kosovës, i cili më kujtoi që Dritani ishte ai piloti ushtarak i vogël që bashkë me pilotin tjetër të ndjerin Sallaku na kishte trasportuar në spitalin ushtarak (zv. drejtor ishte Presidenti i sotshëm Begaj) në Tiranë kur ishte plagosur gazetari francez dhe sheshin ku do ulej helikopteri e kishte hapur dhe garantuar me kallash në dorë i ndjeri Fatmir Haklaj së bashku me Ferizin Kërnajën. Më vonë u informova dhe mora vesh që Tan piloti ushtarak ishte djali i njërit nga pedagogët tanë në shkollën ushtarake Dilaver Goxhajt, i cili kishte shkuar në Kosovë dhe ishte bërë zëvendësi i Shefit të Shtabit Bislim Zyrapi dhe bashkë me të kishin shkuar dhe disa oficerë të tjerë. Dritani kur kishte lënë aviacionin ushtarak dhe kishte shkuar në UÇK kishte marrë me vete dhe 3 oficerë të rinj shokë të vetë dhe piloti ushtarak, mosha bën të vetën ishin të rinj, lufta e kishte çuar adrenalinën patriotike në maximum kudo që kishte shqiptare.
Përfundon lufta Qeveria e përkohshme vendoset në Prishtinë Azem Syla komandanti i Përgjithshëm i UÇK bëhet Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme me Kryeministër Hashim Thaçin. Daja (Azemi) ministri nga Drenica kishte marrë këshilltare 2 ushtarake nga Shqipëria Dilaver Goxhaj-n dhe Spiro Butkën që kishin qenë në UÇK. Për këtë arsye familja e vogël e Dilaverit bashkëshortja ushtarake edhe ajo dhe motra Rezi studente IT vendosën në Prishtinë. Ritakohem disa herë me Dritanin dhe disa nga shokët e tij të UÇK-së nga Kosova dhe Shqipëria për biseda të lira politike po asgjë me shumë. Fillon lufta në Preshëve, unë punoja për agjencinë ANSA në Kosovë dhe shef kisha Carlo Bollino-n i cili me thotë duhet se s’bën të shkojmë e të bëjmë një reportazh në luftën e UÇPMB-se.

Po i thashë u lidha me dikë që më tha që 2 nga komandantët i njihja mirë Tan Goxhajn dhe Agron Haradinajn ndjestë pastë vëllain e Nasimit. Epo thashë si rrihet këtij do ta vrasin andej thashë djalë i vetëm. Nejse nisemi me Carlon kalojmë kufirin, ku ushtarët amerikane ulërisnin ku po shkoni kush jeni etj etj… diku na ndalon një njësi e UÇPMB-se ishte Dritan Zheqi shoku i Tan Goxhajt i cili ishte pak me andej dhe Agroni të cilët me njohën dhe ia bënë me dorë lëri të largohen pasi me njihnin mirë. Me të drejtë Dritani kishte inat me Shqipërinë në atë kohë pasi qeveria shqiptare me Metën kryeministër dhe Hajdaragën ministër i kishin përzënë nga ushtria oficerët shqiptarë sepse kishin braktisur ushtrinë dhe kishin shkuar në UÇK. Mbaron lufta në Preshëve dhe Qeveria e Përkohshme në Kosovë ishte tërhequr tashmë ishte qeveria e UNMIK-ut dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë në shtëpinë e tyre në rrugën “Bardhyl”, ish-ushtarakë të papunë.
Dritani rrinte në Prishtinë dhe një ditë të bukur kthehet në Tiranë dhe del lajmi se policia e Tiranës kishte arrestuar një terrorist nga Kosova. Bollino dhe Cani më thonë mua në redaksi shko ti dhe Artan Hoxha se ti njeh Kosovën e Tani policinë, Tropojën, e të shoh te Drejtoria e Tiranës “terroristi” ishte Tani. Sokol Bizhga e kishte ndaluar se “letrat” ia kishte bërë Sokol Bare ish-zv.drejtor i SHISH në atë kohë ish-oficer policie dhe ai. Unë që i njihja intrigat e Kosovës thashë do jetë përzier në ndonjë konflikt të brendshëm post-UÇK në Kosovë (se në atë kohë kishte shumë) dhe i paskan bërë ndonjë intrigë. Policia manipulon median e Tiranës dhe të nesërmen Tani ishte në burg dhe “terrorist” i rrezikshëm në atë kohë i lidhur me Al Kaedën se Irani s’ishte në modë. Policia jonë kishte thirrur madje dhe oficerët e ambasadës USA për t’u treguar trofeun terrorist, ata e panë e njohën, qeshën, u larguan duke u thënë që ky mund të ketë lidhje me gjithçka por jo me terrorizmin.
