
PD kërkon largimin e Edi Ramës nga qeveria duke paralajmëruar se tani nuk ka më kthim pas. Në protestën e mbajtur para kryeministrisë kreu i demokratëve Sali Berisha tha se duke filluar nga sot Rama nuk do jetë më kryeministër, po kapobanda. “Një prokuror i guximshëm pezulloi nga detyra zv/kryeministren, por një gjykatë turpi u ble”,- tha Berisha i cili vijoi me akuza për kryeministrin dhe krahun e tij të djathtë, Belinda Ballukun, duke shtuar se Rama bllokoi parlamentin që të shpëtonte veten.
Kryedemokrati paralajmëroi se protestat do përqëndrohen në kuvend, të kryeministria dhe të shtëpia e kreut të qeverisë, në Surrel: “Ne do i shkojmë në Surrel. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbë ne. Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”, -tha Berisha. Duke folur para zyrës së zv.kryeministres Balluku, Berisha tha se Rama është i rrethuar dhe nuk ka shpëtim. “Lubia ka mbi 300 apartamente, 15 supermarkete dhe 2 jahte, kurse Edi Rama ka 2 mln euro pasuri”, -vijoi ai duke kërcënuar se nëse Rama nuk e heq Ballukun, do e heqë opozita.
Pas fjalës së Berishës janë hedhur molotovë duke u vënë flakën pemëve të kryeministria, ndërsa një person ka marrë djegie të rënda në trup e në kokë. Flakët janë përhapur me shpejtësi pasi Berisha mbylli fjalën e tij dhe valëviti flamurin kuq e zi. Në hapje të protestës deputetët Klevis Balliu e Gazment Bardhi kërkuan largimin e Ramës dhe konfiskim të pasurivë të tij e të Ballukut. “Ergys Agasi mban në shtëpi 3 mln euro shishe vere. Ndërkohë Belinda Balluku ka 317 apartamente e 2 jahte. Ku i gjetën paratë? Janë të gjitha paratë tuaja. Ndaj duhet të luftojmë që të arrestohen dhe t’u konfiskohen pasuritë”,- tha Balliu. Më pas Bardhi tha se: “Kartelet e drogës bashkë me qeverinë e tyre po vjedhin. Rama, Balluku, banda kriminale që qëndrojnë pas tyre duan që ne të heshtim. U themi hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisë së koha e tyre ka mbaruar.”
Ervin Salianji i është bashkuar protestës duke thënë se do të vijojë takimet me bazën e PD-së dhe qytetarët. Salianji sqaron se qëllimi i takimeve të tij është ripërtëritja strukturës drejtuese për të rrëzuar qeverinë dhe larguar Edi Ramën nga pushteti. Salianji në rrjete sociale ka kërkuar dorëheqjen e Ramës duke shkruar: “Protesta kombëtare e Partisë Demokratike po flet qartë!” Pas tij Berisha tha se çdokush është i mirëpritur në protestë.

Adriatik Lapaj i “Shqipëria bëhet” bashkë me grupin mbështetës u distancua nga Berisha. Ata u vendosën pranë kryesisë së kuvendit. Pas largimit të Berishës Lapaj ironizoi se qeveria nuk largohet me turizëm protestash, e sipas tij kërkohet bashkim përtej flamujve politikë.
Socialistët reaguan pas protestës së Berishës. Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla e ironizoi duke shkruar: “Sali, ti nuk e djeg dot më Shqipërinë!” dhe komentin e shoqëroi me foton e Berishës që tund flamurin kombëtar mes flakëve të molotovit.

Opozita ka paralajmëruar protesta deri në rrëzimin e qeverisë, duke caktuar hartën e “pikave të korrupsionit” si: kuvendi, kryeministria e Surrreli, ndërsa ende nuk ka prezantuar skenarët e tij të mundshëm si do vijojnë. Përshkallëzimi i protestave të opozitës erdhi pas nisjes së hetimeve për korrupsion të zv.kryeministres Belinda Balluku, skandalit të AKSHI-t dhe dyshimeve për përfshirje direkte në to të kreut të qeverisë Rama sipas akuzave të Berishës.



