
Kryeministri Rama u takua këtë të dielë me shqiptarët e Londrës për të diskutuar mbi votën e diasporës, takim i cili nuk u mbyll pa incidente. Një grup njerëzish protestuan në ambjentet e jashtme ku po zhvillohej takimi, kundër Ramës duke e akuzuar për një qeveri të korruptuar dhe se ai nuk ishte përfaqësuesi i denjë për ta, ndërsa një tjetër protestues ishte i pranishëm në sallë, i cili pasi akuzoi Ramën u sulmua dhe u nxjerr me dhunë nga rojet, ku më pas u shoqërua nga ambulanca si pasojë e dëmtimeve të marra.
Gjatë fjalimit të tij Rama i cilësoi protestuesit si një grup të verbërish. Dua t’ju kërkoj ndjesë për një grusht të verbërish që të nxitur nga të verbrit në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë sonë dhe e bërtisnin aty përballë.”-tha Rama.
Mirëpo kryeministri nuk la as pa sulmuar qeverinë e Britanisë. Ai solli në vëmendje situatën e ish- sekretares britanike për Punët e Brendshme Suella Braverman, në lidhje me çështjen e emigrantëve shqiptarë në Angli.
“Ajo tha se prurja e shqiptarëve ishte pushtim, na bëri pushtues sikur shqiptarët ishin ushtare të një armate plaçkitëse, jo pjesë e matjes njerëzore që punon në këto toka. Na quajti pushtues a thua se kishim ardhur per të marrë kokën e Mbretëreshës, jo për të ndihmuar ekonominë britanike e cila vuan për krah pune. U ngritën dhe disa të tjerë që na treguan me gisht.”-tha kryeministri.
Ndër të tjera Rama nuk la as pa ironizuar opozitën dhe partitë e vogla: Janë tezga që shesin qilima fluturues si Sudja, Rrapushi, janë Sudja me fytyra të ndryshme, e plakur që ulërin nga maja e pallatit apo Sudja që vjen vërdallë duke takiuar emigrantë duke thënë Shqipërinë e bej unë, të ishte për këta Shqipëria s’do e bënte kurrë reformën në drejtësi, s’do e godiste kurrë korrupsionin pa dallim ngjyrash.”- tha Rama gjatë fjalimit.

Gjithashtu ai bëri thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre. Sikundër ju kam thënë më parë, që jemi në fazën e konsultimin për paketën e maleve që i jep çdokujt që ka një truall a shtëpi në malet e Shqipërisë të investojë pa pasur pengesë letrat e tokës. E dini shumë më mirë se ata që e shohin Francën e Anglinë nga Instagrami sa e vështirë është jeta këtu. Di t’ju them që baticës së gjatë e largimeve po i vjen fundi dhe do të nisë zbatica”- tha ndër të tjera Rama.
Ndërsa shprehu dhe nevojën e votës duke i ftuar ata ta votojnë në zgjedhjet e ardhshme.