Takoj babain e vet, Dilaverin për 1 kafe i mërzitur më thotë: “Këta të Berishës na përsekutuan si me qenë serbë, se ne jemi nga jugu e ju socialistët”, më tha -na persekutoni se ne jemi lebër se jeni lidhur me grekët, helbete Kryetar ishte Fatos Nano dhe Kryeministër një me malësor Jugu se Dilaveri që ishte nga Golemi i Gjirokastres, Ilir Meta nga maja e Çepanit në Skrapar. Nejse një vit më vonë Tani që ishte arrestuar me shumë bujë lirohet pa bujë fare i kishin rënë të gjitha akuzat dhe si t’ia bënin e dënojnë se kishte braktisur ushtrinë si Oficer i aviacionit dhe kishte shkuar në UÇK. Natyrisht i mërzitur në 2002-in bashkë me familjen shkojnë në Prishtinë ku disa ish- bashkëluftëtarë i ndihmojnë ekonomikisht me shtëpi e punë e mbijetojnë. Rezarta mbaron studimet në Prishtinë. Në 2005 në socialistet kishim dalë në Opozitë dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë. Tani bashkë me ta si njeri me pak pretendime, hante bukë njëherë në ditë me shumë pak shokë dilte pak dhe një ndër ata që e merrte më shumë, të dilte isha une dhe rrinte me mua kur kisha kohe. Më thotë: “Më ndihmon dot se jemi të gjithë pa punë, motra ka mbaruar shkëlqyeshëm inxhinierinë dhe nuk ma marrin në punë”.
E marr në venturë, shkoj te zyra e Lulzim Bashës dhe i them vajza e kujt ishte Rezarta nga Gjirokastra dhe Luli më thotë: ‘”Urgjent na duhen njerëz të rinj, të përgatitur, aq më shumë që është vajza e Dilaverit”. Lulzim Basha në atë kohë ministër i Infrastrukturës kishte ardhur nga Kosova. “E di”, -me tha- që janë nga jugu, familje socialistësh, por janë patriotë. Tani me PD- në në pushtet, të shkretët u bënë dhe socialistë. 2 vjet më vonë i shkoj në dasmë motrës, Rezit në Pezë Helmës dhe takoj dhe nënën e Dritanit e cila më thotë: “O Ilir, më kanë ngelur dhe pak vite për pension dhe unë jam inxhiniere ushtarake kimike, kam dëgjuar se po kërkojnë prapë kimiste në ushtri, ti meqë jë Keshilltar I Sigurise Kombetare a mund ti thuash Gjeneralit Lad Qiriazi. I them gjeneralit dhe me kënaqësi e merr në punë aq me shumë që e njihte zonjën. Tashmë me 2 veta në punë e pak të sistemuar familja ishte si më mirë. Jeta ishte modeste në periferi të Tiranës, por si çdo familje ish-ukstarakësh ia dilnin. Një vit më vonë Dritani mundohet të emigrojë në Holandë rreth 1 vit, 4 gjuhe të huaja dhe me eksperincë ndoshta rregullohej. Nuk zgjat shumë, se nuk i prin fati sepse Dilaveri, babai sëmuret dhe ka nevojë për 4 bypasse.
Djali i vetëm kthehet të rrijë me familjen dhe prindërit, ndërkohë unë me hallet dhe punët e mia kisha krijuar familje dhe shiheshim shumë rrallë, por do i shkoja për ndihmë Dritanit dhe shkojmë ta vizitojmë në spital. Mbaj mend që kam shkuar më duket me Prefektin e sotshëm, ish-Prokurorin e atëhershëm, mikun tim Shkëlqim Hajdari. E shoh Dilaverin ishte keq, po do ia hidhte, kishin ardhur dhe disa njerëz nga Kosova ta vizitonin. Pijmë një kafe me Dritanin i cili më thotë: “ S’kam ç’të bëj, tani s’shkoj dot më askund duhet të rrij së prindërit po bëhen të moshuar. U përpoqa t’i gjej një pune te Casa Italia si përgjëgjes Sigurie ku vazhdoi ca kohë dhe pastaj u largua. Punoi ca kohë si shef sigurie tek “Belle Air” dhe pastaj Denion Ndrenika gazetari orthodkos mik i Dritanit nga Kosova e merr të punojë te Siguria e Aviacionit Civil. Dritani me karakterin e vështirë që kishte se nuk i firmoste disa procedura.aspak trasparente Drejtorit të madh partia këtë rradhë, LSI-ja vendos ta largojë. Listat i kishte bërë Elona Guri sekretare e rëndësishme në Parti pasi Drejtoria i perkiste LSI-se kishin vendosur ta hiqnin. I shkoj Elona Gurit dhe i them: “Njeriun me asket dhe më të pakorruptueshëm keni bërë ndërmend të hiqni, si s’ju vjen turp? Jo.”- më thotë Elona – më kanë thënë që janë familje socialistësh t’ia gjejnë ata një vend pune.” I thashe të kanë gënjyer është thjesht një njeri fatvështirë, pilot i mirëshkolluar, patriot e hallexhi. Nejse nuk ndryshoi, pak më vonë menduan ekipi patronazhist ta nxirrte me LSI-ne e ta hiqnin nga puna.
