Nga Sonila Meço

Në divanin e psikoanalistit do të shtriheshim të gjithë si popull, por një nga një në divanin e një psikoanalisti zhurma e jashtme dhe ajo brenda kafkës do ta mbyste heshtjen e terapisë. Nga dritarja do të vinte ritmi obsesiv i betoniereve që bluajnë qetësinë, shfryrja e trafikut në borì, borí që flasin për gjendje shpirtërore më shume se për bllokim rrugësh, vibrimi si refleks i pavullnetshëm i një celulari, që s’mund të mbyllet kurrë.

Pacienti hyn i rraskapitur, por flet me zjarr. Ka bërë analizën e botës dhe flet me bindjen e një eksperti. Ka shumë për të thënë, për të dënuar, për të shpjeguar, ndaj psikoanalisti nuk e pyet, por e le të flasë, të flasë…

Dhe pacienti nis të rrëfejë shumë, shpejt, për gjithçka.
Për pushtetin, për politikën, për çmimet, për intrigat, për njerëzit që ikin, për ata që bëjnë para, për ata që i pastrojnë, për klikime, për ndarje e tradhëti showbiz-i, për korrupsionin, për komentet në rrjete sociale…

Mandej fjalët rrëshqasin tek qyteti i marrë, tek të marrët e qytetit, tek dekori kulturor si parodi e vetvetes.
Rrëfimi zgjatet, për tjetrin gjithmonë për tjetrin.

Dhe psikoanalisti, me gjakftohtësi prej njeriu që i njeh simbolet e vetmashtrimit, shënon në bllokun e tij:
“Pacienti flet shumë, por ende asgjë për veten.”

Sepse të gjithë flasim për Shqipërinë, sikur të jetë përtej nesh.
Ajo nuk është thjesht e varfër ekonomikisht, varfëria e saj është më e thellë, më delikate, më e hidhur: mungesa e imagjinatës prodhuese e krijuese, mungesa e aftësisë për të përfytyruar të renë, për të krijuar diçka që s’ka ekzistuar më parë, për të ndërtuar një ëndërr, një shpikje, për te shtyrë horizontin ca më tutje.

Shqipëria nuk është më as tokë, as kufi, por gjendja jonë e trazuar e brendshme. Çdo gjë që ajo është, jemi edhe ne, në miniaturë, mënyra si mendojmë, si justifikohemi për të mos ndryshuar, si e zbusim fajin me harresë dhe harresën me improvizim, si urrejmë për të mos dashur.

Pasi ta ketë dëgjuar pacientin e konsultuar manualet e teorive klasike e moderne, psikoanalisti do kridhet në diagnozën e tij.

Diagnoza
Pacienti refuzon të mendojë. Flet, konsumon, poston vetëm mos të arsyetojë. Ky është pacienti që lëviz për të mos reflektuar. Ka frikë nga qetësia, sepse kur ndalet, dëgjon atë që ka shmangur. Dhe mbushet me zhurmë, zhurmë, zhrrrrrr…..Në vendin ku nuk prodhohet asgjë, në çdo qoshe ka një vinç. Në vendin ku nuk ka laboratorë, në çdo qoshe ka nga një podcast. Në vendin ku nuk ka ide, në çdo koment ka opinion. Askush nuk dëgjon, të gjithë flasin.
Nuk dimë të ndalojmë.
Sa herë ndjejmë zbrazëti, bëjmë diçka, postojmë, përgojojmë, shajmë, shfryjmë, mallkojmë, bëjmë intriga…

Pacienti pluskon në narcizizëm.
E kemi krijuar të gjithë nga pak.
Në punë, në shtëpi, në rrjete.
Kemi nevojë akute të dukemi të suksesshëm, edhe kur s’kemi asgjë në vijë. Sforcohemi të dukemi “mirë” edhe kur nuk jemi. Vuajmë të ngjajmë të rëndësishëm edhe tek ata që nuk i njohim.
Sepse kandar të vlerës sonë kemi sytë e gjindjes. Pacienti Shqipëri kërkon me çdo kusht të duket. Të shfaqet më e bukur se realiteti i saj. T’i bëjë karshillëk çdo kulture me feksjen e fasadës. Ndaj çdo salltanet e kënaq, një kullë e re, një batutë në një samit ndërkombëtar, një “boom” turistik edhe pa bereqet, një reklamë e paguar paq në agjensi ndërkombëtare. Dhe duke qenë njerëzit një miniaturë e saj, sillen si ajo, shtrëngohen për rë shfaqur një version ideal të vetes, për mos parë askush ç’fshihet pas.

