
A rrezikohet Shqipëria nga sulmet e Iranit? Endri Tafani, njohës i zhvillimeve në Lindjen e Mesme, i ftuar në podkastin e Gogo.al, me gazetaren Valmora Gogo, thotë se Shqipëria ka qenë e rrezikuar që në momentin që kemi marrë MEK-un, referuar kampit në Manzë dhe shton se kjo është një kosto që duhet të paguajmë, duke e zgjeruar logjikën shprehet se: “Për sa kohë që shqiptarët nuk ishin të aftë ta zgjidhnin vetë çështjen e Kosovës, pra çështjen kombëtare, por na e zgjidhën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, normalisht ti duhet të paguash me çmimin e faktit që nuk e ke bërë vetë këtë gjë. Po ta kishe bërë vetë, mund të kishe ndonjë pozicion që t’i thoje “Jo”, aq më tepër, kur ti nuk investon për mbrojtjen e vendit apo nuk investon në shpenzime ushtarake prej dekadash.” Bashkë më çështjen e Kosovës ai shton në argument edhe garancitë që janë dhënë nga SHBA-të për të na futur në NATO, pasi sipas Tafanit ne nuk ishim ende gati ushtarakisht, gjë që e dëshmuam me shpërthimin në Gërdec.
Duke shpjeguar rrethanat, ai thotë se MEKU-u nuk është thjesht një organizatë emigrantësh, por ata janë emigrantë që kanë qëllim politik për të hedhur regjimin që është atje. “Kemi pasur raste ku janë gjetur agjentë iranianë të cilët kanë tentuar të kryejnë akte terroriste në Shqipëri në 2019-n. Ti ke pasur njerëz të cilët janë në hetime. Kanë qenë gjykime që janë paguar nga iranianët në Shqipëri qoftë për propaganda, dezinformacione e të tjera. Nuk habitem që ka dhe sot e kësaj dite.”-vëren Tafani duke e lidhur edhe me Palestinën.
Vitet 2022-2023 nxorrën në pah një tjetër problematikë, atë të atentateve që kanë mbetur në tentativë në Shqipëri, kjo falë sinjalizimeve nga shërbimet e huaja sekrete: “Çështja e Palestinës ngatërron shumë shqiptarë. Është e kuptueshme në momentin që ti e kupton mekanizmin, e kupton pastaj se çfarë ka ndodhur në Shqipëri sepse deri në 2022 -2023 nuk ia ka ndjerë njeriu për Iranin, të gjithë e kishin inat Iranin, tani nga 2023-shi e mbrapa e kam sepse ka ndodhur çështja e Palestinës, është pjesë e rrezikut. Në një farë mënyre tentuan të vinin bomba në Shqipëri, po nuk i vunë e u kapën në kohë dhe ne jemi lajmëruar nga “Mossadi” e nga vendet fqinje për këtë rast se për shërbimet tona të inteligjencës nuk kishte për t’u kapur ndonjë gjë në atë moment sepse ishin shtetas të huaj pra jemi lajmëruar nga të huajt për këtë gjë”.
Sulmet kibernetike vijojnë të jenë të ndjeshme. Vetëm para pak ditësh është sulmuar “Posta Shqiptare” më herët “e-Albania” edhe disa institucione nga hakerat iranianë. Lidhur me këtë situatë, Tafani thotë se: “Në ndihmë të vendit tonë erdhën ekspertët amerikanë dhe izraelitë të cilët mbajnë nën mbikëqyrje elementet e Gardës Revolucionare, ku edhe Europa vendosi t’i quajë sponsorë të terrorizmit”.
“Ekziston gjithmonë rreziku”, thotë ai duke veçuar një karakteristikë të Iranit i cili nuk përdor trupat e veta në akte terroriste, po rekruton njerëz të gatshëm për ta bërë. “Gjen x-in dhe e financon.. Pra rekruton një person që është i gatshëm të kryjë veprime të tilla në mënyrë të tillë që të krijohet “mohimi i pranueshëm”. Pra nuk jam unë që e kam kryer këtë akt.”
