
Nënkryetari rumun i Parlamentit Evropian Niku Ștefănuță ka marrë pjesë në protestën kundër kryeministrit Edi Rama në Tiranë. “Arumun.com” shkruan se Ștefănuța mbante në kokë një qeleshe të mbuluar me flamurin shqiptar, në shenjë solidariteti me qytetarët shqiptarë që kërkojnë largimin e qeverisë.
Në një postim Ștefănuță shkruan:
“Mirëmbrëma, Shqipëri! Jam nënkryetar i Parlamentit Evropian, por jam gjithashtu djali i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Ndihem si në shtëpi këtu, në Shqipëri. Shqipëria është një komb vëlla. Isha nëntë vjeç kur pashë rënien nga pushteti të Ceaușescut. Juve ju desh të prisnit pak më gjatë deri në rënien e Enver Hoxhës. Por nuk keni më pse të duroni diktaturën. Mjaft me tranzicionin, mjaft me korrupsionin!… Jam krenar që mbaj këtë qeleshe dhe shpresoj që një ditë Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, deklaroi Ștefănuță.

Ai ka dëgjuar më nga afër nevojat që kanë nxjerrë shqiptarët në bulevard duke thirrur për rrëzimin e sistemit politik. “Isha në Shqipëri dhe njerëzit thoshin: “Ju lutem, na ndihmoni!” E thanë me po atë shpresë magjike që kishim edhe ne dikur, kur ishim të dëshpëruar të shkëputeshim nga e kaluara dhe të bëheshim pjesë e Evropës. Në Shqipëri, tranzicioni nuk ka përfunduar. Prej 30 ditësh, njerëzit dalin çdo ditë në rrugë, sepse qeveria e tyre ka lidhur kontrata të dyshimta për ndërtimin e hoteleve me 10.000 vende akomodimi në parajsën natyrore të Vjosë-Nartës”

Eurodeputeti vëren se: “Revolucioni i Flamingove e i qytetarëve prej aty ka nisur. Dhe qindra mijëra shqiptarë mbushin çdo mbrëmje rrugët e Tiranës”. Eurodeputeti e lidh situatën në Shqipëri me të kaluarën në Rumani dhe protestat atjë që rrëzuan systemin. “E pranoj, më kujtoi protestat për Roshia Montanën, protestën me të cilën filloi angazhimi im politik”.
Duke komentuar rrethanat konkrete në Shqipëri, Ștefănuță nënvizon: “Kryeministri Edi Rama, i njohur për përkuljet që u bën liderëve të ndryshëm botërorë, po përballet me protesta të qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e tij. Përse? Për mungesë transparence. Për dyshime mbi akte korrupsioni në një projekt që rrezikon të shkatërrojë një pasuri natyrore, ekuivalentin e Deltës sonë”.

Më tej ai shtron pyetjen se çfarë e solli në Tiranë? “Çfarë kërkoja unë atje? Unë shkoj aty ku zien Evropa. Kam shkuar edhe në Hungarinë e Orbánit, dhe atje regjimi ra. Shkoj sepse Evropa duhet parë mes njerëzve, jo vetëm nga zyrat në Bruksel apo Bukuresht. Këta njerëz të thjeshtë, historikisht të afërt me ne, më kujtuan diçka që edhe ne e kishim dikur: Mirënjohjen për Evropën”. Duke kthyer sytë nga problemet e brendshme të vendeve të unionit, ai shton: “Ndërkohë, ne shpesh nuk e kemi vlerësuar sa duhet. Për të tjerët, Evropa është gjithçka. Kështu është njeriu. Nuk e vlerëson atë që ka, derisa të jetë tepër vonë”.

Postimi i plotë
“Kam qenë në Shqipëri dhe njerëzit më thanë: ‘Ju lutem, na ndihmoni’. E thanë me atë shpresën magjike që kishim edhe ne kur dëshironim me dëshpërim të shpëtonim nga e kaluara dhe të hynim në Evropë.
Në Shqipëri, tranzicioni nuk ka përfunduar. Prej 30 ditësh njerëzit dalin çdo ditë në rrugë, sepse qeveria e tyre ka lidhur disa kontrata të dyshimta për ndërtimin e hoteleve me 10 mijë vende akomodimi në parajsën tokësore të Vjosë-Nartës.
Revolucioni i Flamingove ka nisur. Dhe qindra mijëra shqiptarë mbushin Tiranën çdo mbrëmje. E pranoj, më kujtoi Roșia Montană, protestën me të cilën filloi jeta ime aktive politike.

Kryeministri Edi Rama, i njohur për përkuljet që bën përpara liderëve të ndryshëm botërorë, po kundërshtohet nga qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e tij. Pse? Për mungesë transparence. Për akte të mundshme korrupsioni në këtë projekt që shkatërron ekuivalentin e Deltës sonë.
Çfarë kërkoja unë atje? Shkoj aty ku vlon Evropa. Kam shkuar edhe në Hungarinë e Orbanit dhe atje regjimi ra. Shkoj sepse Evropa duhet parë mes njerëzve, jo vetëm nga zyrat në Bruksel apo Bukuresht.
Këta njerëz të thjeshtë, të lidhur historikisht me ne, më kujtuan diçka që edhe ne e kishim dikur: mirënjohjen për Evropën. Ndërkohë ne jemi tallur disi me të. Për të tjerët, Evropa është gjithçka. Kështu është njeriu. Nuk e vlerëson atë që ka derisa të jetë tepër vonë.”



