Pas më shumë se 1 muaj nga dokumentari i zhurmshëm për Shqipërinë, “Rai 3” ka publikuar më në fund dokumentarin e radhës aq shumë të paralajmëruar nga televizioni italian. Këtë radhë, me fokus në pastrimin e parave të drogës, me një intervistë të transmetuar të plotë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, por edhe me një intervistë me kamerë të fshehtë me ish-zv,kryeministrin në arrati Arben Ahmetajn.

Në një restorant ku po hante makarona nga arratia, Ahmetaj akuzon kryeministrin Rama se është më shumë se sa thjesht i lidhur me bandat e drogës, por priste narkotrafikantë në zyrën e tij në Kryeministri dhe se pastronte paratë e tyre.

“Nuk është thjesht I lidhur. Ju jap emrin e koordinatorit të tij, Ergys Agasi.

Është një tip që jeton në Durrës, afër klanit të Durrësit. Është bërë për llogari të Ramës, koordinator i gjithë grupit.”- dëgjohet të thotë Ahmetaj.

Më pas gazetari vijon të shpjegojë: “Ergys Agasi është përgjegjës për Durrës, djali i një ish-parlamentari socialist, pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që kujdeset për logjistikën e grupit. Nuk është dënuar kurrë dhe as i hetuar për lidhjet me bandat shqiptare. Shpesh ‘La Stampa’ ka folur për lidhjet e tij me subjekte nga bota kriminale si përshëmbull narkotrafikanti Troplini (Xhevdet Troplini e ka fjalën)”.

Më pas Ahmetaj vijon të thotë se i përdor narkotrafikantët për zgjedhjet: “Agasi bën koordinatgorin, më pas ai i përdor për zgjedhje. I takon në zyrën e tij, në sallën e mbledhjeve në Kryeministri. Unë nuk kam pranuar kurrë të marr pjesë. I kam parë gati të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani. Po, janë kapot e mafias.”

Siç e përmendëm më lart, përpos këtyre, pjesë e dokumentarit të radhës të “RAI 3” ishte edhe intervista që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta me kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Rama u pyet pikërisht për këtë pjesë të deklaratave të Ahmetajt.

“Një burim ka thënë që në këtë zyrë keni takuar bosa të mafias.”- e pyet gazetari.

Rama përgjigjet: “Duhet të jetë ndonjë burim shumë i ndotur dhe me probleme me drejtësinë.”

Në këtë intervistë që vetë Rama e kishte kërkuar, ai dha versionin e tij për çdo pjesë që i kishte lënë mbresa negative nga dokumentari i shkuar i “RAI 3”.

Akuzat për vëllanë e tij, Olsi Ramën

Mes këtyre, u përmendën akuzat ndaj vëllait të tij, Olsi Ramës.

Rai3: Ne kemi përmendur edhe vëllain tuaj, Olsi Rama…

Kryeministri: Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar… I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim.
 
Rai3: Di që është rihapur hetimi pas emisionit.
 
Kryeministri: Janë nën hetim, pasi ai ka paraqitur padi për shpifje, kështu që këtu i duhet lënë në dorë drejtësisë. Por t’i marrësh gjëra të tilla e të formosh një mozaik me copëza që janë të gjitha gjysmë të vërteta. Janë të gjitha gjysmë të vërteta dhe për këtë arsye gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, mashtrimet më të mëdha.

Marrëveshja me Melonin

Në këtë intervistë, Rama mbrojti marrëveshjen me Melonin për qendrën e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin.

Rama tha se marrëveshja për emigrantët ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga kryeministrja e Italisë Meloni.

“E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë ‘pse jo, ta mendojmë’. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë. Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. 

Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë e saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar.

Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e  gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.”- tha Rama.

Ndërtimet në Tiranë

Rama mbrojti dhe ndërtimet në Tiranë, duke u shprehur se kullat e ndërtuara deri më tani janë vetëm fillimi.

“Para së gjithash, edhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu po ndërtojmë. Ka një numër kullash, por është vetëm fillimi. Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Kemi angazhuar arkitektët më të mirë të botës. Ka gjashtë apo shtatë fitues të çmimit Pritzker, që punojnë me ne në Shqipëri. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë.”- tha Rama.

Etiketimi si narkoshtet “fyeu popullin shqiptar”

Etiketimin për Shqipërinë si narkoshtet nga gazetarët italiane, Rama e ka parë me shqetësim dhe tha se është fyer populli shqiptar. Ai e përmendi këtë, kur po fliste me gazetarin dhe e akuzoi atë se kishte mashtruar kur tha se Ëngjëll Agaçi nuk iu ishte përgjigjur.

