
Vendimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri qe ndoshta një nga vendimet më të papritura të ditëve të fundit, ndërsa burime të ndryshme jepnin të dhëna se kjo lëvizje kishte qenë një nga organizatorët e protestave pas vrasjes së të riut Klodian Rasha në Tiranë, bashkë me Organizatën Politike dhe FRPD-në.
Peizazhi i hartës politike në Tiranë ka ndryshuar këto 4-5 muajt e fundit. Përveç partive të përhershme si Partia Socialiste, Partia Demokratike apo Lëvizja Socialiste për Integrim, në skenë janë shfaqur edhe lëvizje të tjera “kundërsistem”.
Më herët Gogo.al shkroi mbi shqetësimin që i krijonte kryeministrit Rama koalicioni i deklaruar tashmë PD-LSI (lexo Këtu) por situata tani është bërë edhe më pikante.
“Lëvizja Nisma Thurje”
Nga shtatori në nëntor zhvillimet për “Lëvizjen Nisma Thurje” qenë intensive. Personazhet qendrore të saj mblodhën firmat dhe e finalizuan themelimin me prezantimin e programit dhe të kandidatëve për deputetë.
Pas përplasjeve të brendshme, ku u cituan emrat e Rudina Hajdarit, vajzës së Azem Hajdarit, ish-deputetes demokrate dhe pedagogut Rezart Prifti, më në fund kjo lëvizje prezantoi online programin dhe një listë me kandidatë më 28 nëntor 2020. Disa prej tyre janë Endrit Shabani, Rudina Hajdari, Panajot Soko, Gerta Loku, Artan Koni, Denisa Dizdari, Napolon Laska, Senera Hoxha, Kristaq Bezgo, Shahin Baramaj, Ergest Lekdushaj dhe Amel Pervizi (Lexo më shumë duke klikuar Këtu).
“Lëvizja për Ndryshim”
Një muaj para zyrtarizimit final të “Lëvizjes Nisma Thurje”, ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli bëri me dije publikisht themelimin e lëvizjes së re “Lëvizja për Ndryshim”.

E përkrahur edhe nga një ish-eksponent i lartë i PD-së Astrit Patozi, Topalli tha se i shpallte luftë tri partive më të vjetra duke i cilësuar liderët e tyre se kërkojnë të mbajnë monopolin e politikës dhe se po bëjnë çmos që të bllokojnë një lëvizje që ende s’ka nisur.
Prej kohësh në një pozicion joaktiv politik, Topalli ishte mjaftuar vetëm me kritika ndaj partisë, nënkryetare e së cilës ishte dikur, duke gjykuar ashpër vendimet e Lulzim Bashës.
“Lëvizja Vetëvendosje”
Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka shprehur hapur garimin e saj për zgjedhjet e 25 prillit. E krijuar si degë e Vetëvendosjes Kosovë, dega në Shqipëri ka bërë publik angazhimin si subjekt politik duke bërë thirrje se do mbështesë angazhimin e qytetarëve në 12 zona zgjedhore.
“Vetëvendosje” gjykon se kriza në Shqipëri është thelluar dhe është e shumëfishtë prej sistemit shëndetësor e arsimor te ekonomia dhe drejtësia dhe po kështu se një prirje e theksuar autoritarizmi ka instaluar në vend elementë të shtetit policor dhe se pabarazia ekstreme është rritur, ndërsa shteti i së drejtës nuk u ngrit kurrë këto 30 vite.
Ato që i nevojiten tani “Vetëvendosjes” janë 3 mijë nënshkrimet për krijimin e subjektit politik në Shqipëri duke nisur nga mesi i janarit.
Albin Kurti njoftoi muaj më parë gjatë një takimi me studentë në Tiranë se ishte koha për një “pranverë shqiptare” duke thënë se edhe pse mendonte që kryeministri i Shqipërisë Rama nuk ishte pro ndarjes së Kosovës, gjithsesi sipas tij ai kishte zgjedhur për miq dhe bashkëpunëtorë në Kosovë njerëz të papërshtatshëm, të cilët përfitonin për vete dhe nuk e kishin në fokus as interesin kombëtar dhe as shtetin e Kosovës.
Si do ndikojë ky ndryshim i peizazhit të rivalëve politikë te partitë tradicionalisht më të mëdha si PS-ja e Ramës apo PD-ja e Bashës? A do të favorizohet Rama në trendin e mbledhjes së votave të elektoratit gri nga lëvizjet e reja dhe jo PD-ja apo LSI-ja?! A do të nxisë ky peizazh i ri frymën e kundërshtimit të qeverisë aktuale?!
Në fakt, a po e hap sistemin ky konfigurim i ri politik apo pas zgjedhjeve priten gjithfarë koalicionesh pragmatike?! Të presim edhe zhvillimet e minutave të fundit sepse askush nuk e di me siguri se ç’lëvizje të reja do krijohen në një fushatë që me shumë gjasa do jetë virtuale.