Tafani përmend ngjarje në Argjentinë pranë ambasadës izraelite e cila ndodhej krah një shkolle fillore dhe një kishe katolike ku pati humbje në njerëz. “Aktet e tilla i kryen me sasi shumë të mëdhe eksplozivi, qindra kilogram eksploziv. Pra e kanë si karakteristikë të vetën këtë. Hezbollahët kanë kryer një sulm në fillim të viteve 2000 në Bullgari ndaj një autobusi me pasagjerë. Gjithmonë ekziston rreziku i kryerjes së veprimeve të tilla brenda në Shqipëri për sa i përket pjesës të kërcënimit nga Irani.”
Antiamerikanizëm në Shqipëri?
Shqetësimi i tij është plani afatgjatë i Iranit, problemi i një propagande iraniane për të formuar ndjenjë antiamerikane në Shqipëri. “Është mëse evidente që ka një ndjenjë antiamerikanizmi në Shqipëri dhe kjo ka ardhur duke shfrytëzuar pikërisht çështjen e Palestinës e që Irani ka të drejtë të ketë bombën atomike”, -shprehet ai, ndërsa shton se ka njerëz që mbrojnë hapur në studio televizive një regjim gjakatar. “Gënjëjnë haptazi e thonë se ka demokraci në Iran, se Irani është vend i mrekullueshëm e të tjerë e të tjerë ndërkohë që fakte konkrete janë që është një diktaturë islamike në të cilën pushteti është në dorë të disa njerëzve që janë të gatshëm t’i vënë zjarrin botës.”
Pas ndërhyrjes së gazetares Gogo e cila thotë se shqiptarët harrojnë marrëdhëniet që kemi me SHBA-të apo faktin që Palestina nuk e ka njohur Kosovën, Tafani vëren se kjo nuk ndodhur vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. “Është një aleancë e vjetër midis të majtës dhe islamizmit politik, po themi jo islamit vetë si fe, po islamizmit politik se që të dyja shohin si kundërshtar kapitalizmin dhe perëndimin. Pra perëndimi në atë formë që është tani për ata është kundërshtar. Kështu që janë të dy aleatë. Nuk është e rastit që edhe MEK-u që është këtu në Shqipëri, ata janë marksistë-leninistë me disa elemente fetare brenda edhe kanë qenë komunistët dhe islamikët edhe ajo u quajt “Aleanca Kuqezi”. Ajatollahët ishin të zinj, të kuq ishin komunistët partia Tudeh e Iranit, ata të cilët bënin revolucionet.
Në logjikën e kësaj politike në Iran, sipas Tafanit kërkohet që Perëndimi të zhduket dhe janë krijuar aleanca me çdolloj force për të luftuar perëndimin, qoftë edhe me Korenë e Veriut, Maduron apo Putinin, një praktikë sipas Tafanit, kjo që ka filluar që nga viti 1960. “Pra kjo mënyrë se si bëhet propaganda nga Vëllazëria Myslimane nga Irani duke futur këtu dhe “Alxhaziren” e këto të tjerat. Pra në një farë mënyre i hedh trutë gomarit të njerëzve dhe kjo është e vërtetë jo vetëm për Shqipërinë, është e vërtetë dhe për botën”.
Çfarë e bën më specifik rastin e Shqipërisë?
Ai e konsideron faktorin e fesë si kyç për të gjetur terren në Shqipëri. “Kush është ajo leva që kanë mundur të prekin iranianët? Është leva e fesë. Në një farë mënyre duke përdorur levën e fesë dhe fakti që në Shqipëri një pjesë e mirë e popullsisë është e besimit sunit, normalisht janë munduar që të krijojnë atë idenë e “vëllazërisë”. “Shih si po masakrohen sunitët atje. Pra po masakrohen me Izraelin. Dhe është Irani ai që po i lufton. Irani i vetmi, vendet e Gjirit janë po themi maskarenj etj, etj. Dhe kjo për fat të keq ka gjetur vend”.
