
A e dini se çfarë është saktësisht tranzicioni i gjelbër? Për ta bërë të thjeshtë shpjegimin e saj u nisëm drejt Elbasanit së bashku me ekspertin e energjisë, Gjergji Simaku për një bashkëbisedim me nxënës të shkollës “Jorgji Dilo”. Simaku iu përgjigj pyetjeve të tyre duke e shpjeguar qartë se është një kalim nga energjia e prodhuar nga nafta, qymyrguri e gazi, në shfrytëzimin e burimeve më ekologjike siç janë uji, dielli, biomasa apo edhe era.
“Është një adresim i ndryshimeve klimatike. Pas konferencës së Parisit ku Shqipëria ishte palë, u vendos që të ulej temperatura e rruzullit me 1.5 gradë Celcius deri në vitin 2030 dhe kjo ishte konferenca më e madhe në botë pas asaj të Kyotos, ku vendet morën vendim së bashku me ndotësit më të mëdhenj që janë Kina, India dhe SHBA-të dhe kjo ka qenë një nga sfidat e Barak Obamës e cila solli në Paris në 2015-ën konferencën e famshme ku Shqipëria u zotua që të reduktojë me 11.5 % gazet me efekt serë”, -tha Simaku duke vlerësuar futjen e makinave elektrike si shenjë të zhvillimit, sikurse edhe zgjerimin e rrjetave të energjisë ku të gjitha bashkë ndikojnë në reduktimin e dioksidit të karbonit dhe nxitjen e burimeve të rinovueshme. Gjatë bisedës ai sqaroi mbetjet më të mëdha të CO2 shkaktohen nga mjetet e transportit.Nxënësit shprehën kureshtjen e tyre për burimet energjetike që ka Shqipëria për të cilat ai e thotë që në fillim se ne jemi vend ku dominojnë burimet fosile. “Ne jemi vend i prodhimit të naftës nga pikëpamja e burimeve, po nuk jemi një vend prodhues i naftës të gatshme për sektorin e transportit. Një burim i jashtëzakonisht i mirë energjie deri vonë kanë qenë drutë e zjarrit, ose ndryshe siç quhet biomasa, ajo zë rreth 10-15 % të këtij burim”, thotë ai duke u ndalur te burimi i energjisë elektrike i prodhuar nga hidrocentralet.
Duke e quajtur si burimin kryesor të energjisë atë të hidrocentraleve, ai thotë se këtu ka edhe një problem: “Nuk mund t’i përdorim hidrocentralet gjatë gjithë vitit dhe kjo ka bërë që ne të ekspozohemi në raport me importin e energjisë elektrike për shkak të thatësirës, por edhe për shkak të periudhës së dimrit kur hidrocentralet vijnë me furi e nuk mund t’i shfrytëzojmë, atëherë detyrohemi ta shesim ketë lloj energjie dhe në periudhën e verës kur ne na duhet energjia elektrike, hidrocentralet janë zbrazur dhe prandaj dhe në vitet e fundit ka filluar dhe është bërë diversifikimi i këtyre burimeve energjetike përmes paneleve fotovoltaike ose energjisë nga dielli, por ka edhe shumë zhvillime nga eolikët ose energjinë nga era”, thotë ai.
Ajo që përftohet nga zhvillimi i burimeve të energjisë së rinovueshme sipas ekspertit Simaku, është zëvendësimi i burimeve fosile që ndotin ambientin. “Mundësia që kemi sot, është që sektorin e transportit ta kthejmë jo vetëm me naftë, por edhe me bionaftë apo biokarburante, kur një pjesë e naftës që kemi brenda në makinë zëvendësohet me burime të rinovueshme bio që vijnë nga energjia e rinovueshme. Po kështu makinat elektrike mund të shfrytëzojnë energjinë elektrike nga prodhohet nga hidrocentralet dhe panelet fotovoltaike”, sugjeron ai.
Një tjetër nxënës pyeti se ku jemi ne në raport me vendet e rajonit lidhur me burimet e energjisë së rinovueshme, për të cilët eksperti tha: “Shqipëria nuk është vendi i parë në rajon për energjinë e rinovueshme”. Më tej Simaku argumenton: “Edhe vetë energjia elektrike ndodhet para në ekuacioni që praktikisht mund ta zgjidhë energjia fotovoltaike. Nëse ne do prodhojmë energji fotovoltaike, do barazojmë këtë energji, me energjinë e hidrocentraleve. Në këtë kuptim Shqipëria nuk është vendi i parë në rajon që e ka energjinë e rinovueshme, sepse gjithmonë edhe për shkaqe politike ajo bëhet vendi i parë”.
