
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt, ndërsa fushatat elektorale nisën zyrtarisht më 11 janar. Pjesë e këtyre zgjedhjeve do të jenë 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021, parti të ndryshme kanë zgjedhur këtë herë të prezantohen me slogane të reja.
Partia e Lëvizjes VetëVendosje
Partia e Lëvizjes Vetëvendsosjes u prezantua me sloganin “Cep më Cep” ndryshe nga slogani i zgjedhjeve të kaluara “Krejt dhe Drejt”. Slogani i ri është një tregues gjithëpërfshirës çfarë nënkupton qeverinë e Kurtit, në të gjithë republikën e Kosovës. Sipas analistit Belgzim Kamberi ky slogan është i mirëplanifikuar dhe reflekton jo vetëm përpjekjen për shtrirjen e sovranitetit, por edhe ideologjinë e përgjithshme të Vetëvendosjes. “Unë mendoj që është mirëmenduar. Dhe përveç aspektit të shtrirjes së sovranitetit, mendoj që është vazhdimësi e asaj ‘Krejt dhe Drejt”, se është pak hegjemonist… Mendoj që është pak ide edhe hegjemoniste. Prej Podujevë në Dragash.”– tha Kamberi në emisionin “Debat Plus” në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës
PDK-ja do të paraqitet me sloganin “Kosova mundet më mirë”, parti e cila në zgjedhjet e kaluara arriti të fitonte në nëntë komuna. Këtë të enjte, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza prezantoi sloganin e partisë, duke u shprehur se Kosova mundet më mirë, me ne në krye të qeverisë. “Jemi këtu, të bindur se Kosova meriton shumë më shumë. Bashkë mund ta ndërtojmë një Kosovë më të mirë.”– tha Hamza. Analisti Kamberi e komenti sloganin e partisë si një slogan i cili lidhet me mirëqeverisjen. “Te PDK-ja mendoj që është e ndërlidhur me idenë e mirëqeverisjes. Sepse pak a shumë imazhi që Bedri Hama po dëshiron të ndërtojë është që ne të qeverisnin mirë.”– tha Kamberi.
Ndërsa analisti Gëzim Mekuli, shprehet se slogani në vetvete ëndërron për përmirësimin e situatës aktuale. “Strategjia e PDK-së duket e përqendruar në përdorimin e emocioneve për të mobilizuar votuesit e pakët, duke premtuar shpresë për të ardhmen, por mungesa e rezultateve konkrete dhe një planifikim i qartë e dobëson fort mesazhin retorik të PDK-së. Ky slogan na le të kuptoj se partia ëndërron për përmirësimin e situatës aktuale.”– tha Mekuli.

Partia Lidhja Demokratike e Kosovës
LDK-ja do të përfaqësohet këtë herë me sloganin “Bëhu ndryshim”. Parti e cila në zgjedhjet e vitit 2021 arriti të siguronte vetëm shtatë komuna. Në vitin 2021, LDK-ja përdori sloganin “Mbesim në Lidhje” ndërsa në këto zgjedhje ata u paraqitën me sloganin “Bëhu Ndryshimi”, slogan i cili synon të motivojë qytetarët për një transformim politik dhe shoqëror. Kamberi e komenti këtë zgjedhje si një ide përfshirjes së qytetarëve për t’i mobilizuar. “Te LDK-ja, është ideja e përfshirjes së qytetarëve, t’i mobilizoj. Eja se jam ndryshimi.”– tha ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
AAK-ja arriti të siguronte në zgjedhjet e kaluara vetëm tri komuna, duke siguruar sërish fitore në komunën e Gjakovës. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara me sloganin “Forca e Kosovës” ka vendosur sloganin e ri “Direkt në NATO” duke vendosur rëndësinë e saj për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Sipas analistit Afrim Kasolli, këto ndryshime tregojnë se partitë po i përshtatin mesazhet e tyre nevojave dhe pritjeve të elektoratit, duke synuar të mobilizojnë votuesit me vizione të freskëta për Kosovën e ardhshme. “Te AAK-ja mendoj që slogani është për mua patriotik dhe lidhet me fitoren.”- tha Kamberi.



