Një sërë titujsh mbërthyen portalet ditën e djeshme me atë që dukej e pabesueshme si fillim. Në gojën e kryeministrit Edi Rama ishin vënë fjalë si “do dërgojmë satelitë”, “Albania 1” dhe “Albania 2”. E thënë e gjitha në foltoren e kuvendit do kishte kaluar thjesht si një batutë e radhës për shpërqëndrim, diversion a vëmendje por cikli mediatik deri te Rama-Meme bën që të shohësh “Pikturën e Madhe”. Pse kryeministri bëri të enjten e 14 tetorit këto deklarata? Si kundërpërgjigje ndaj kujt dhe kur erdhën ato? Çfarë kishte ndodhur më parë në Kuvend?

Satelitët shqiptarë “do zaptojnë” orbitën

Rama është i vërtetë në një pikë; në atë që e njeh mirë publikun shqiptar. I mjafton të hedhë shashkat “Albania 1”, “Albania 2”, edhe kritizerët e marrin me seriozitet. Me luksin për të deliruar duke qenë se po qeveris vendin i pashqetësuar për 3 mandate rradhazi, ai ka mundësinë të fusë në delir këdo që shënjestron.

Tha Rama:

“Do blejmë drone, do çojmë dhe satelitë në orbitë. Qeshni, qeshni! Kur të shikoni satelitët “Shqipëria në orbitë”, dhe jo në mandatin tjetër, vitin tjetër, satelitë, “Albania One”, “Albania Two”.

Një sërë statusesh e memesh vërshuan më rrjeteve sociale.

Meme pikante pas deklaratës së Ramës, marrë nga Kazan TV

Duke qenë se skema i rezultoi e suksesshme me publikun shqiptar, ai e përsëriti sërish para gazetarëve se do çojë satelitë në orbitë. Me sa duket Rama-Meme është e keqja më e vogël para amplifikimit të akuzave ndaj biznesmenëve në medie e rrjete sociale, bërë prej rivalit të tij politik.

Çlirimi i Bashës

Është mëse e dukshme mungesa e rehatisë së Ramës që kur opozita u kthye në Kuvend. Aq më e madhe u bë ajo pas djegies së tezës “PD”-ja antiamerikane”, ndërsa Basha mori vendimin për ta përjashtuar ish-kryeministrin Berisha nga grupi parlamentar. Por dje, në ndryshim nga aksione më shumë estetike të opozitës në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, me grisje fletësh votimi a kthime përgjigjesh ironike, kreu i PD-së Basha sulmoi.

Pikërisht dje ai u shfaq ashtu si kishte kohë që kërkohej nga një sërë kritikësh, a një sërë zërash edhe në partinë rivale, e kundërta e liderit që i ka këmbët të lidhura nga Berisha dhe nuk përmend dot emra oligarkësh. I çliruar do qe cilësimi që i shkon më përshtat shqipes.

As teza e bashkëqeverisjes, “pyka” e Ramës si zëvendësim i tezës tjetër “fajin e ka Saliu” nuk e kompleksoi Bashën në komunikimin e tij me publikun, ndërsa foli hapur për raportin me Berishën, duke thënë se nuk pështynte mbi këtë bashkëpunim e se është i ndërgjegjshëm për gabimet.

Tha Basha:

“Unë, nuk pështyj mbi 16 vite bashkëpunimi dhe partneriteti me Sali Berishën. Nuk pështyj! Sikundër nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e procesit që kaq shumë të pëlqen ty, të eksiton, ndoshta në çdo sens, të përbaltjes, të llumit, të gënjeshtrave, të rrenave.

Po ç’ndodhi të enjten në kuvend? Për çfarë e akuzoi konkretisht Basha, Ramën? Cilët biznesmenë përmendi, emrat e të cilëve kryeministri nuk i përsëriti dot pas edhe pse i sugjeroi kryedemokratit t’i drejtohej SPAK-ut?

Ata ishin dy: Shefqet Kastrati dhe Samir Mane.