Ah, fasada, kjo kanavacë ku çdo mediokër ushtron delirin e vet si talent! Delire që në ekonomi shfaqen me adhurimin e betonit, në politikë me narkozën e pushtetit absolut, në diplomaci me ritualin e barcoletës, në kulturë me asgjësimin e elitës, në media me etjen patologjike për performancë.
Ndaj edhe pacienti shqiptar, i mbërthyer në mallkimin e fasadës nuk kërkon më të ndryshojë realitetin, por veç të gjejë një kënd më të favorshëm për ta e për t’u fotografuar.
Shqipëria nuk është e mbushur me narcizistë të mëdhenj, por me njerëz të dëshpëruar, që nuk durojnë më të duken të vegjël.

Pacienti nuk mban mend asgjë. Në amnezi ditore e historike.
Ka përjetuar trauma të rënda, diktaturë, tranzicion, varfëri, grabitje, denigrim, emigracion, shpopullim, por nuk i ka përpunuar, thjesht i ka rrasur në një qoshe të heshtur të trurit.
E kësisoj, çdo dhimbje dhe traumë e pa procesuar është shndërruar në simptomë të re, në nënshtrim, vetcensurim, frikë nga liria, varësi nga pushteti.
Harron shpejt, që mos ndjejë.
Harron, sepse do mbijetojë.

E gjithë historia jonë është një cikël i pafundëm “rinisjeje”, si një labirinth ku ecim me bindjen se po dalim, ndërsa kthehemi në të njëjtën pikë.
Kaluam nga diktatura në demokraci pa përtypur tranzicion, nga frika në liri pa mësuar disiplinën e saj. Pacienti ka përshtatur një kulturë ku çdo herë duhet të rishpikë veten, të fillojë nga e para pa gjurmë, pa kujtesë, pa trashëgimi.

Në çdo etapë, në çdo epokë pacienti kërkon një kujdestar. Dikur ishte partia, mandej lideri, sot pushteti, Europa a Amerika.
Një nevojë e pashuar për t’u drejtuar nga dikush tjetër. Në thelb, një Shqipëri, që si një e mitur kërkon prindin, në çdo pushtet, në çdo sistem, në çdo marrëdhënie.
Në vend që pacienti të marrë vendime, pret gjithmonë dikë që t’i marrë për të. Raporti i tij me pushtetin është më i vjetër se vetë shteti. Pushteti, në kujtesën tonë kolektive, nuk ka qenë asnjëherë kontratë, por fat. Kurrë institucion, por figurë.
Nga sulltani te diktatori, nga drejtuesi lokal te “lideri modern”, kemi trashëguar një arketip të vjetër, të çuditshëm, pushtetari nuk shihet si njeri që na përfaqëson, por si njeri që “na mban”. Ia urrejmë arrogancën, por kemi nevojë për të.

Ndaj pacienti i dorëzohet pushtetit me një ndjenjë që s’është besnikëri, por ankth ndaj mungesës së një padroni. Në çdo epokë, pushtetari bëhet baba, shpëtimtar, shenjtor i improvizuar dhe sa më shumë e abuzon rolin, aq më shumë forcohet miti. Troç, nuk është ai që sundon, por pacienti që i dorëzon frikën nga pesha e zgjedhjes, përgjegjësise, administrimin e lirisë.
Në këtë kompleks patologjik, pavarësia duket rrezik dhe mbikqyrja rehati.

Pacienti shfaq sindroměn e pastrimit moral. Jo vetëm të pastrimit të parave, por edhe atë të ndërgjegjes.
Nuk e pranon lehtë se ka faj, sillet me dëshirë si viktimë.
E ka shndërruar në art justifikimin.
“Edhe të tjerët kështu bëjnë.”
“S’kisha ç’beja!”
“E bëra për bukën e gojës.”
“Murit me kokë nuk i biet”
Ky është parfum kombëtar. Në vend të përballjes, na vjen në ndihme cinizmi e banalizimi.
Kjo është mënyra jonë për të mbijetuar pa ndryshuar. Psikoanalisti vijon shkruan në bllok duke nënvizuar se pacienti preferon të vetëamnistohet, sesa të shërohet.

