
Pas valës së protestave që nisën në 15 bashkitë që janë propozuar nga mazhoranca socialiste për t’u shkrirë, kanë nisur konsultimet publike me qytetarët, përkatësisht në Bashkinë aktuale të Maliqit.
Këshilli Bashkiak i Maliqit e nisi procesin e konsultimit publik nga Njësia Administrative Libonik, ku vetë kryetari i këshillit nga radhët e PS-së, Ornildi Demollari u shpreh kundër bashkimit me Korçën, duke argumentuar se ruajtja e një bashkie më vete do të garantonte që shërbimet të mbeten më pranë qytetarëve.
Një qëndrim të ashpër mbajti këshilltari opozitar Fazlli Zholi, i cili tha se ky takim nuk mund të konsiderohet dëgjesë publike me qytetarët, për sa kohë nuk është i pranishëm kryebashkiaku Gëzim Topçiu, të gjithë këshilltarët dhe kryepleqtë e zgjedhur prej tyre. Sipas Zholit, kjo neglizhencë institucionale do të rëndojë mbi çdo qytetar të Maliqit, nga Dushari që është fshati më i largët pranë kufirit me Skraparin, deri te qendra e qytetit.
Ndonëse kryebashkiakët e 14 bashkive që pritet të zhbëhen pretendojnë për standarde të dyfishta për sa i takon përzgjedhjes së bashkive që duhet të shkriheshin, kreu i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar, duke u bërë kështu i vetmi që ka pranuar në heshtje propozimin e Partisë Socialiste. Topçiu është zgjedhur në krye të Bashkisë Maliq që në vitin 2000, duke u bërë kryebashkiaku më jetëgjatë në detyrë, i cili qëndroi i tërhequr ndaj propozimit për zhbërjen e instiucionit që i ka shërbyer për 26 vite me radhë. Kjo gjë u vërejt edhe në takimin që kryeministri Rama pati në Kuç të Vlorës me kryetarët e bashkive për Reformën Territoriale, ku kreu i Poliçanit, i Dimalit apo Selenicës patën debate me shefin e ekzekutivit, ndërsa Topçiu nuk shprehu asnjë kundërshti.

Të zhgënjyer nga udhëheqësit, banorët e 13 fshatrave të Njësisë Administrative Libonik u shprehën se konsultimet publike në një kohë kur drafi është dorëzuar janë pa vlerë, duke arsyetuar se shërbimet nga një bashki e madhe si Korça do të jenë më të pakta për ta.
Megjithatë, konsultimet do të vijojnë në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Maliq dhe më 20 gusht, Këshilli Bashkiak pritet të zhvillojë mbledhjen e posaçme, ku do të përcaktojë qëndrimin zyrtar për propozimin e reformës territoriale, i cili më pas do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë.


