Qeveria shqiptare duket se po kalon një moment krize, ku emra të rëndësishëm të saj dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit po përballen me akuza për korrupsion e shpërdorim detyre, ndërsa kryeministri Rama vijon projektet madhore, duke mos iu ndarë përpjekjeve për bashkëpunime me studio arkitekturore të huaja. Duke shfrytëzuar këtë kaos, ku vëmendja e publikut është e fokusuar te skandalet e prodhuara nga ish-varësit e tij, Edi Rama ka vendosur t’i vërë kazmën edhe Parkut Rinia. Pikërisht këtë të enjte, ai prezantoi vizionin e tij për ndërtimin e një kulle disakatëshe, ku është shpallur një konkurs ndërkombëtar.

Për prezantimin e projektit u nevojit një organizim i veçantë, ku u shfaq edhe ideja sesi është konceptuar “Tirana Fountain Plaza”.

“Disa vijnë për t’u takuar, disa për të luajtur, disa për t’u ushqyer, të tjerë për të reflektuar. Disa janë thjesht kalimtarë, pa biletë, pa ftesë, pa një qëllim të caktuar.”

Kështu e përshkruan Parkun Rinia videoja hyrëse e konkursit “Tirana Fountain Plaza”, por ky projekt që parashikon ndërtimin e një kulle madhështore mesa duket nuk do të jetë më pa biletë dhe për kalimtarët.

Siç u bë me dije, konkursi u fitua nga studioja daneze “BIG” (Bjarke Ingels Group), ndërsa ngrehina 78 metra e lartë prej betoni do të zërë vendin e kompleksit “Tajvani”. Nga zyrat, te dhomat e hotelerisë apo apartamente për banim, kulla paraqet një kompleksitet njësish shërbimi, pa lënë mënjanë edhe 3 katet nëntokësore, për parking dhe logjistikë.

Edi Rama deklaroi se juria vendos “tërësisht e lirë” dhe pa “asnjë orientim”, por nuk e shmangu dot pëlqimin për “Tirana Fountain Plaza”, për të cilin bëri edhe sugjerime.

Parku Rinia është hapësira më e madhe dedikuar për qytetarët në Tiranë, i cili u rikonstruktua pak vite me parë me paratë e taksapaguesve shqiptare, kurse e ardhmja paska parashikuar një ridizejnim nga një zhvillues privat. Ndonëse trumbetoi një juri profesionistësh, Rama harroi një detaj thelbësor: Konkursi u thirr pa asnjë njoftim publik.

I gjithë takimi pati “përplasje rrymash”, ku arkitekti që ndërton me kazëm tha se kulla do të ngrihet “brenda perimetrit të pronës private”, ndërsa të pesta studiot dizejnuese kanë vijëzuar, jo vetëm zonën kadastrale të Tajvanit, por anembanë edhe Parkun Rinia. Kompania fituese “BIG” nuk mjaftohet me kaq. Ajo ka menduar të ndryshojë rrugën pranë parkut, ku parashikohen korsi për taksi, rampë për parkim nëntokësor etj..

Megjithatë, Ramës nuk i del e keqja me gazetarët, ku ju përgjigj kritikave të një gazetari të huaj, i cili i kishte dërguar pyetje për transparencën e vendimmarrjes, trashëgiminë, largimin e banorëve. Rama i konsideroi pyetjet “të pabesueshme dhe sipërfaqësore”. Kështu, ai nisi vlerësimin e stafeve të studiove që janë pjesë e konkursit.

 “Shumica e jurisë janë arkitektë, janë urbanistë, janë profesorë, akademikë të njohur të cilët janë tërësisht të lirë që të vendosin për projektet”, tha Rama, duke u justifikuar se pala shqiptare është në minorancë dhe “ nuk ka një orientim apo një ndikim mbi jurinë”. Juria zyrtare përbëhej nga Andrea Caputo, Eelco Hooftman, Valerio Olgiati, José Selgas, Elena Tsolakis, Neil Porter.

LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7