
Flamur Noka është bërë pjesë e një momenti online, pasi ka publikuar një denoncim nga një qytetar i Sarandës, ku ngrihen akuza ndaj një personi që pretendohet të jetë vëllai i deputetit Ardit Bido. Sipas qytetarit, akuzat lidhen me kontrabandën e cigareve dhe pijeve alkoolike, si dhe me procedurat e zhdoganimit në doganën e Kakavijës. Ai pretendon se drejtori i doganës është pikërisht vëllai i deputetit, i identifikuar si Blendi Bido. Megjithatë, ajo që dihet është se deputeti Bido nuk ka një vëlla me këtë emër. Në reagimin e tij, Noka shkruan: “Bido ‘Miza’ dhe fijet që e lidhin me kontrabandën. I vëllai drejtor në doganë. Presim ‘avokatërit’ e tij të fillojnë menjëherë nga puna me komentet.”
Me këtë koment Noka ka publikuar edhe mesazhin e qytetarit ku thuhet:
“Zoti Noka, përshëndetje! Quhem …, banues në Sarandë. Doja t’ju vija në dijeni për një fakt shumë të rëndë. Vëllai i deputetit tonë Ardit Bido, i quajtur Blendi Bido, punon në doganën e Kakavijës si drejtor. Aty, falë mbështetjes së vëllait të vet, ai ka krijuar një organizatë kriminale ku zhvillojnë kontrabandë cigaresh, pijesh alkoolike dhe zhdoganime. Ai dhe vëllai vetë, kriminelë, kanë përfituar miliona falë këtij rrjeti të mirëfilltë kriminal. Këto para kanë shkuar direkt në blerjen e votave në zgjedhjet e 11 majit. Ne sarandiotët po vuajmë tmerrësisht nga ky rrjet kontrabande. Ju lutem bëni diçka, sepse ju jeni zëri i popullit të thjeshtë që vuan çdo ditë nga kjo qeveri.”
Nga ana tjetër, Ardit Bido nuk e vonoi shumë reagimin e tij tek i cili ai ka ironizuar ngatërresën e bërë nga Flamur Noka duke mohuar kështu edhe ekzistencën e personit të përmendur si vëllai I tij. “Ju prezantoj me Blendi Bidon. Sipas Mul Nokës, ky është vëllai im. Unë s’e dija. As familja ime. As gjendja civile. Blendi, në fakt, nuk ekziston.” shkruan Bido.
Nuk është hera e parë që PD-ja ngatërrohet. Një gafë të madhe bëri dhe Sali Berisha me Joe Walsh, një këngëtar që ngjante shumë me Erion Veliaj.



