
Nga Abdulla Diku
Isha për drekë në Zvërnec.
Më takon ta them se, nëse projekti përparon, vitin tjetër ky vend mund të mos jetë më i njëjti për shqiptarët. Të paktën jo për shqiptarët e klasës së mesme dhe ata me të ardhura të pakta. Ata as do lejohen të hyjnë e as do kenë kurrë mundësinë të hyjnë më në këtë territor.
Sot, kjo është pikërisht kategoria që mbush plazhin. Ka edhe turistë të huaj, shumë prej tyre kan ardhur pasi kanë dëgjuar për “revolucionin e flamingove”. Vijnë të shohin lagunën, flamingot dhe të bëjnë plazh. Natyra ua ofron të gjitha këto pa pasur nevojë për resorte luksoze.
Për drekë u ula në një nga restorantet e zonës, pikërisht aty ku në letër janë planifikuar vila për të pasurit.
Biseda me zonjën që ishte njëkohësisht kuzhiniere dhe kamariere më mbeti gjatë në mendje.
“Kam qenë në Amerikë. Kam punuar atje për 10 vjet. Në kuzhinë, 12 orë në ditë. Kur dilja nga puna, më duhej gjysmë ore të merrja veten e të orientohesha për në shtëpi. Ishim bërë si robotë.”
Pastaj u kthyem këtu. Ndërtuam këtë lokal dhe punojmë familjarisht.”
Kur pashë çmimet, mbeta i habitur. Ishin më të lirat që kam parë nga Velipoja deri në Ksamil.
“Nuk dua të abuzoj me klientët. Këtu vijnë kryesisht njerëzit e zakonshëm. Nuk kanë mundësi për më shumë.”
Kur erdhi momenti të paguaja, i zgjata 5 000 lekë.
“Nuk kam të të kthej. Sot je i dyti klient që kemi për drekë. Nuk kemi bërë ende xhiro.”
E pyeta pse nuk e kishin sistemuar diçka më mirë lokalin.
“Jemi në proces legalizimi… po presim.”
Sa kohë?
“Nga viti 2006.”
“Ujin e kemi me pus. Energjinë elektrike e marrim nga komshiu, të cilit i paguajmë 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Tatimet dhe sigurimet i paguajmë rregullisht.”
Pra, prej vitit 2006 presin një përgjigje.
Mbi njëzet vjet.
“As po na legalizojnë, as po na thonë jo. Ndoshta bëmë gabim që u kthyem nga Amerika. Më vjen keq për fëmijët tani…”
Pastaj biseda kaloi te projekti i Zvërnecit.
“Mendon se do të bëhet?” – më pyeti.
I thashë:
“Nëse bëheni bashkë si banorët e Dukatit kur mbrojtën tokën dhe ujin e tyre, dhe nëse shqiptarët bëhen bashkë me ju, nuk do të bëhet.”
“Por nëse prisni që gjithçka të varet nga humori me të cilin zgjohet ai që merr vendimet për këtë vend, atëherë është thjesht çështje ditësh.”
Por ajo që më mbeti në mendje ishte çështja e legalizimit:
Si është e mundur që një familje të mbahet peng nga shteti për më shumë se 20 vjet, pa marrë as “po”, as “jo” për legalizimin?
Nëse nuk i plotëson kushtet, pse nuk i thuhet që ditën e parë?
Nëse i plotëson, pse duhet të presë 30 vjet?
Dhe pastaj ndodh që qytetarët tërhiqen zvarrë dhe përzihen nga tokat e tyre.
Pse toka e një oligarku pajiset me dokumente me shpejtësi, ndërsa një familje e zakonshme pret një jetë të tërë?
Dhe pastaj flasin për “zhvillim”.
Zhvillimi nuk fillon me resortet.
Fillon me drejtësinë.
Me kohën.
Me sigurinë për pronën, kursimet dhe imvestimet.
Fillon kur shteti respekton qytetarët e vet dhe nuk i detyron të jetojnë për dekada në pasiguri, ndërsa u kërkon të paguajnë taksa, sigurime dhe të besojnë se një ditë do t’u vijë radha.
Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë problemi i Zvërnecit nuk është vetëm tek resorti.
Është mënyra se si trajtohen dhe do vazhdojnë të trajtohen shqiptarët në vendin dhe pronat e tyre.
20 vjet për një përgjigje?!
Pastaj vjen fadroma dhe ke veç 20 minuta kohë për të dalë nga banesa apo lokali, urdhëruesi i së cilës priti 20 a më shumë vite për një përgjigje për ty.
A ka vend të dytë në botë si ne?!