Pacientit dukshëm vendimet nuk i burojnë nga logjika, por impulsi. Vendimet merren me emocione të pakontrolluara, degradojnë në shpërthime pa procese të brendshme, në reagime pa asnjë plan, improvizime spontane pa vijimësi, pa kujtesë.
Pacienti nis çdo gjë me entuziazëm ceremonial dhe e mbyll me një cinizëm përtac, pa pikë besimi tek vetja.

Pacienti jeton me sasi të larta dopamine sintetike, sloganesh, propagande, imazhesh, “suksesesh” iluzive, patriotizmi me kohë të pjesshme.
Realiteti i përditshëm është shumë i zymtë për t’u përballur ndaj i duhet doemos të ndërtojë një narrativë të rreme, por që nis e beson. Dhe rrjetet sociale janë laboratori kryesor ku shfaqet e shkarkon ky çrregullim. Me një ngut e obsesion akut pacienti krijon një realitet paralel, një version imagjinar të vetes, si shteti versionin imagjinar të zhvillimit. Një varësi e njëjtë me atë nga substancat, por me efekte afatgjata mbi ndërgjegjen kolektive. Sepse Pacienti do të stimulohet, të ndjehet i rëndësishëm, i konfirmuar, në qendër të vëmendjes.
Kjo është arsyeja pse çdo “zgjidhje” është e përkohshme në këtë vend dhe çdo krizë përsëritet e përpiktë.

Dhe në fund, mungesa e instinktit të së ardhmes, e një projekti afatgjatë.
Shteti nuk është arkitekt, por menaxher i përkohshëm i një laboratori eksperimental.

Nëse psikoanalisti do të shkruante në kartelë, diagnoza do qe pak a shumë kjo: “Pacienti ka aftësi të larta për mbijetesë, por refuzon të rritet. Mban me kujdes simptomat, sepse fshihet më kollaj pas tyre.”

E me ta sosur atë diagnozë, ai e di se do duhet të përshkruajë terapinë. Po për kë, për një pacient që nuk do të shërohet?!
Mirëpo në psikoanalizë, terapia nuk fillon me ilaç, por me njohje. Një komb shërohet vetëm kur pranon traumën, jo kur e fsheh.
Kujtesa është mjeti i vetëm që na ndalon ciklin e dështimeve.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë të kuptojë jo vetëm çfarë shkon keq, por pse i shkon për shtat ta bëjë keq.

Terapia
Shqipëria nuk është vetëm jashtë, por edhe brenda nesh, në mënyrën si shtyjmë gjërat për dikur, si i justifikojmë dështimet me sistemin,
si presim që dikush tjetër të ndryshojë i pari, si na mjafton të jemi ndjekës, pa provuar të prijmë.
Çdo mekanizëm i madh nis si një ves i vogël. Korrupsioni fillon me një kompromis personal. Fasada nis me një gënjeshtër. Harresa me një “e varja po hë”.
Të gjithë jemi një version i vogël i simptomës që kritikojmë.

Në çdo komb të shëruar, zgjidhjet i japin njerëzit që mendojnë.
Asnjë shoqëri nuk shërohet pa kthyer mendimin nga hobby në profesion. Në çdo brez që pranon asgjësimin mendjes dhe elitave, dëmtimi moral bëhet trashëgimi biologjike.

Pacientit do t’i duhet të mësojë të ndalet, të mos reagojë menjëherë, të dëgjojë, kuptojë. Pacienti flet shumë. Në çdo rast.
Në çdo studio, në çdo rrjet, në çdo koment. I di të gjitha vetë.
Terapia të mëson të dëgjosh, jo për t’u bindur, por për të kuptuar. Sepse kështu lind mendimi dhe mendimi është kundërhelm i propagandës.

Në fund të seancës, psikoanalisti mbyll bllokun e tij dhe ngre sytë.
Shqipëria, si çdo pacient që nuk do ta pranojë diagnozën, ngrihet nga divani, rregullon flokët përpara pasqyrës dhe thotë me zë të ulët:
“Jam më mirë tani.”

Jo nuk është.
Ky është populli që s’vdes kurrë, por as nuk shërohet.
Në laboratorin e historisë, Shqipëria mbetet eksperimenti që përsëritet me të njëjtën formulë dhe pret përfundim tjetër. Ashtu, pa ndryshuar asgjë.
Por ndoshta problemi nuk është në përzierje, por tek te pasioni për ta trazuar pafund.
Dhe shërimi nuk do tjetër terapi, veç një pacient që më në fund pranon diagnozën.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11