“Maqedonia apo Serbia kanë ecur shumë përpara me planet e tyre për zhvillimin e burimeve të rinovueshme. Ne jemi një vend që akoma, me zor po i zhvillojmë burimet e rinovueshme të energjisë. Imagjinoni edhe sot që flasim ka një bum të paneleve fotovoltaike dhe ne kemi arritur që vetëm 15 % të energjisë elektrike e kemi shfrytëzuar me energji fotovoltaike”, tha Presidenti i Kolegjit Teknologjik të Tiranës (TCT), Gjergji Simaku. “Kur e gjithë Europa ka këtë fokus, edhe për Shqipërinë nuk ka rrugë tjetër. Duke iu drejtuar panelit të fëmijëve të interesuar për mjedisin, ai u tha: “Duhet të shikoni vetëm energjinë e pastër, vetëm energjinë e gjelbër, që nuk ka mbetje të CO2 dhe kjo është energjia që vjen nga uji, dielli, eolikët, gjeotermia dhe biomasa, të gjitha këto lloj energjish, janë energji që nuk shoqërohen me CO2!”.

Fondet për zhvillimin e energjisë së rinovueshme ishin një tjetër çështje, ku ai siguroi se: “Duket se ne jemi vend i varfër për të ndërtuar burime të rinovueshme. Nuk është kjo çështja, ka plot investitorë sot që janë orientuar drejt burimeve të rinovueshme dhe janë investitorë potencialë ndërkombëtarë që po e zhvillojnë këtë”.
Konkretisht për situatën në Shqipëri ai thotë: “Duhet të tregohemi të zgjuar, të zhvillojmë ankande, të fitojmë çmime të ulëta. Ndoshta e keni parë që zhvillimi i ankandeve në Karavasta dhe Spitallë me energji diellore, Shqipëria po blen nga këto 2 impiante energjinë më të ulët nga pikëpamja e kostos në rajon”. Një strategji shumë e mirë sipas tij është ndërhyrja e shtetit që organizon ankande dhe jep mundësi për zhvillimin e tokave për panele fotovoltaike. Një zgjidhje sipas tij është: “Shteti organizon ankande, jep mundësi me tokën që të zhvillohet toka për burimet fotovoltaike dhe me këtë përfiton çmimin, pra lëshon diçka, për të marrë diçka në këmbim. Dhe nuk është çështja te paratë, këtu, nuk është çështje buxheti. Këtu është çështje sjelljesh dhe politikash për energjinë e rinovueshme”.
Zonat më të favorshme për zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme për të janë tokat e kripura që nuk përdoren, por vlerësoi edhe kulturën e paneleve diellore sikurse shkolla “Jogji Dilo” ka vendosur. Si një vend që ka shumë ditë me diell, ai tha se u duhet thënë “boll hidrocentraleve” dhe të zhvillohen panelet fotovoltaike. “Mos hiqni dorë nga prodhimi i vogël si në shkollën tuaj! Kushdo që vendos një panel fotovoltaik jep një kontribut më shumë për rritjen e nivelit të ujit në hidrocentrale dhe kjo është balanca që duhet të vendosim”.
Krahas vlerave pozitive, edhe kjo lloj energjie ka ndikime në ambient. “Kanë një mbetje mjedisore”, thotë ai. “Çdo projekt shoqërohet me një ndikim në mjedis, dhe shikohen anët pozitive çfarë sjell një projekt dhe anët negative që mund të parashikojë. Është një diskutim i gjatë që panelet fotovoltaike po na zënë tokat bujqësore, por duhet të dimë që ne nuk i punojmë shumë tokat bujqësore, kemi hequr dorë nga tokat bujqësore, prandaj pse të mos i shfrytëzojmë edhe për këtë pjesë pavarësisht se qeveria ka politikat e veta e nuk e përdor tokën bujqësore për zhvillimin e paneleve fotovoltaike dhe ky është një ogur i mirë”.
“A merret mendimi i banorëve të zonave ku ndërtohen këto projekte?”-pyeti një nxënëse. Simaku me përvojën si ish-zv.ministër i Energjetikës shpjegoi procedurën ku ai komentoi reagimet e banorëve në dy mënyra: “E para i shoh si zhvilim shumë të mirë nëse bëhet fjalë për një projekt të energjisë së rinovueshme, nëse bëhet fjalë për një termocentral me gaz a qymyr atëherë do isha krejtësisht kundër, sepse është kundër mjedisit. Atëherë shoh balancën mjedisore që ka. Dhe e dyta është që në ligjet tona dhe në vendimet tona ne marrim gjithmonë mendimin e banorëve përpara se të ndërtojmë”.
Ai ndalet edhe te qëndrimi i ambientalistëve të cilët ngrenë shpesh zërin nëse cënohet natyra. “Fillimisht reagimet fillojnë nga ambientalistët të cilët janë shtresa më e ndërgjegjësuar. Ambientalistët për hir të vërtetës nuk duan asnjë zhvillim, nuk duan asnjë lloj industrie të zhvillohet, por industria energjetike do të ecë, vendi do zhvilloht, kërkesat për energji do të rriten, kështu që duhet ta prekim pak ambientin, por ta prekim në mënyrë miqësore. Të jemi sa më miqësorë e këtë lloj ambienti, por jo se është taksative, “s’duam, nuk duam ta bëjmë”, kjo është një shprehje që duhet parë me kujdes”.
*Shënim: Ky shkrim i gazetarisë konstruktive u mbështet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur Për Shqipërinë