Ndërkohë kishte njohur një pedagoge e ishte martuar. Më merr një ditë në tel e më thotë: “Duhet të të qeras se u bëra baba me djalë”. Shkova e urova me kënaqeëi. E pyes ç’u bë për punë. Tha: “S’ka problem gruaja është pedagoge, vetë bëj ca përkthime, një shtëpi me qera e kemi marrë, s’kemi lekë të marrim dado, pak më ndihmon mami, merrem me rritjen e djalit”. M’u bë qejfi sinqerisht. E takoj kur arrestohet Hashimi me Rexhën, Jakupin e të tjerë ishte mërzitur shumë. Më tha turp ç’është kjo punë e tjerë. Unë si oportunist i them: “Po shih punët e tua! Jo- më thotë duhet t’i thuash Presidentit e të tjerëve të mbajnë qëndrime të forta. E shoh që kërkonte dokumente shkruante, jepte intervista kundër prokurorisë e Gjykatës dhe ditën kur dënohet Sali Mustafa, mik i Dritanit i godet me emër dhe mbiemër disa nga dëshmitarët fals të Gjykatës nga Shqipëria do shkojë dhe Kosova.
E marr në telefon dhe i them o Tan mos u merr me atë punë te gjykatë speciale në Kosovë e këtu po të marrin dhe po të këpusin në burg. E ashtu ndodhi një ditë të nxehtë vere para 3 vitesh më merr miku im Prof. Ermir Gjinishi e më thotë: “E morën në burg komandantin, kë mor i them Tanin”. Shkoj takoj prindërit e moshuar të mërzitur shumë, gruan me fëmijën e vogël, miq nga Kosova dhe Maqedonia që më merrnin në telefon. Ç’të bëja. I shkoj Erion Veliajt në zyrë sepse nëna e tij ushtarake kishte punuar me babain e Dritanit në Akademinë “Skënderbej”. Erioni merr në telefon Ulsiun, minsitrin e Drejtësisë. “S’kam c’bëj” thotë Ulsiu, -Haga është sipër meje”. Shkoj në gjyq, kishin ardhur 6 veta nga gjykata e Hagës dhe 1 nga ambasada amerikane për të ekstraduar në Hagë se kishte thënë emrat e Dëshmitarëve, jo se s’i dija dhe unë, po thjesht s’ma mbante. Shyqyr që gjykata e Apelit nuk e ekstradoi se do ishte akoma në burg.
Në këto kohë e kam parë që më bënte “konkurrencë” nëpër studio televizive si analist ushtarak sepse e vërteta është që punon shumë dhe është goxha i përgatitur, here ia fut kot e herë jo, po tek e fundit si të gjithë ne që dalim nëpër banaqet televizive dhe marrim dhe ndonjë honorar. E shoh para ca kohësh që ishte bërë hero tik-toku se ç’nuk i kish thënë Fredi Belerit i kishte thënë ti je agjent i SHISH-it. Mbrëmë teksa kthehesha nga Kosova më nis një mik në Ëhats up kërkesat e protestës me zërin dhe figurën e Dritanit. Kur mbërrij në Tirane shoh kundërpërgjigjen e Taulantit, shokut tim të vjetër socialist që e përshkruante si agjent të Iranit.
Në fakt në jetën e Dritanit kjo i mungonte, se agjent të Izraelit i kishin thënë njëherë para 15 vitesh se shoqëronte një mikun tim ushtarak izraelit Nir Shaul, i mungonte vetëm kjo e Iranit, po mirë e kuptueshme në këtë tollovi që është krijuar gjithçka gjen vend e gjithçka mund të thuhet. Tani kam një pyetje retorike: Kush nga ju, po të kishte patur një jetë si ajo e Dritanit, i shkolluar jashtë, me 4 gjuhë të huaja dhe kaq shumë halle a do ishte sot në protestë apo jo?! Sa për mua, unë ia njoh mirë mendjen, ai s’ka frikë asnjë lloj pushteti, asnjë lloj kërcënimi, banda e banditët jo e jo të çdo lloji e me sa lekë të duan, s’ka miliarderë ta kërcënojë se është lloji i robit që s’i do lekët dhe lluksin, si asket që është, shko rri i vetëm në mal. Kështu që duke i vënë një “akuzë” më shumë nuk e dobësoni, vetëm i forconi. Me njerëz si Dritani merresh vesh me të mirë, se me të keqe s’ia del dot kurrë, se nuk janë oportunistë intelektualë si unë.