Tha Basha:

 “Të mori baca Çet ty, ë, të mori baca Çet ty?! Kështu?! Zamiri të mori për tunelin e Llogarasë?! Ça emri tjetër do?! Se janë fut edhe ca të tjerë se nuk dihet ku fillojnë paratë e drogës e ku mbarojnë paratë e tua, e zyrtarëve të tu, se gjysmën e gropave i paguan droga në Tiranë, gjysmën i paguani me paratë që u keni vjedhur shqiptarëve. Se Tirana sot nuk merret vesh nëse Çet Kastrati është pronari apo administratori i pasurive të tua!”.

Lulzim Basha

U përgjigj Rama:

“Këto janë gjoba Lulzim. Nuk është se nuk e di Shqipëria. Këto janë gjoba. E di gjithë Shqipëria se si ndodh që goditet një person me emër, si oligark, si peshkaqen, si peshkatar dhe papritur, pakujtuar mbaron sulmi. Mbaron. Tani atë emrin që përmende, formulo denoncimin dhe shko dili për zot te SPAK-u, meqë thua SPAK-u, SPAK-u, SPAK-u.”

Batutat për krehjen e flokëve apo insinuatat për gjobat që sipas Ramës vë PD-ja ndaj biznesmenëve nuk i funksionuan edhe aq në diskurin publik, prandaj shpresa e vetme mbetën satelitët.

Tha Rama:

“Ji në lartësinë e flokëve të krehura me kujdes, ji në lartësinë e kostumit të mbërthyer me kujdes, ji në lartësinë e buzëqeshjes tënde, mos e prish gojën siç e prishe sot se tregon që je në një hall shumë të madh dhe nuk arrin as ta menaxhosh dot hallin tënd”.

Floriana Garo, sulmi nga “TV Klani”

S’vonoi shumë. Në darkë nga “TV Klan”-i i Aleksandër Frangajt ia behu sulmi ndaj Bashës. Ish-zëdhënësja e fushatës Florian Garo, ish-spikere e “TV Klan”-it u ankua se në PD gjithçka funksiononte mes kryetarit dhe njerëzve të tij dhe se pas përfundimit të kontratës që kishte me ta, nuk kishte marrë asnjë falenderim për punën e spikerimit të deklaratave për shtyp.

Tha Garo:

“Tek eksperienca ime e shkurtër në PD kam vënë re një mbyllje, se gjithçka do të ishte mes kryetarit dhe njerëzve të tij të afërt. Unë që isha zëdhënëse aty …Kisha idenë që gjërat do bëheshin më shumë në ekip dhe kam parë një mbyllje, jo një hapje, jo transparencë me ekipin e fushatës, si do bëhen gjërat, cila do të jetë strategjia. Unë nuk kam patur asnjë lloj feedback-u pas fushatës…Një telefonatë nga zoti Basha, një telefonatë nga ekipi…Asnjë gjë. Dhe mua më është dukur shumë e çuditshme, sepse njeriu thotë… madje dhe një lloj inkurajimi të ekipit, çfarë ka ndodhur dhe çfarë do bëjmë. Asgjë.”

Floriana Garo

Më herët Basha kishte përmendur Samir Manen në parlament. Shpërfaqja më simbolike e lidhjes Mane-Rama është prezenca e Manes në delegacionin socialist të Dubait kurse lidhja e Manes me Frangajn është e qartë herët për publikun shqiptar. Para tij Mane ka rrëfyer se Frangajn e ka shok të ngushtë.

Akuzat e forta të Bashës me emra konkretë oligarkësh u bllokuan nga mediet kryesore televizive, ndërsa rrjetet sociale shpërthyen në meme mbi satelitët e Ramës.

Prandaj dje ishte koha e satelitëve. Ishte një mënyrë efikase sipas Ramës se si t’i dërgosh figurativisht shqiptarët në hapësirë. Në kuptimin që të tentosh që ata të mos marrin vesh se çfarë po ndodh në vend, se çfarë informacioni ka opozita, se tek e fundit shqiptarët deri te memet mbi satelitët e kanë të drejtën e fjalës, gjykimit, veprimit.

Të presim kur të jetë koha e ndonjë deliri tjetër.

Foto e Manes në darkën e Dubait

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)