Tafani sjell shembuj nga një panel televiziv ku ka qenë i ftuar duke theksuar se kishte njerëz që thonin se vendet e Gjirit kanë financuar Izraelin për të vrarë palestinezët. “Nuk ka shanse të ndodhë një gjë e tillë, një propagandë e tillë të çon në pozicione absurde”. Tafani e sheh absurditetin në mospërdorimin e logjikës e njohurive, por me përdorimin e ndjenjës dhe emocionit. “Kur njëri thotë “Është ky fakti, është ky fakti, është ky fakti”, ti qëndron me gjak të ftohtë dhe thua gjëra dhe përdor llogjikën, ti ke një koherencë në qëndrime. E kuptoj kur tjetri është koherent, kur përdor fakte të lidhura me analizë, me logjikë të cilat bëjnë sens.. pra në mënyrën se ti duhet t’i afrohesh të vërtetës në mënyrë empirike. Problemi është që kjo nuk është mënyrë empirike. Pra, në momentin që ti i drejtohesh ndjenjës, humbet empirizmi. Nuk ka kuptim më, si puna e saj që thuhet “dashuria është e verbër”.
Tafani bën krahasime me propagandën e diktaturës së Enver Hoxhës në Shqipëri. “Kur ti fiksohesh në diçka dhe është pjesë ndjenjash, është e pamundur pastaj për pjesën tjetër… Kështu ka qenë dhe në Shqipëri në kohën e Enverit. Propaganda, makineria, Enveri, “Ç’do populli bën partia, ç’do partia bën populli” e këto parrullat abstrakte që dihet edhe në fund të fundit që ishte Enveri që merrte vendimet se s’kishte askush tjetër që të merrte vendimet”. Qëllimi i kësaj propagande sipas Tafanit është që njerëzit të mos mendonin me kokën e tyre, e të mos përdornin një proces logjik të vetin, t’i merrnin gjërat e gatshme, me një bindje të brendshme nga ai që komandon propagandën dhe debati shtrohet kështu në rrafshin emocional.
Për ta lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, ai thotë: “Kur përmendet rasti i Izraelit thuhet “gjenocid, gjenocid…”, e thonë 700 milionë herë të njëjtën fjalë për të dhënë emocion… Rasti në gjykatën e krimeve që është ndaj Izraelit në “International Court of Justice” nuk është për gjenocid, rasti është për krime lufte. Nga ana juridike nuk qëndron. Pra u tentua që të thuhej “gjenocid” dhe thanë jo nuk është se s’ke, nuk ekziston. Dhe për krime lufte janë akuzuar shumë personazhe aty dhe kur erdhi puna e Sllobodan Millosheviçit apo atyre që janë udhëheqës, siç është dënuar Karaxhiçi thanë për krime lufte, plus gjenocid për rastin e Bosnjës e Srebrenicës.”
Për të kuptuar mënyrën e manipulimit me emocione, ai sqaron: “Kjo nënkupton që ti të jesh shumë i ftohtë, të jesh shumë i llogjikshëm dhe me shumë njohuri teknike për të folur dhe të mundohesh të kërkosh të vërtetën në mënyrë empirike. Kur ti nuk e kërkon këtë të vërtetë në mënyrë empirike, po ti thua: “Ua gjenocid, gjenocid, i vrau me gra, me fëmijët e të tjerë e thua 700 milion herë dhe në trurin e tjetrit ngulet kjo gjenocit që kur ti pastaj mundohesh të flasësh në mënyrë empirike, ai nuk i drejtohet, pra kundërshtari jot nuk të flet më në mënyrë empirike, por të flet në mënyrë sentimentale, në një frekuencë tjetër dhe në atë frekuencë se mund të bëjë pyetje “Si s’të vjen keq? Po çfarë je ti? Maskara i pashpirt. Po ti qenke maskara se ty s’të vjen keq”. Për Tafanin ideja është te komunikimi që bëhet me dy frekuenca që e bën mesazhin të pakuptueshëm dhe kjo është ajo që vjen për shkak të propagandës. “Pra është shumë e vështirë që ti të ruash gjakftohtësinë dhe të mundohesh të analizosh diçka në anë empirike dhe ndonjëherë duhet guxim.”
Cila është zgjidhja?
“Duhet të jesh shumë i ftohtë për të gjetur zgjidhje dhe për fat të keq kjo nuk ekziston dhe propaganda i bën, pra shtyp atë butonin e ndjenjës dhe të bën ty që ti mos të mendosh dhe ta fikësh trurin dhe ti nuk mendon në mënyrë llogjike, ti mendon vetëm në anë emocionale.”
