
Nga Indrit Vokshi
Edi Rama dhe spin-media e tij po thonë se ka dorë Greqia, ose ata të cilët nuk e duan Shqipërinë të zhvilluar. Spin media zyrtare e Sali Berishës por thotë se Edi Rama gjendet mes Soros dhe Trump. Pra fijet e Sorosit po organizojnë protesta për ta kërcënuar Edi Ramën.
Këto janë qëndrimet që po mbahen në Kupolën e Pushtet-Politikës. Kjo është lufta luksoze që po zhvillohet në koridoret e majave të pushtetit, ku palët parlamentare po përpiqen të krijojnë secila një version të vetin.
Edi Rama nuk dëshiron që protesta të duket “e qytetarëve”, sepse ai deri sot ka krijuar imunitet prej protestave partiake të cilat e kërcënojnë me hedhje në Lanë dhe fshehje i tmerruar në Surrel. Ajo lloj proteste ia unifikon socialistët partiakë, ndërsa kjo tjetra më rinore dhe më e çliruar nga klishetë, e delegjitimon pak më shumë.

Sali Berisha nuk dëshiron që protesta në fjalë të shihet si protestë qytetare pak më rinore sepse vetiu lind pyetja pse kjo rini nuk i bashkohet atij dhe, njerëzit nisin e mësohen dhe ambientohen me mendimin se protestat më të vlefshme janë ato të cilat nuk i komandon partia më e madhe parlamentare e deklaruar si opozitë. Edhe kësaj u ndodh delegjitimim publik.
Kjo protestë nuk është homogjene, ka heterogjenitet, ka shumë ngjyra, shumë bindje, shumë interesa. Dikush proteston sepse nuk do investime të mëdha miliarderësh, dikush sepse quhet ambientalist, dikush sepse e sheh si rast për të treguar se pushteti duhet kufizuar e i duhet demonstruar forcë.
Dikush tjetër është i zemëruar se pse askush nuk proteston për diçka të vlefshme. Dikush tjetër pse nuk ka pasur më parë protestë simpatike. Janë disa bindje e mentalitete brenda të njejtës protestë. E nuk ka asgjë të keqe.
Shoqëritë nuk mund të jenë bardhezi, as bardhezi në njerëz, as bardhezi në motive, as bardhezi në interesa. Shoqëria normale me pretendime demokratike është shoqëri e konglomeratit ku ka bindje e ngjyra të ndryshme dhe që të gjitha janë njëlloj të barabarta legjitime.
E rëndësishme është që kjo protestë është ngjarje politike e cila arrin të prodhojë debat, aq debat sa skanë prodhuar protestat ngushtësisht partiake.
Shqipëria ka nevojë edhe për ketë lloj ngjarjeje. Një vend e një shoqëri nuk kaliten dhe nuk maturohen pa ngjarje politike dhe konkurim interesash. Nëse ska ngjarje të tilla ka vetëm vendnumëro të pushtetit bipolar të dy palëve të cilat i mbajnë frenat me konsensus duke iu futur njerëzve shiringën e mpirjes.
Jo mpirjes! Si pati thënë Adem Demaçi; kur u dënova i thashë policit serb se ju po punoni për ne. Si për ju o Demaç, më tha, një herë 7 vjet burg, një herë 15, e po punojmë për ju? Po po, për ne, sepse qëllimi ynë është që këtu të bëhet rrëmujë e hallakamë që bota ta kuptojë se këtu diçka nuk shkon në rregull.
Sot shqiptarët e joshqiptarët duhen bindur duke ua tronditur botëkuptimin se këtu asgjë nuk shkon në rregull, se punët janë shumë keq.


