
Së fundmi, “The New York Times” ka ndërmarrë hapin e ngritjes së një padie kundër Departamentit të Mbrojtjes, duke kundërshtuar politikën e re të Pentagonit që kufizon qasjen e gazetarëve në ndërtesë. Padia, e cila do të depozitohet në Gjykatën Federale në Washington DC dhe ka si të pandehur Pentagonin, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe zëdhënësin Sean Parnell.
Pentagoni, selia e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, është institucioni më i lartë ushtarak që mbikëqyr ushtrinë dhe operacionet e sigurisë kombëtare të vendit. Si një nga qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjes në Washington, ai ka qenë gjithmonë nën vëmendjen e shtypit për transparencë dhe llogaridhënie.

Politika e re, e futur në tetor, detyron gazetarët të pranojnë një sërë kufizimesh për të mbajtur lejet e shtypit. Shumica e raportuesve të Pentagonit refuzuan t’i nënshkruajnë rregullat dhe dorëzuan lejet, duke mbetur jashtë pesë mureve të Pentagonit. Sipas “The Times”, kjo qasje është një përpjekje për të kontrolluar raportimin kritik dhe shkel të drejtat kushtetuese të lirisë së shtypit, të mbrojtura nga Amendamenti i Parë dhe i Pestë.
Zëdhënësi i gazetës, Charlie Stadtlander, deklaroi se politika synon të frenojë raportimet që qeveria nuk i pëlqen. Ndërkohë, Pentagoni e justifikon masën me shqetësimet për sigurinë kombëtare, argument që përdori edhe për kufizimet e tetorit. Kritikët, nga ana tjetër, thonë se synimi i vërtetë është shmangia e mbulimit të pavarur dhe i kontrollit mediatik ndaj administratës Trump.

Ndërsa gazetarët me përvojë mbeten jashtë, Sekretari Hegseth ka ftuar dhjetëra influencues dhe krijues pro-Trump në orientime dhe konferenca të posaçme, duke i quajtur ata “korpusi i ri i shtypit”, pavarësisht mungesës së eksperiencës në raportimin ushtarak. Kërkesat e reporterëve të “The Times” dhe “CNN” për të marrë pjesë janë refuzuar, ndërsa zëdhënësi Parnell është shprehur se gazetarët e vjetër “zgjodhën të vetë-deportoheshin” dhe “nuk do të mungojnë”.
Shoqata e Shtypit të Pentagonit ka vlerësuar veprimin e “The Times” si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e lirisë së medias. Dhjetëra organizata dhe media të mëdha, përfshirë “Fox News” dhe “Newsmax” i janë bashkuar kritikave ndaj politikës së re. Komiteti i Gazetarëve për Lirinë e Shtypit e ka quajtur masën “të paligjshme”, duke theksuar se u jep zyrtarëve fuqi të pakufizuar për të vendosur se kush mund të raportojë.
“The Times” është redaksia e parë që ka hapur padi por pritet që edhe media të tjera të depozitojnë dokumente mbështetëse. Avokatët e gazetës kërkojnë shpalljen e politikës si antikushtetuese dhe ndalimin e menjëhershëm të zbatimit të saj.