Gjatë bisedës në podkastin e Gogo.al, është shtuar pyetja se pse Shqipëria është pozicionuar në krah të SHBA-ve dhe Jeruzalemit? Tafani bën një retrospektivë historike të raporteve të Shqipërisë me SHBA-të, duke filluar që me konferencën e 1919-ës për Vetëvendosjen e Kombeve, e propozuar nga Willsoni nga cila u ndikua në një farë mënyre edhe Shqipëria në kohën kur grekët pretendonin Vorio Epirin, serbët donin veriun dhe pastaj Italia.
“Pak shqiptarë e dinë që Italia e kishte ndërmend t’i zhdukte fare shqiptarët në kuptimin e gjuhës, sepse mendohej që të sillnin rreth 100.000 kolonë italianë në Shqipëri. Arritën të vinin vetëm 10.000 dhe do nguleshin këtu edhe ne do zhdukeshim dalëngadalë. Nuk u realizua për shkak se lufta mori atë drejtëzim që mori.”
Ai sqaron edhe ndikimin që SHBA-të kanë patur gjatë diktaturës së komunizmit në Shqipëri duke vepruar me grupet diversante apo kompani të ndryshme për të kthyer demokracinë. “Kishte ndihmë nëpërmjet propagandës nga “Zëri i Amerikës”, që ka qenë një nga ato që mbante në një farë mënyre të gjallë një dritare shpresë, pastaj ishin në ’91-in na ndihmuan. Na ndihmuan prapë në ’99-ën me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe mbajtën dhe trupat në Kosovë, pastaj në 2008-n na futën në NATO pavarësisht se nuk ishim të gatshëm. Realisht sot sovraniteti i Shqipërisë është i garantuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prezente këtu dhe ekziston një strukturë si puna e NATO-s në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë rolin kryesor dhe kjo e ka bërë që kufijtë e Shqipërisë të jenë të sigurtë”
Pas SHBA-ve ai kalon te roli i BE-së. Sipas Tafanit: “Evropa i la serbët e Bosnjës apo siç po lë tani që prej katër vitesh po bëhet viti i pestë i luftës në Ukrainë dhe po i lë të masakrohen në Ukrainë sepse nuk po i jep edhe ndihmë që duhet t’i japë. Është bllokuar një kredi 90 miliardë eurosh prej Orbanit”. Europa për Tafanin është një konglomerat ku mjafton që një vend të thotë “Jo!”… “Europa nuk ka vullnetin politik sepse secili shtet ka fjalën e tij dhe nuk ka potencialin ekonomik dhe ushtarak për të garantuar në atë formë që të garantojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Përveç BE-së, në analizë janë përmendur edhe organizma të tjerë që Tafani i sheh në fazë degradimi. “Po shkatërrohet NATO-ja përpara syve. OKB-ja ka marrë fund, s’është gjëkundi. Dhe e gjithë kjo ty të sjell në një moment pasigurie që shtohet më tepër me konflikte. Ke konflikt në Ukrainë, ke konflikt në Iran në Lindjen e Mesme, ke konflikte të tjera në Afrikë. Po Afrika ka qenë gjithmonë e tillë. Ke mundësi të ndonjë konflikti në Tajvan. Pra kemi mundësinë e ndonjë konflikti në Baltik”.
Po në Shqipëri e Kosovë?
“A ke ti potencialin ekonomik dhe ushtarak që të garantosh Republikën e Shqipërisë apo të garantosh Republikën e Kosovës? Mua nuk më duket se e kemi sepse nuk kemi investuar prej vitesh. Po përveç kësaj është gjendja ekonomike dhe e popullsisë. Sot kemi dhe një popullsi e cila shumica është e plakur. Domethënë mosha mesatare e popullsisë është 44 vjeç, realisht problematike për Shqipërinë, edhe kush do luftojë? Ti mirë që s’ke armatime, po kush do luftojë këtu? Do luftojnë të pleqtë dhe e njëjta gjë po ndodh në Kosovë. Çfarë masash ke marrë ti në këtë drejtim?”-shtron ai një tjetër problematikë.
