
Deputetja Zegjine Çaushi del në mbrojtje të dajës së saj Bledar Bakaj. Ai është denoncuar nga 43-vjeçarja Merita Gremaj për përdhunim dhe se i ka plagosur të atin. Çaushi ka postuar një foto të dajës me Gremajn ku ajo duket me një tufë lulesh në duar. Sipas Çaushit, Gremaj kishte pranuar se do martohej me dajën e saj, edhe pse i ati kishte patur kundërshtime. Gremaj ka deklaruar në “News 24” se: “Erdhi me sëpatë, erdhi vetëm por makinën e kishte lënë pak më larg. Bledari tha se do të më gjente punë, tha e kam vajzën e hallës dhe mbesën, doja ilaçe për babanë dhe nënën edhe për vete jam me alergji”.
Ajo shton se daja i deputetes i kishte i kishte premtuar punë. “Më thoshte do të gjej një punë unë gëzoja se do të merrja një rrogë e do të kisha mundësi të blija ilaçet e babait. Më tha do të të ndihmoj pa interes…Më ka përdhunuar. Më ka çuar në varreza, më tha ky është vendi yt, këtu do të hysh. E merrnin njerëzit dhe i thonin lëre të ikë, më thoshte vetëm vdekja. Më çoi në komisariat dhe më mësoi se çfarë duhet të thoja”, tha ajo.
Pas kësaj dëshmie, deputetja Çaushi shkruan në rrjete sociale: “Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cili Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të atit. Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit.
I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”
Merita Gremaj tha : “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…” “Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit te babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm”
Postimi i plotë i deputetes Çaushi:
“Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani. Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin. Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cili Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të atit.
Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?” Merita Gremaj tha : “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit te babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm. Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam levizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.
Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar. Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre. Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik. Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.
Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm. Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre”.


