
Kronologjia:
24 shtator 2020
Elisa Spiropali: Unë ju ha juve në mëngjes për vota!
30 shtator 2020
Blendi Klosi: Valët e muzikës janë ato që përçojnë virusin.
1 tetor 2020
Erion Veliaj: Basha u bë me 4 vila… Si shtohen të ardhurat e një familje duke qenë në opozitë?!
2 tetor 2020
Monika Lubonja: Kjo është merita juaj. I keni dhënë oksigjenin dhe ajrin fëmijëve!
3 tetor 2020
Eduard Zaloshnja: Partia Socialiste fiton 53.1% të votave.
3 tetor 2020
Valbona Selimllari: Ne ecim në asfalt, shkojmë në lulishte të lulëzuara dhe nëse s’ke sy t’i shohësh je i verbër atëhere!

Në hije, i ekspozuar në formatin e një “shtetari” që mendon për punët e mëdha të vendit dhe pas javës së parë ku kritikonte drejtorë e punonjës administrate, kryeministri Edi Rama i ka dhënë kësaj radhe dritën jeshile kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për të avancuar interesat e Partisë Socialiste.
Veliaj, siç tregojnë edhe pamjet e shpërndara nga ai vetë, shfaqet në formë e entuziast për çfarë i është ngarkuar dhe menjëherë i është futur punës të veçojë mes të vetëve influencerat por po ashtu të vendosë nëse do sulmojë, do mbrohet, do bëjë “kllounin” si shefi i tij i madh, kryeministri para ca vitesh.

Thikë me dy presa kjo e Veliajt. A do ia dalë dot të sigurojë një mandat të tretë? A do ia dalë dot të mbledhë votat mes rreth 1 milionë banorëve të Tiranës, një nga hambarët më të rëndësishëm të votave në vend? Mbetet te presim nëse do shkruajmë pas 25 prillit për Veliajn si triumfues a Veliajn si “kokë turku” por le të kthehemi te vendimet e javës që ai ka marrë për fushatën elektorale.
Mund ta ketë patur të vështirë pas mufkave të këputura nga Elisa Spiropali dhe Blendi Klosi. Ju kujtohen besoj frazat “Unë të ha për mëngjes” apo “Muzika përçon virusin”?! Megjithatë niveli i mufkave e patetizmit por dhe i gënjeshtrave është rritur edhe me kontributin e shkëlqyer të vetë Veliajt.
Veliaj: “Lulzim Basha u bë me 4 vila. Si shtohen të ardhurat e një familje duke qenë në opozitë?!”
Ka zgjedhur sulmin Veliaj ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Bashës, duke deklaruar se Basha u bë me 4 vila, ndërsa kryedemokrati e ka paditur Veliajn për shpifje në gjykatë. Mbetet të presim vendimin e gjykatës për të parë se sa e vërtetë është kjo deklaratë por mes qindra deklaratave të tjera me informacione të pavërteta të Veliajt gjatë kësaj jave ngre kokë një deklaratë e tipit “Eduard Shalse”.
Ju kujtohet kur Shalsi deklaronte se nuk do vidhnin në mënyrë kaq flagrante sa këta (kupto PD-në) kur të vinin në pushtet? Mesazh që u shoqërua me insinuatat nga audiencat e ndjekësit në rrjetet sociale të përmbledhura pak a shumë edhe me ndërhyrjen e moderatorit Balla: Pra, do vidhni më bukur?!
Krejtësisht e ngjashme është edhe pyetja që ka shtruar kryebashkiaku për të marrë sa më shumë vota.
“Si shtohen të ardhurat e një familje duke qenë në opozitë?!”, ka pyetur Veliaj duke na çuar automatikisht në kundërpyetjet që na vinë natyralisht: “Pra, që të të të shtohen të ardhurat duhet të jesh në pushtet?!”, “Po ju që jeni në pushtet jeni pasuruar?!” etj, etj.
Megjithatë mbase pushteti do sjellë rezultate të frytshme, nisur edhe nga parashikimi tepër pozitiv që ka bërë këtë javë, gjithnjë në funksion të propagandës Rama, Eduard Zaloshnja.
Zaloshnja thotë se në kërkim të mandatit të tretë “Partia Socialiste fiton 53.1% të votave”, një sondazh që sipas tij është realizuar me 2200 të pyetur, megjithatë mbetet e paqartë metodologjia dhe kampionimi që ka përdorur praktikuesi i sondazheve.
“Edhe fishekët e fundit”, Monika Lubonja dhe Valbona Selimllari gënjejnë në deklaratat e tyre
Disa personazhe të njohur mes tavolinash të ngushta e të gjera për bindjet e tyre pro Partisë Socialiste janë zgjedhur të ekspozohen këtë javë nga Veliaj, si “të bashkuar me PS-në”.
Monika Lubonja dhe Valbona Selimllari, në rolin e influencerave politikë (lexo më shumë se çfarë janë influencerat) janë prezantuar në foto, madje edhe kanë mbajtur fjalime.
Aktorja Lubonja dhe Selimllari, ish-missi i njohur shqiptar po njëkohësisht këshilltarja e Veliajt në bashki, spikasin për gënjeshtrat dhe patetizmin e shfaqur në fjalët që komunikojnë.