“Më fal, ju e keni bërë kërkesën me shkrim dhe kur e çuat kërkesën me shkrim, nuk thoshit që i dua përgjigjet edhe me gojë. I kërkuat me shkrim? I morët përgjigjet me shkrim. Dhe, jo vetëm që nuk i publikuat, dhe jo vetëm thatë që ai nuk ju ishte përgjigjur, po kur folët për gjërat e tij, thatë gënjeshtra. Gënjeshtra. Në rregull? Dhe, jo vetëm gënjeshtra, por e nxorët në një dritë të tillë, që shoh se, sipas jush, është e vetmja mënyrë për të hetuar, po nuk është e vërtetë, sepse nuk do të ishte mëkat nëse një hetim do të shkonte edhe në favor të të hetuarve tuaj. Domethënë, nuk duhet të keni gjithnjë ju të drejtë, që hyni për të gjetur fajtorë dhe tani njerëzit janë fajtorë, sepse ju duhet të justifikoni punën tuaj. Mund të bënit një hetim dhe, në fund, të thoshit ‘jo, Shqipëria nuk është narkoshtet’ sepse kjo është fyerje për një popull dhe fyerje për një vend.”-tha Rama.


Kryeministri shqiptar shtoi se akuzat për narkoshtet të gazetarit po bëheshin përmes metodave të ngjashme me ato të ish-diktatorit Enver Hoxha.

“Jo, jo nuk ka nevojë. Liria e mendimit dhe e informimit mund të vritet edhe duke bërë gazetarinë tuaj. Nuk ka dyshim, sepse, thjesht, ke një telekamera, e përdor si armë, ke gjuhën dhe zërin dhe i përdor si plumba, ndërkohë që të tjerët janë vendosur aty sipas skenarit, për të arritur në konkluzionin e dëshiruar paraprakisht. Pra, njësoj siç e bënte Enver Hoxha. Përpara vendoste kush ishte fajtori dhe pastaj i shkonte mbrapa që t’i binte. Edhe kjo quhet mënyrë demokratike për të vrarë.”– tha ai.

Akuzat për Fatmir Xhafajn dhe Taulant Ballën

Në këtë intervistë, Rama hodhi poshtë akuzat për Fatmir Xhafën dhe Taulant Ballën, duke akuzuar gazetarin italian për pafytyrësi.

Pjesë nga intervista:

Rai3: Ishte ministri pasardhës, Xhafa, që nuk kishte gabuar, po dha dorëheqjen menjëherë më pas. Është ministri aktual i Brendshëm. Ka një bisedë midis dy krerëve të mafies, të cilët thonë: “E dimë kush do jetë ministri i ardhshëm i Brendshëm dhe përmendin emrin e Taulant Ballës. Më falni.

Kryeministri: Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj sesi mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë… Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme. “Shumë eksponentë” dhe pastaj flet për një ministër të Brendshëm, vite më parë dhe pastaj shton Fatmir Xhafën, njeriu i cili dha dorëheqjen në mënyrën më qytetare, jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë.

Rai3: I vëllai ishte i dënuar në Itali.

Kryeministri: Do më lini të mbaroj?

Rai3: Absolutisht, po.

Kryeministri: Jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë, po thjesht për një çështje morale. Në rregull? Pas një sulmi me baltë, për të cilin ka një proces gjyqësor që vazhdon dhe përbaltësi që ishte në vijë të parë është dënuar nga gjykata e shkallës së parë. Bën pjesë në grupin politik që e furnizon me këto gjëra.

Rama tregon kur u dhunua në 1996 nga SHIK-u i Berishës

Në një moment, Rama i tregoi gazetarit italian një foto të tijën nga një gazetë duke thënë se ai ishte dhunuar nga SHIK i Berishës në vitin 1996, në një kohë kur shkruante si gazetar në ‘Koha Jonë’.

“Unë ju flas për faktin. Për mua, të bësh gazetarin, është një gjë e madhe. Ky jam unë. Sepse bëja gazetarin…”– tha Rama.

Gazetari e pyet: “Kush ju katandisi ashtu, Kryeministër?”
 
Rama: “Burimet prestigjioze që keni intervistuar ju për serinë e parë… Mos më përmendni më emra këtu. Më pyetët ‘kush’? Unë ju dhashë përgjigje. Nuk është ai tema. Tema është kjo. Unë e di çfarë do të thotë të luftosh për lirinë e fjalës. Di edhe çfarë do të thotë të kesh ende mbi lëkurë shenjat, këtu dhe këtu.”

Leave a Reply

  • (not be published)