
Që të marrësh dëftesën e shkollës 9-vjeçare apo asaj të mesme të duhet të kalosh orë e orë të gjata ulur në banka, të kalosh teste të njëpasnjëshme, madje të kalosh edhe provime kombëtare. Vetëm atëherë kur ti i kalon ato me rezultate sipas minimumit të caktuar do të mund t’u gëzohesh sukseseve të radhës; regjistrimit në universitet, zhvillimit të karrierës e me radhë.
Në këtë parashikim të radhëve të vendimeve për jetën tënde, diku mes fazave, vendos të bëhesh prind.
Por gjërat nuk funksionojnë gjithnjë kështu në jetë. Mes atyre fëmijëve që do duheshin të kalonin orë pune e djerse në shkollë, apo teste të njëpasnjëshme ka edhe nga ata që heqin dorë apo që sistemi nuk i ndihmon dot më.
Megjithatë, shumë prej këtyre fëmijëve bëhen prindër. Një pjesë prej tyre mund të mos duan fëmijë ose për një arsye apo për një tjetër mund të mos munden, por po të vëzhgojmë me kujdes shoqërinë tonë, në pjesën dërrmuese të saj, familjen me pasardhës e ka nuklin bazë të organizimit.
Po shoqërinë nuk e përbëjnë vetëm këta të parët, që ndjekin rrugën e gjatë të edukimit, ku kanë mundësi të mësojnë, të formohen, të reflektojnë, të hedhin poshtë stereotipe apo gjykime e modele të gabuara që i kanë mësuar apo që kanë burime të pafundme informacioni, impakt në shoqëri dhe sigurojnë të ardhura më të mira. Shoqërinë e përbëjnë të gjithë ata që kanë fatin, apo rastësinë po deshët ta quajmë, të lindin në Shqipëri. Edhe ata me burime të kufizuara dijesh e informacioni.
Pra, shikoni se çfarë ndodh. Që ti të ushtrosh një aftësi të caktuar në shoqëri të duhet të pajisesh me dëftesa, me diploma, me licenca, deri edhe te gradat po deshët. Që ti t’i japësh makinës duhet të testohesh jo vetëm në teori, por edhe se si i jep asaj në praktikë.
Por kur vendos të bëhesh prind nuk kalon në asnjë test për aftësitë që të duhen gjatë rrugës. Natyrisht një pjesë e madhe prej nesh mendojnë që prind nuk lind por bëhesh me përvojë, duke pasur fëmijë, duke mësuar e gabuar me ta dhe duke u bërë më i mirë gjatë rrugës.
Po të qe se edukimi paraprak do të ishte një kriter determinant në prindërim më të mirë do ta kishim patur më të thjeshtë për të evidentuar qartësisht se kush nuk do e kryente mirë atë. Por nuk është kështu. Edukimi paraprak para se një çift të bëhen prindër nuk garanton 100 për qind suksesin e një prindërimi të mirë.
Po çfarë mund ta garantojë, ose së paku ta ndihmojë dhe në kushte të tjera edhe ta kontrollojë prindërimin e mirë?
Dhe çfarë lidhje ka prindërimi me shoqërinë e kriminalitetin?

Le të marrim një shembull për të ilustruar lidhjen e tyre. Situata që do pëshkruhet më poshtë ndodh në vendin ku mblidhen të gjithë prindërit e rinj të kryeqytetit; në Poliklinikën Numër X në Tiranë.
Prindërit e rinj kanë mbërritur këtu që te kontrollet e para të shtatzënisë por kur bebi lind, kujdesi rreth shëndetit të tij por edhe të nënës lehone shtohet.
Bebi peshohet, matet, i matet perimetri i kokës, i bëhen vaksinat. Nëna kontrollohet nga mjekja për gjirin, tensionin, flet për rikuperimin e strijave në lëkurë, ushqimin që duhet të konsumojë, aktivitetin fizik etj.
Përveç rasteve ekstreme kur nëna mund të ketë shenja agresive të depresionit pas lindjes, psikologët e klinikës nuk vihen shumë në punë për të folur me prindërit e rinj. Për disa arsye: numrit të madh të pacientëve që mund të kenë për të vizituar dhe numrit të vogël të tyre për të përballuar fluksin.
