
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur një valë protestash të gjera në Shkup, duke kërkuar respektimin e të drejtës së tyre për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ky provim është vendimtar për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, por aktualisht zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse shqipja ka status zyrtar ligjor. Sipas studentëve, kjo gjendje krijon pabarazi dhe kufizon mundësitë e tyre profesionale, duke ndikuar drejtpërdrejt në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit. Protestat kanë përfshirë studentë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore. Marshimet kanë filluar në hyrje të Urës së Gurit dhe kanë vazhduar drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku studentët i janë drejtuar ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe ministres së Arsimit Vesna Janevska, duke kërkuar dorëheqjen e tyre për mosrespektimin e të drejtave ligjore të studentëve.
Studentët argumentojnë se moszbatimi i të drejtave gjuhësore krijon pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional dhe cenon besimin tek institucionet shtetërore. Ata kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët, duke siguruar zbatim real të të drejtave ligjore dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare për barazi gjuhësore në arsim.

Kjo çështje ka marrë mbështetje të konsiderueshme edhe nga Tirana ku universiteti i Tiranës ka deklaruar se përdorimi i gjuhës amtare në arsim nuk është privilegj, por një e drejtë themelore dhe standard ndërkombëtar. Universiteti i Tiranës ka theksuar se studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë realizimin e një të drejte të ligjshme, përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale. Ai ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse, duke respektuar diversitetin gjuhësor dhe standardet demokratike, pasi respektimi i të drejtave gjuhësore forcon kohezionin social dhe integrimin e komuniteteve në shoqëri shumëgjuhëshe.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, gjithashtu ka mbështetur protestën, duke deklaruar se kërkesa e studentëve shqiptarë është një e drejtë kushtetuese që duhet respektuar dhe që synon barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim.
Përveç studentëve, në marshim kanë marrë pjesë qytetarë të komunitetit shqiptarë, si dhe përfaqësues politikë dhe shoqërorë. Mbi 385 studentë kanë firmosur një peticion për të kërkuar që provimi të mbahet në gjuhën shqipe, duke u bërë thirrje institucioneve të marrin masa për të siguruar zbatimin e ligjit dhe barazi reale për të gjithë kandidatët.

Protestat kanë karakter paqësor, por janë shumë të vendosura dhe synojnë të dërgojnë një mesazh të qartë, respektimi i të drejtave gjuhësore nuk është opsional dhe nuk mund të injorohet. Studentët kërkojnë që e drejta për të përdorur gjuhën amtare të njihen dhe të zbatohen në të gjitha nivelet e arsimimit dhe të jetës profesionale, duke garantuar barazi dhe përfaqësim të drejtë në sistemin publik dhe juridik.