Në një këndvështirm tjetër ai shprehet: “Nuk ka lidhje servilizmi. Kjo është çështje të shikosh me sy të ftohtë kush është interesi kombëtar i Shqipërisë, dhe interesi kombëtar i Shqipërisë dhe kur them Shqipërisë fus dhe Republikën e Kosovës apo edhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut apo kudo që janë shqiptarët.”
Tafani thotë se SHBA-të duhet të jenë një aleancë e fortë pasi të gjitha strukturat e tjera ndërkombëtare po shkatërrohen dhe në këte kuadër veprimi që ka bërë qeveria e Shqipërisë me pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe qeveria e Republikës së Kosovës është mëse i kuptueshëm. Ka risqet e veta, e para për Shqipërinë është fakti që në Evropë do shihesh me sy ndryshe sepse je në atë Bord bashkë me Orbanin i cili nuk është edhe aq proevropian, por ka dhe rriskun që të përfsihesh ndonjë konflikt.
Aleancava dhe risqeve konkrete ai u shton sërish edhe kostot e përjetimeve emocionale.
“Këtu hyn pjesa e dytë që ka të bëjë me propagandën që bëhet nga Irani, por dhe për vende të tjera në drejtim të Shqipërisë ku duhej të ishte marrë masë nga qeveria përpara se të bëhej kaq galopante kjo këtë ndjenjë antiamerikanizmin që për mendimin tim është për t’u habitur, por është shumë më e fortë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut sesa në Shqipëri te elementi shqiptar edhe për shkak të propagandës.
Votimi i rezolutës për shpalljen e IRGC (Garda Revolucionare Islamike) si financuese të terrorrizmit.
Në interpretimin e Tafanit kjo do të thotë që të merren masa të mira dhe të angazhohen më shumë mjete në drejtim të kësaj propagande. “Ka shumë njerëz të cilët mund të jenë të lidhur me IRGC-në apo me qeverinë iraniane për të bërë propagandë në media, marrin financime, marrin fonde, marrin mbështetje apo nëpërmjet shoqatave të bamirësisë që janë thjesht një shell, kompani guackë për fonde që vijnë për t’u mbajtur në mbikëqyrje në mënyrë të tillë që në qoftë se kryejnë aktivitet të dëmshëm ndaj Republikës së Shqipërisë, normalisht të mbajnë përgjegjësinë ashtu siç është ligji dhe duke qenë se Irani ka vepruar edhe me IRGC-në”.
Me shumë rezerva ai flet për mënyrën se si u bë votimi nga kuvendi i Shqipërisë: “Duhet një analizë. Duhet mbledhur një Këshill Sigurie. Këto janë fakte, këto janë gjërat, kjo ka ndodhur, për këtë arsye ne duhet të shpallim këtë. Pra ke një raport i cili duhet të vihet edhe në dispozicion të opozitës, të arrihet një konsensus dhe me sa duket dhe opozita ishte e gatshme që ta votonte. Por mënyra se si u bë, në një mënyrë aq bastarde sa i humbi dhe ajo vlera që po ta shikosh me gjak të ftohtë ai dokument ka vetëm për faktin, që nuk është bërë në mënyrë serioze dhe nuk është bërë përpara. Për mendimin tim duhet të ishte bërë shumë kohë më përpara se kaq.”
“Ne tani më tepër kemi rrezikun e atij planit konkret për momentin përsa i përket akteve që mund të ndodhin në Shqipëri, jo dhe aq akteve me raketa gjë që ajo ishte përhapje paniku, por ajo që unë shikoj në planin e afatgjatë është pjesa e antiamerikanizmit që është problematike sepse vendos fatin e Shqipërisë”.
Antiamerikanizmi në planet afatgjata, për Tafanin paralajmëron frikën e një mundësie për ta përdorur edhe politikisht.
“Herët vonë do dalë maskarai i radhës edhe ka për të shfrytëzuar politikisht, ka për të krijuar partinë e vet dhe kjo për të pasur rastet e njerëzve që do na heqin nga Perëndimi e do na çojnë në drejtim të Lindjes, e ne e dimë gjithmonë që Lindja është autokrate, është diktaturë nuk është se ka ardhur demokracia nga Lindja”.