Kryesisht nënat e reja dhe tek-tuk baballarët e rinj shfrytëzojnë burime të tjera informacioni a ekspertize për të mësuar për shembull se si ta ushqejnë komunikimin me fëmijën e tyre. Si të jenë plotësisht të vëmendshëm te fëmija kur ai pi gji dhe të mos flasin në telefon, se si ta përkëdhelin e t’i këndojnë kur bën banjë, se si ta trajtojnë si një individ me personalitetin e tij që është në zhvillim e sipër, se si t’i mësojnë të folurën fëmijës së tyre duke rrëfyer e i lexuar ata vetë, se si të punojnë bashkarisht të dy prindërit me volumin dhe intonacionin e zërit, se si prindërit të ndihmojnë njëri-tjetrin e të ndërgjegjësohen se përgjegjësia është e barabartë në mirërritjen e mirëedukimin e krijesës së tyre, se si t’i mprehin shijen e muzikës etj etj.
E gjithë kjo perspektivë që kërkon punë të jashtëzakonshme, mes qindrave që prindërit e rinj kanë për të përballuar (ku disa prej tyre do të duhet të përballen edhe me depresionin pas lindjes a probleme të tjera shëndetësore a ekonomike), nuk është se përballohet njësoj nga të gjithë. Dikush bën më të mirën, ndësa dikush tjetër heq dorë.
Megjithatë në disa raste, prindërve të rinj u mungon thjesht informacioni dhe të dëgjuarit e përvojës nga profesionistët se cilat janë rrugët, metodat, sjelljet, vizioni etj. etj. më i mirë në mirërritjen e fëmijës së tyre.
Me rritjen si prindër ata do e kuptojnë se nuk ka formula por nëse e ke neglizhuar apo i ke dhënë modele e orientime në dëm të tij, kur ky fëmijë të shkojë në kopësht a shkollë do të jetë e vështirë për profesionistët që ta nisin punën nga zero.
Edukimi është një proces që nuk ndodh vetëm në shkollë a shoqëri. Së pari nis në familje dhe pastaj individi bëhet pjesë e shoqërisë derisa kupton edhe limitet e saj për të investuar në edukimin individual.
Por le të kthehemi te Poliklinika Numër X në Tiranë. Profesionistin për të cilin kishin nevojë prindërit mund ta quajmë “Edukatori i prindit të ri” por për të mos i lënduar egon prindërit të ri që po kalon në sfida të forta në jetën e tij, le ta quajmë “Ndihmësi i prindit”.
Ky dhënës informacioni (rol që tani e bën kryesisht “Google”), transmetues përvoje (rol që dikur e bënin gjyshet, përvoja e të cilave po shihet me dyshim për disa shkaqe: strukturat e familjes në ndryshim, avancimi i dijeve mbi prindërimin, ripozicionimi i roleve të tyre si primare në edukimin e nipërve a mbesave etj.) a kontrollues gabimesh të rënda në mënyrën si edukohen bebet e reja nuk ekziston në Poliklinikën Numër X.
Pediatrit a mjekët e përgjithshëm kanë njohuri në disa prej këtyre aspekteve dhe në bazë të ndërgjegjes së tyre humane e profesionale mund të ndihmojnë aq sa mundin por do të jetë krejt e ndryshme situata sikur ky rol të zyrtarizohet.
Vende me politika të kujdesshme sociale e kanë të legjitimuar në një formë a në një tjetër por duket se Shqipëria e ka të domosdoshme më shumë se kurrë.
Ndihmësit e prindërve të rinj do të bëjnë që më shumë prindër të bëhen më të mirë në prindërimin e tyre, prindër më të mirë do të mirërrisin më shumë fëmijë, më shumë fëmijë të mirërritur e mirëedukuar do të bëjnë fëmijë më të suksesshëm në shkolla, më shumë fëmijë të suksesshëm në shkolla do të formojnë shoqëri më të suksesshme, të kujdesshme dhe më pak të lidhura më krimin.
Kushti i vetëm që ky propozim të funksionojë është që implementimi i kësaj ideje të mos “shqiptarizohet” dhe nëse ndihmësi i prindit të ri ekziston në strukturat e suportit social shqiptar të ridimensionohet.