Vini re se si gënjen Monika Lubonja:
Duke përdorur mendimin e vajzës së saj, me të cilën bie dakord por bashkë me të bie dakord dhe Veliaj që e ka deleguar ta transmetojë, Lubonja ka hedhur mesazhin se Tirana na paska ndryshuar shumë dhe fëmijët qenkan shumë të lumtur duke thënë:
“Vajza ime këtë vit më tha: Mami, sa shumë ka ndryshuar Tirana dhe sa të lumtur qenkan fëmijët. Këta fëmijë paskan parqe, sepse unë kur isha e vogël nuk pata park. Edhe kur dilja jashtë më merrte gjyshja dhe kthehesha direkt në shtëpi sepse nuk kishte stol ku të ulej. Ndërsa sot, unë shikoj këta gjyshër që, jo vetëm kënaqen me fëmijët në parqe e lulishte, por që edhe bëjnë muhabet me njëri-tjetrin. Kjo është merita juaj. I keni dhënë oksigjenin dhe ajrin fëmijëve”.
Gënjeshtra konsiston në atë që Fatos Lubonja, një nga të paktët analistë shqiptarë me shikim të paturbulluar mbi politikën shqiptare thotë: “Dy gjysmë të vërteta, nuk përbëjnë të vërtetën e plotë”.
Tani mund të ketë më shumë parqe (edhe pse kjo çështje duhet të jetë objekt i një hulumtimi të posaçëm gazetaresk) por ka edhe më shumë kulla (lexo më shumë për kullat që mbinë si kërpudha pas shiut në kryeqytet). Tani në Tiranë mund të ketë më shumë stola, por ka edhe më shumë beton.
Megjithatë gënjeshtra më flagrante nga aktorja Lubonja është te pjesa kur thotë se Veliaj u ka dhënë oksigjenin dhe ajrin fëmijëve.
Një studim i Eurostatit ditët e fundit ka nxjerrë se Tirana renditet si një nga qytetet me ajrin më të ndotur në Europë (lexo më shumë rreth studimit).
Vini re se si gënjen Valbona Selimllari:
“Tek Partia Socialiste jam sepse ne kemi një thënie nga Përmeti. Unë jam përmetare me origjinë dhe themi: Ai djali dhe ajo vajza po janë punëmbaruar dhe kjo fjalë më ka mbetur gjithmonë në mendje se ma thoshte gjyshi dhe nëna: “Punëmbaruari është gjithmonë i suksesshëm” dhe në fakt unë jam me punëmbaruarit, sepse për hir të së vërtetës nuk kemi kohë të humbim me ata që s’mbarojnë punë”.
Për cilin punëmbaruar e ka fjalën zonja Selimllari? Për atë që ju fut Teatrit Kombëtar, kësaj pasurie të përbashkët kulturore e shpirtërore dhe e shembi pa iu dridhur qerpiku?!
Në diskursin e vet Selimllari tregon një copëz bisede mes asaj e organizatorëve të bashkisë së takimit ku po fjaloste për rrugën që të çon në Zall Bastar. Dhe këtu kapet krejt gafil në gënjeshtër. Një herë rrëfen se i thanë është bërë rruga (kur zonja u kish shprehur frikën e ecjes në një rrugë jo të përshtatshme për të) mirëpo më pas po ajo thotë se “sigurisht rruga është në punim e sipër”. Është apo s’është e përfunduar kjo rrugë?!
Ky është një shembull flagrant se si gënjehet hapur dhe i njëjti person jep dy mesazhe kontradiktore në të njëjtin fjalim.
Kështu i kanë nisur në fakt fushatat socialistët; një batutë naive atje, një kundërpërgjigje këtu, një kravatë me simbole andej dhe Klosi, Spiropali, Veliaj e Rama vazhdojnë të qëndrojnë në mes të skenës. Pak me shaka, pak me kritika, pak me gënjeshtra, pak duke u viktimizuar, e pak me arrogancë.
Thelbi është se nuk ka reklamë të keqe dhe po të kemi memorie, Rama duke bërë “kllounin” e duke përmendur tepsinë e timonin mes vanitetit mori një mandat të dytë.
A do t’i japë sërish mandatin e tretë kjo metodë apo kësaj radhe ka prodhuar “kllouna” të vegjël për metoda të reja?!
Shënim: Patetikë- Shfaqje e zjarrtë dhe e ngritur e ndjenjave; ton patetik, patos. Të qenët patetik.
Në Gogo.al do shkruhet vazhdimisht për fushatën e të gjitha partive shqiptare. Kësaj here u shkrua për Partinë Socialiste për shkak të personazheve përfaqësues të tyre që spikatën me gënjeshtra. Të presim javën tjetër se cilat parti e personazhe do spikasin.